Bota
Trump ndalon ndihmën për Kievin, Moska optimiste: Së shpejti konflikti përfundon

Nuk është diçka e re që presidenti amerikan e ka bërë shkëputjen ushtarake nga Ukraina një nga objektivat kryesorë të politikës së tij.
Qeveria e Volodymyr Zelensky po përpiqet të reagojë duke thirrur të ngarkuarin me punë të SHBA-së për të kërkuar sqarime mbi këtë shkurtim, që këshilltari i parë i presidentit, Mykhailo Podolyak, e ka quajtur “çnjerëzor”. Ukraina ka përsëritur gjithashtu ofertën për të blerë armë të këtij lloji. Nga ana tjetër, Kremlini ka reaguar në mënyrë të kundërt, duke e përshkruar këtë kthesë të SHBA-së si një hap drejt “përfundimit të luftës”.
Armët që priteshin nga Kievi ishin pjesë e paketave të ndihmës të miratuara nga administrata e Joe Biden dhe megjithëse presidenti Trump nuk ka autorizuar shpenzime të reja, furnizimet kishin vazhduar të mbërrinin, përveç një pauze të shkurtër në mars.
Ministria e Punëve të Jashtme të Ukrainës, në mungesë të një komunikimi zyrtar nga Uashingtoni për ndërprerjen e furnizimeve, thirri të ngarkuarin me punë amerikan, John Ginkel, për të bërë një vlerësim, duke theksuar se “çdo vonesë në mbështetjen e kapaciteteve mbrojtëse të Ukrainës vetëm sa e inkurajon agresorin të vazhdojë luftën dhe terrorin, në vend që të kërkojë paqe”.
Zelensky, në fjalimin e tij të mbrëmjes, u përpoq të qetësojë popullin duke shpjeguar se me SHBA-në “po përcaktojmë të gjitha detajet e mbështetjes mbrojtëse”, duke theksuar se “duhet të sigurojmë mbrojtjen e popullit tonë me çdo mjet të mundshëm”. Ndërkohë, ministri Andrii Sybiga ka kërkuar të “blejë ose marrë me qira” sistemet e mbrojtjes — një propozim që Zelensky e ka paraqitur edhe gjatë samitit të NATO-s në Hagë, por për të cilin Trump nuk dha një përgjigje të qartë, duke preferuar të përqendrojë mbështetjen ushtarake te aleati tjetër, Izraeli.
Nëse ndihma ushtarake amerikane vazhdon të pakësohet, kapacitetet afatgjata të mbrojtjes së Ukrainës mbeten të rrezikuara, pavarësisht përpjekjeve shtesë nga Evropa. Ndërkohë, Moska i sheh me optimizëm muajt e ardhshëm, e inkurajuar nga dobësimi i marrëdhënieve mes Kievit dhe Uashingtonit. “Sa më pak armë t’i dërgohen Ukrainës, aq më afër është fundi i luftës,” deklaroi me ironi zëdhënësi Dmitri Peskov, ndërsa fabrikat ruse, tashmë të përshtatura për ekonominë e luftës, po rrisin ndjeshëm prodhimin e raketave dhe dronëve — deri në 70 raketa balistike Iskander dhe 15 raketa hipersonike Kinzhal në muaj.
Mbi 500 goditje ajrore u shënuan të shtunën në mbrëmje, në bastisjen më të madhe që nga fillimi i luftës. Në të njëjtën kohë, Vladimir Putin, në telefonatën e tij të parë me Emmanuel Macron pas tre vitesh, po e forcon gjithnjë e më shumë pozicionin e tij: për Kremlinin, paqja e vetme e pranueshme është ajo që njeh “realitetet e reja territoriale”, pra nuk do të ketë asnjë tërheqje nga territoret e pushtuara nga ushtria ruse, i tha ai presidentit francez.
Në këtë kuadër, inteligjenca ukrainase vlerëson se Koreja e Veriut është gati të trefishojë numrin e trupave që mbështesin rusët, duke dërguar 25-30 mijë ushtarë të tjerë në front gjatë muajve të ardhshëm. Deri tani, që nga nëntori, rreth 11 mijë ushtarë koreanoveriorë kanë ndihmuar në mbrojtjen e rajonit të Kurskut. Por kjo ndihmë ka ardhur me një çmim të lartë: rreth 4 mijë ushtarë janë vrarë ose plagosur.

