Politike
Lapaj shkresë KQZ: Revokimet e dorëheqjeve janë të pavlevfshme juridikisht, mandati më takon mua!

Adriatik Lapaj i është drejtuar ditën e sotme me një shkresë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ku i kërkon pavlefshmërinë e revokimeve të dorëheqjeve nga mandati i deputetit, të kandidatëve që ndodheshin në listën e mbyllur të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet” në Qarkun Tiranë për zgjedhjet e 11 majit.
Në shkresë thuhet se ata kanë dhënë dorëheqjen para numërimit dhe sipas tij, kjo është një dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.
Sipas Lapajt, çdo ndryshim i mëvonshëm i qëndrimit nga ana e këtyre kandidatëve është i pavlefshëm në aspektin juridik dhe nuk prodhon pasoja, pasi vlefshmërinë e ka vetëm akti i parë dorëheqja nga kandidimi.
Më tej thuhet se jemi në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati dhe kërkojnë që mandati i vetëm i deputetit t’i kalojë listës së hapur, ku më i votuari është Adriatik Lapaj.
“Nisma “Shqipëria Bëhet”, me Vendimin nr. 237, datë 04.03.2025, është regjistruar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si koalicion për zgjedhjet parlamentare të datës 11 maj 2025, me z. Adriatik Lapaj në cilësinë e drejtuesit të koalicionit.
Ky koalicion ka marrë 16,520 vota në Qarkun Tiranë, duke fituar një (1) mandat përfaqësimi. Ju bëjmë me dije se kandidatët e listës së mbyllur për këtë qark kanë paraqitur dorëheqjen nga kandidimi, përpara nisjes së procesit të numërimit të votave. Kjo është një dorëheqje nga kandidimi, jo nga mandati, pasi mandati në këtë fazë nuk ekzistonte ende dhe nuk mund të heqësh dorë nga një ngjarje e së ardhmes.
Çdo ndryshim i mëvonshëm i qëndrimit nga ana e këtyre kandidatëve është i pavlefshëm në aspektin juridik dhe nuk prodhon pasoja, pasi vlefshmërinë e ka vetëm akti i parë dorëheqja nga kandidimi.
Në kuptimin juridik, dorëheqja sjell pasoja të menjëhershme në momentin e paraqitjes së saj. Në kontekstin elektoral, dorëheqja nga kandidimi është një akt përfundimtar dhe i pakthyeshëm, që përjashton kandidatin nga çdo e drejtë për të marrë mandat. Duke u tërhequr nga kandidimi, ata nuk kanë qenë më subjekt garues për zgjedhjet e 11 majit 2025. Në këtë mënyrë, e kanë përjashtuar veten nga lista zgjedhore, dhe veprimi i tyre nuk mund të zhbëhet më pas me asnjë deklaratë të mëvonshme, pasi nuk kanë qenë më pjesë e garës zgjedhore.
Në kushtet kur kemi të bëjmë me një heqje dorë nga kandidimi dhe jo me dorëheqje nga mandati, ligji kërkon që mandati të kalojë tek kandidati pasues në listë, në përputhje me rregullat për zëvendësimin e mandateve. Për këtë arsye, kërkojmë që të procedohet me shpërndarjen e mandatit të fituar në Qarkun Tiranë, sipas listës përkatëse të hapur.” – thuhet në shkresën e firmosur nga avokatja e “Shqipëria Bëhet”, Doriana Prethi.
Kjo shkresë vjen vetëm një ditë pasi Adriatik Lapaj dhe Endri Shabani u përfshinë në replika të ashpra në distancë, duke hedhur akuza të ndërsjellta ndaj njëri-tjetrit. Kjo ndodhi për shkak se daja i Shabanit, Zeqir Kordhoni i ndodhur në listën e mbyllur kërkon të marrë mandatin e koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Ndërkohë sot, edhe kandidatja Kleana Xhuveli, e renditur e katërta në listën e mbyllur të këtij koalicioni në Tiranë, i është drejtuar me një shkresë KQZ-së, ku i kërkon që të revokojë dorëheqjen e dorëzuar para 11 Majit.

