Kosova
Po me urën ç’patën/ Dy të reja mbi lumin Ibër në Kosovë, projekt zhvillimi apo ura-konflikti

Afërsisht 3 milionë euro është paraparë të kushtojë ndërtimi i dy urave mbi lumin Ibër në Mitrovicë, njëra e dedikuar për automjete dhe tjetra për këmbësorë. Megjithatë, këto ura po vlerësohen se nuk do të shërbejnë si ura-lidhëse për zhvillim, por rrezikojnë të kthehen në ura-konflikti.
Pavarësisht paralajmërimeve dhe kundërshtimeve, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, më 1 korrik vendosi gurthemelin e dy urave të reja mbi Ibër për lidhjen e Mitrovicës. Ndërtimi i tyre nuk figuron në buxhetin e shtetit për vitin 2025, ndaj mbetet e paqartë pse është parë si e domosdoshme kjo ndërmarrje.
Njohësi i çështjeve politike, Afrim Kasolli, në një përgjigje me shkrim për Albanian Post, deklaron se nëse ndërtimi i tyre do të ishte vërtet i nevojshëm, ato do të ishin përfshirë në buxhetin e shtetit.
Ai thekson se as kryeministri Kurti nuk e kishte parashikuar një projekt të tillë më herët.
“Fillimisht duhet theksuar se as vetë kryeministri Kurti nuk e ka konsideruar të domosdoshëm dhe të nevojshëm ndërtimin e këtyre dy urave. Sepse, po të kishte një qëndrim të tillë, planifikimi i tyre do të figuronte në buxhetin e shtetit për vitin 2025. Ligjin për Buxhetin e këtij viti, lideri i Vetëvendosjes nuk e ka trashëguar nga ndonjë kryeministër tjetër, por ai është projektuar dhe miratuar pikërisht në kohën kur Kurti kishte kompetenca të plota si drejtues i Qeverisë”.
“Nëse ky investim me të vërtetë do t’i shërbente bashkimit dhe afrimit të qytetit të Mitrovicës, atëherë si ndodhi që një projekt kaq madhor të anashkalohej në dokumentin themeltar financiar të shtetit?”, shpjegon Kasolli për Albanian Post.
Sipas tij, ky projekt financiar ka nisur më shumë për qëllime elektorale.
“Fillimi i këtij investimi më shumë se sa një projekt i mirë menduar dhe i mirë planifikuar, ka ardhur nga presionet e çastit për nevoja elektorale, në prag të zgjedhjeve lokale që pritet të mbahen këtë vjeshtë. Nuk përjashtohet as skenari i zgjedhjeve të jashtëzakonshme nacionale, nëse nuk gjendet një zgjidhje politike për bllokadën në Kuvendin e Kosovës”, shton ai.
Madje, përmes këtij projekti, po synohet të justifikohet edhe dështimi me urën kryesore mbi Ibër, për të cilën pati përpjekje gjatë vitit 2024.
“Është e qartë se ky investim ka ardhur më shumë si përpjekje për të kompensuar dështimin e këtij pushteti për të hapur urën kryesore mbi lumin Ibër edhe për qarkullimin e automjeteve”.
Nga aspekti ekonomik, ndërtimi i këtyre dy urave nuk pritet të sjellë ndonjë përfitim të dukshëm.
Njohësi i çështjeve ekonomike, Adem Qorrolli, në një bisedë për Albanian Post, thotë se ndërtimi i një ure bëhet vetëm kur ekziston një bazë e qartë strategjike ekonomike.
“Nga këndvështrimi ekonomik, ndërtimi i një ure ka kuptim vetëm kur ajo ndërtohet mbi strategji të mirëfillta zhvillimi — me lidhje drejt qendrave tregtare, zonave industriale, tregjeve të punës apo komuniteteve që kanë nevojë për qarkullim më të lehtë të mallrave dhe njerëzve. Në këtë rast konkret, mungon një planifikim gjithëpërfshirës që do të vlerësonte në mënyrë të paanshme përfitueshmërinë afatgjatë të këtyre urave”, thekson Qorrolli.
Ai përmend disa arsye pse ndërtimi i këtyre urave mund të ketë ndikim negativ për ekonominë lokale dhe rajonale.
“Kemi rrezikun e dëmtimit të ekuilibrave të konkurrencës, nëse kjo infrastrukturë u shërben vetëm disa komuniteteve që operojnë jashtë autoritetit shtetëror. Pastaj zhvillimin e pabarabartë ekonomik, ku një pjesë e vendit avancon pa kontroll institucional, ndërsa pjesët e tjera mbeten të neglizhuara”.
“Po ashtu, krijimin e një hapësire ekonomike paralele që sfidon funksionimin normal të shtetit dhe favorizon ndarjet territoriale de facto. Për më tepër, perceptimi ndërkombëtar për stabilitetin e Kosovës mund të dëmtohet ndjeshëm, nëse këto ura interpretohen si veprime që rrezikojnë sovranitetin, bashkëjetesën ndëretnike dhe orientimin euroatlantik të vendit”.
Sipas tij, edhe investitorët ndërkombëtarë, të cilët i konsideron “jashtëzakonisht të ndjeshëm ndaj rrezikut politik”, matin qëndrueshmërinë e një shteti përmes veprimeve të tilla.
“Në këtë formë dhe në këto rrethana, këto ura nuk janë ura-lidhëse për zhvillim, por rrezikojnë të shndërrohen në ura-konflikti, me pasoja të drejtpërdrejta jo vetëm për ekonominë, por edhe për sigurinë kombëtare. Dhe sigurisht, si nga kryeministri i Kosovës, ashtu edhe ai i Serbisë, mund të përdoren për konsum politik dhe për të ushqyer apetitet e votuesve të tyre, por jo për ekonominë, shëndetësinë apo fushat e tjera zhvillimore”, përfundon Qorrolli.
Gjatë vendosjes së gurthemelit, Kurti i pyetur nëse është koordinuar me Bashkimin Evropian për ndërtimin e këtyre dy urave, tha se “gjithçka që bëjmë ne është në përputhje me planet tona, sipas ligjit, dhe për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ata që kanë dilema, mund të na kontaktojnë lirisht dhe ne ua shpjegojmë me përpikëri”.
Ndërsa sa i përket mundësisë së hapjes së urës kryesore mbi Ibër për qarkullimin e automjeteve – gjë që ka shkaktuar tensioneve vitin e kaluar – Kurti tha se “ne jemi për t’u hapur edhe ura kryesorë mbi lumin Ibër, ne nuk heqim dorë asnjëherë nga hapja e urës”.
Kujtojmë se verën e kaluar, Qeveria Kurti ndërmori një nismë për të hapur urën kryesore mbi Ibër për trafik — gjë që u kundërshtua nga popullsia lokale serbe dhe bashkësia ndërkombëtare.
Tentativat për hapjen e kësaj ure datojnë që nga viti 2001, por asnjëherë nuk kanë rezultuar të suksesshme.
As ajo e vitit 2024, pasi u kundërshtua nga misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, i cili kërkoi që të gjitha vendimet për hapjen e saj të merren brenda kornizës së dialogut Kosovë–Serbi.

