Shkrime
Baton Haxhiu: Gjykatat që e matin drejtësinë me frikë

Nga Baton Haxhiu
Gerta Zaimi, mikja ime dhe kryeredaktorja e Klanweb, më kujtoi qartë dje se në Itali nuk pati asnjë pakt mes drejtësisë dhe politikës. Ajo e njeh shumë mirë drejtësinë dhe përplasjen e drejtësisë me politikën italiane.
Përkundrazi, më bindte ajo, ishte drejtësia ajo që ndërhyri fuqishëm kur klasa politike u gangrenizua në batakun e korrupsionit. Ishte ajo që e zëvendësoi atë klasë, duke i hapur rrugë Republikës së Dytë. Dhe beteja mes drejtësisë dhe politikës vazhdon ende sot, sepse politika pa kufizim gjyqësor kalon çdo kufi.
Rasti italian, me tha ajo, nuk është shembull i ekuilibrit, por i përplasjes. Jo i stabilitetit, por i ndërhyrjes që e shpëton demokracinë në momentin që politika dështon. Edhe pse e kisha menduar ndryshe.
Mendova se ajo që po ndodh në Shqipëri i ngjan Italisë së viteve të ‘80. Por jo!
Gerta më argumentoi ndryshe.
Në Shqipëri, në vend që drejtësia të përplaset me politikën, ajo duket se përpiqet të mbijetojë brenda saj. Të gjithë prisnin që pas lirimit me kusht të dhëndrit të Sali Berishës, Jamarbër Malltezi dhe më pas atij të Ervin Salianjit (edhe pse ky i dënuar, por i liruar para kohe sikur ka një pishman për 365 ditët e dhëna në burg), të vinte radha e tretë: Erion Veliaj.
Peshorja ishte gati. Simetria ishte ndërtuar.
Por ndodhi e papritura: Veliaj mbetet në arrest. Dhe pikërisht kjo, që në pamje të parë mund të duket si provë se drejtësia nuk është selektive, në fakt është një veprim i llogaritur me kujdes për të shpëtuar perceptimin, jo drejtësinë. Gjykata vendosi ta mbajë një brenda për të ruajtur fytyrën. Dy u liruan për t’u dhënë oksigjen atyre që duhej të frymojnë sërish politikisht. I treti u mbajt për të mos shpërthyer skema e simulimit.
Në këtë sistem, drejtësia nuk është më as arbitër, as ndëshkuese. Është një administrator i krizës së balancës. Vepron jo sipas peshës së fajit, por sipas peshës së momentit. Nëse do të liroheshin të tre, ajo do të binte në përçmim total. Nëse nuk lirohej askush, ndoshta do të shkaktonte krisje. Zgjidhja është e thjeshtë: dy liri, një arrest. Drejtësia si shenjë që “s’jemi as nën urdhër, as të verbër”.
Por në të vërtetë, asgjë s’ka të bëjë me ligjin. Ka të bëjë me mbijetesën e një iluzioni. Dhe në këtë iluzion, drejtësia është bërë pjesë e skenarit, jo më forca që e ndërpret atë.
Në qendër të kësaj drame qëndron figura e Sali Berishës. Ai nuk është më në arrest. Është deputet. Në proces. Në foltore. Në krye të një partie që e ka kthyer ndjekjen penale në kapital politik. Ai nuk është më thjesht subjekt i drejtësisë, por dëshmi që në këtë vend mund të jesh i akuzuar, i konsumuar moralisht dhe prapëseprapë të mbetesh në qendër.
Ai është simbol i asaj që drejtësia nuk guxon ta përfundojë. Sepse ta mbyllësh njëherë e mirë me Berishën do të thotë të mbyllësh një epokë. Dhe sistemi nuk është gati të ndahet prej saj. Prandaj të tjerët rreth tij lirohen. Njëlloj si për të ulur tensionin. Për ta shpërndarë barrën. Për ta bërë më të pranueshme praninë e tij në politikë edhe kur drejtësia është ende formalisht mbi të.
Nuk është më çështje morali. Është çështje funksioni. Berisha rri aty për të dëshmuar që një njeri në proces me dyshime të rënda mund të vazhdojë të funksionojë si udhëheqës. Që drejtësia nuk e rrëzon më askënd. Dhe se ajo mund të bëhet pjesë e një jete politike pa ndonjë ndëshkim real. Prandaj figura e tij është e domosdoshme për sistemin. Sepse ai është fytyra e pushtetit që nuk bie kurrë vetëm transformohet.
Në fund, vendimi për të mos liruar Veliajn nuk është kthesë drejt ndëshkimit, por pjesë e të njëjtit ekuacion: të lirohen dy që të mos shpërthejë akumulimi dhe të mbahet një që publiku të mos humbasë besimin krejtësisht. Është drejtësia që nuk ndan fajin nga pafajësia, por e shpërndan fajin në mënyrë të tillë, që të gjithë të duken pak të pafajshëm. Dhe asnjëri të mos duket plotësisht i pastër.
Deri më tani, ky nuk është ende vend ku drejtësia ndëshkon fajtorin e një sistemi të bllokuar politik. Është një vend ku ajo po i liron ata, për të mos gjykuar asnjë deri në fund. Dhe nëse një ditë nuk do të besojmë më serish te ajo, pas shkëndijave të entuziazmit, nuk është sepse nuk i njohim procedurat.
Por sepse po na bën të besojmë që ajo nuk është me institucion i së vërtetës, sa pjesë e një skeme fajtore që mban gjallë gënjeshtrën.

