Connect with us

Politike

‘Dy fjalë për ju që e urreni, Berisha është zëri i së vërtetës, pengesa e fundit ndaj regjimit’

Luçiano Boçi ka bërë një letër publike të mbushur me plot lavde për Sali Berishën. Ndër të tjera, ai shkruan:

“Në një vend ku kujtesa kolektive po zbehet nga propaganda, ku gënjeshtra bëhet ligj dhe e vërteta përbuzet si krim, ekziston ende një emër që ngul këmbë të mos heshtë: Sali Berisha. Për disa është simbol i një epoke të lavdishme të tranzicionit shqiptar. Për të tjerët, një këmbanë që nuk pushon së paralajmëruari rrezikun nga shteti i kapur. Por për të gjithë ata që nuk janë të verbuar nga urrejtja servilizmi politik majtist, ai mbetet një mbartës i peshës më të rëndë në kohë jo të lehta: peshës së së vërtetës.

Berisha nuk është  një politikan “i vjetër” siç mundohen ta propagandojnë pa pushim ekranet opinionet proqeveritare e profane. Ai është një simbol rezistence në një sistem që kërkon të fshijë çdo gjurmë kujtese.

Ai mbetet pengesa e fundit mes qytetarit të lirë dhe shtetit të propagandës. Dhe për këtë arsye, është i persekutuar, i sulmuar, izoluar, i anatemuar, por jo i heshtur. Dosja “Partizani”, “Non Grata”-t, sulmet e orkestruara nga media të blera dhe drejtësia e komanduar, janë veçse prova të alarmit që regjimi ka nga ai që nuk u nënshtrua asnjë padrejtësie.

Sepse Berisha, me të gjitha të metat dhe gabimet që ia interferojnë kundërshtarët e që megjithatë e bëjnë njerëzor, nuk ka tradhtuar kurrë të vërtetën e tij dhe jo vetëm të tij. Dhe kjo është më shumë se ç’mund të thuhet për të gjithë ata që heshtin sot përballë padrejtësive.

Çështja ndaj tij, nuk është thjesht një çështje gjyqësore. Është një përndjekje politike. Është një investim kriminal për ta kufizuar politikisht një njeri që përfaqëson kërcënimin më të madh për një pushtet të ngritur mbi krimin, korrupsionin dhe konspiracionin e heshtjes.

Ndaj, në një kohë kur shumë zgjedhin të pajtohen me mashtrimin e prekshëm, Berisha zgjedh të mos e lejojë të vërtetën të vdesë. Dhe kjo është arsyeja pse ai luftohet pa pushim dhe me çdo mjet, jo për atë që ka qenë, por për atë që ende përfaqëson.

Berisha është ndoshta ndër të rralla figura publike që e mbart emrin e vet jo si barrë, por si betim. Ai nuk e ka braktisur kurrë terrenin e betejës politike, edhe kur i kanë mbyllur dyert e medias, sallat e parlamentit apo dyert e gjykatave.

Përballë një sistemi që kërkon harresë, ai është kujtesa. Dhe kujtesa është e rrezikshme për pushtetin që jeton me paranojën ndaj së vertetës. Dhe pikërisht sepse nuk u dorëzua, sepse nuk e negocioi të vërtetën, Sali Berisha është sot më shumë se një individ. Ai është simboli i qëndresës dhe emri që mbron të vërtetën. Të mos harrojmë që e vërteta nuk harron”.

Advertisement