Kosova
Vuçiç: Nuk kemi ndërmend ta sulmojmë Kosovën, Vjosa Osmani të konsultohet me ndonjë mjek

Ditë më parë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, personalisht, ka ndaluar javëve të fundit një mësymje të Serbisë drejt Kosovës. I pyetur për këto deklarata, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për luftë, por vetëm për punët e saj të brendshme.
“Nuk e kemi urdhëruar asnjë ushtar, nuk kemi vënë në lëvizje asnjë makinë, nuk na bie në mend për ndonjë gjë të tillë. Ne duam të punojmë, të ndërtojmë. Ata që flasin vazhdimisht për luftëra, duket se kanë ndonjë ndjenjë faji dhe e kuptoj plotësisht përpjekjen e tyre për të gjetur ndonjë fajtor tjetër. Ne nuk kemi nevojë për këtë, ne merremi me punët tona”, ka thënë ai në një prononcim për mediat serbe.
Për deklaratat të tillë, sipas Vuçiç-it, duhet të konsultohen mjekët.
“Unë nuk jam doktor, për deklarata të tilla duhen personel mjekësor, jo politikanë për të mohuar diçka. A mendoni me të vërtetë se mund të kaloni pa u vënë re nga amerikanët, kinezët apo të tjerët se çfarë po ndodh?”, ka shtuar ai.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka konfirmuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, personalisht, ka ndaluar javëve të fundit një mësymje të Serbisë drejt Kosovës.
Ndonëse nuk dha shumë detaje, Osmani, gjatë një ligjërate në Uashington, tha se këto informacione për mundësinë e një mësymje nga ana e Serbisë ishin të qarta edhe në raportet e përditshme të institucioneve të sigurisë së vendit.
“Ai është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit; nuk po flet për Marrëveshjen e Uashingtonit të vitit 2020, e cila gjithashtu është një kontribut i presidentit Trump, dhe as për sulmin në Banjskë, aktin e agresionit të vitit 2023”, tha Osmani fillimisht.
“Ai është shumë i qartë në atë që thotë – për ne që i lexojmë përditë raportet tona të sigurisë, dhe nuk na lejohet të themi më shumë, është e qartë nga deklaratat e presidentit Trump se ai po jep një kontribut të jashtëzakonshëm në ndalimin e destabilizimit të rajonit tonë, në javët e fundit”, shtoi ajo.
Trump, javëve të fundit, në disa deklarata të tij, ka përmendur raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke pretenduar se administrata e tij ka “zgjidhur” tensionet mes dy vendeve.
Duke folur për ambiciet territoriale të presidentit rus, Vladimir Putin, ai ka deklaruar se gjatë javës së fundit ka zgjidhur disa prej konflikteve ndërkombëtare, përfshirë kontestin mes Kosovës dhe Serbisë. “Në javët e fundit, ne u morëm me Indinë dhe Pakistanin, Kosovën dhe Serbinë. Pastaj do të merremi me Kongon dhe Ruandën”.
E kur është pyetur pse nuk ka arritur ta përfundojë luftën midis Rusisë dhe Ukrainës, presidenti Trump ka nënvizuar se situata është shumë komplekse. Në këtë kontekst, ai ka përmendur disa konflikte që SHBA-ja ka arritur t’i ndalojë, duke shtuar: “E ndaluam Serbinë, e cila do t’ia mësynte” – pa dhënë detaje se për çfarë mësymje bëhej fjalë.

