Connect with us

Bota

Analiza: A mund t’i detyrojë Kremlini rusët që të mos e përdorin YouTube-in?

Për vite, rregullatorët rusë të teknologjisë i kanë kërcëlluar dhëmbët për ta pasur në duar platformën për video YouTube, e cila shërben si burim i lajmeve të pacensuruara, informacionit dhe argëtimit – pa përmendur se është edhe burim i madh i të hyrave për shumë influencerë dhe blogerë rusë.

Autoritetet e kanë frenuar këtë platformë në pronësi të gjigantit Google, duke tentuar t’i zemërojnë rusët përmes ngadalësimit në masë të madhe të shpejtësisë së videove.

Ata e kanë kërcënuar platformën duke kërkuar që serverët të vendosen brenda Rusisë, në mënyrë që rregullatorët ta monitorojnë më mirë trafikun. Mes tjerash, ata kanë tentuar të krijojnë edhe alternativa tjera që do të ishin të kontrolluara krejtësisht nga duart e rregullatorëve.

Si është situata tani?

Qeveria ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap drastik, mirëpo mund të ndodhë shpejt, pasi ka vite që qarkullon një fushatë e përkrahur nga Kremlini për të ndërtuar “internetin e menaxhuar nga vetë rusët”, që nënkupton se rusët vetëm do të jetojnë me iluzionin se kanë mundësi të pakufishme të zgjedhjeve, të informacionit të pakufizuar, por ndërkohë janë të monitoruar nga afër për ndonjë shkelje.

Javën e kaluar, zyrtarët rusë kanë sinjalizuar se synojnë bllokimin e platformës për mesazhe private, WhatsApp, e kontrolluar nga gjiganti Meta.

“YouTube ka përhapje masive në Rusi”, ka thënë Philipp Dietrich, hulumtues dhe ekspert për internetin në Rusi në Këshillin gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

“Është kërcënim masiv për Qeverinë”, ka thënë ai në një intervistë.

“Kjo është arsyeja e parë, 100 për qind, dhe natyrisht, nëse arrini të menaxhoni një platformë që mund ta kontrolloni se cilat video të bëhen virale dhe cilat jo, kjo natyrisht se është përparësi e madhe”.

“Lojtarët kryesorë”

Miliona rusë janë vazhdimisht aktivë në platformat e videove. YouTube është më e popullarizuara, dhe trendi ka qenë në rritje prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.  Para vdekjes së tij, Aleksei Navalny – figurë opozitare kundër korrupsionit – pati publikuar një mori hulumtimesh, duke fituar miliona klikime vetëm brenda Rusisë. Më shumë se 10 milionë njerëz brenda dhe jashtë Rusisë janë abonuar në kanalin e tij në YouTube.

Sipas një hulumtimi të tregut, të kryer nga Mediascope, 95.9 milionë adoleshentë rusë dhe të rinj e kanë vizituar YouTube-in në baza mujore në gjysmën e dytë të vitit 2024.  Ky numër ka rënë në gjysmën e parë të vitit 2025, pasi rregullatorët kanë nisur t’i ngadalësojnë shërbimet. Të paktën pesë platforma për video janë bërë publike në internetin rus – të njohur gjerësisht si RuNet – si konkurrente eventuale ndaj YouTube-it.

VK Video, platformë për video e ndërtuar nga VK – platforma ekuivalente me Facebookun në Rusi – është mbrapa me shikueshmëri, ndonëse gradualisht e ka rritur audiencën. Në mesin e platformave tjera janë Rutube nën pronësi të Gazpromit, dhe Video Ok, një tjetër platformë e ngjashme me Facebook-un, që është në pronësi të kompanisë VK.

Kompania amë e rrjetit televiziv shtetëror, që dikur është njohur si Russia Today, ka investuar në një rrjet të quajtur Platform, dhe e ka lansuar atë në qershor të vitit 2024. Sipas të gjitha matjeve, ajo nuk ka funksionuar, pasi klikimet ditore shkojnë në vetëm dhjetëra mijëra.

Materialet më të popullarizuara janë ato pirate, sipas Systemas, njësitit hulumtues në Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë. Muajin e kaluar, zhvilluesit e rrjetit Platform kanë bërë të ditur se do ta “ristrukturojnë” shërbimin.

“Është qartazi përpjekje për të krijuar një shërbim si ‘biznes’ me synimin kryesor të bllokimit të konkurrentit kryesor: YouTube-it”, ka thënë Mikhail Klimarev, bloger rus dhe drejtor i Shoqërisë për Mbrojtje të Internetit, grup avokues.

“Është e qartë që po alokohen para prej buxhetit shtetëror, jo nga investitorët privatë. Është një tjetër lloj vjedhjeje”.

Momentalisht, VK Video është alternativa më reale ndaj YouTube-it, ka thënë Dietrich, sipas së cilit ka rrezik edhe ta zëvendësojë tërësisht.

“Mendoj që alternativa e vetme e madhe është VK Video. Aty janë lojtarët kryesorë. Kanë para. Ata mbështeten nga Qeveria dhe do të investohen plotësisht në të”, ka thënë ai.

“Ata i kanë serverët, infrastrukturën, kanë softuerë të mirë, kanë inxhinierë të mirë, nëse paratë nuk përfundojnë në korrupsion, nëse shkojnë aty ku duhet të shkojnë, VK do të jetë shembull suksesi”.

Mbështetja qeveritare vjen në formën e aksionarëve kontrollues të VK-së dhe drejtuesve të saj të lartë. SOGAZ, kompania e sigurimit që kontrollohet nga besniku i Putinit, Yuri Kovalchuk, është njëri prej aksionarëve më të mëdhenj, bashkë me Gazprom Media, që është krah medial i gjigantit shtetëror të gazit natyror, Gazprom.

Gazprom Media e zotëron Rutube, që shpesh përdoret nga Kremlini për të prodhuar dhe publikuar video zyrtare. Shefi ekzekutiv i VK-së është Vladimir Kiriyenko, babai i të cilit është shef i politikës së brendshme të Kremlinit. Nipi i madh i Kovalchukut, Stepani, ka qenë nënpresident i VK-së, dhe ndihmon në zhvillimin e VK Video, mes tjerash. Tani për tani, problem kryesor me VK Video është kredibiliteti me numrat e audiencës, ka thënë Dietrich.

“Nuk ka një mënyrë reale për të vërtetuar nëse shifrat që shohim: pëlqime, shpërndarje, klikime, janë të vërteta apo të kurdisura”.

Pengesa e radhës

Përpjekjet e autoriteteve ruse për të ashpërsuar qasjen në internet datojnë prej fundit të viteve ‘90, me zhvillimin e Sistemit për Aktiviteteve të Kërkimeve Operative – një vegël thelbësore për vëzhgim në internet. Përgjatë viteve, autoritetet kanë miratuar një mori ligjesh, duke rritur mbikëqyrjen mbi kompani të internetit dhe duke zgjeruar autoritetin e agjencisë për çështje të kësaj natyre Roskomnadzor.

Ato e kanë konsoliduar kontrollin edhe mbi gjigantët e brendshëm teknologjikë – Yandex, VK, Mail.ru, Wildberries. Të gjitha janë në pronësi të njerëzve të afërt me Kremlinin. Në Rusi është ndaluar edhe përdorimi i rrjeteve private (VPN) të cilat iu mundësojnë njerëzve të lexojnë apo shikojnë një përmbajtje pa e marrë vëmendjen e autoriteteve.

Ligjvënësit tani po tentojnë ta bëjnë vepër penale edhe kërkimin për ndonjë rrjet të tillë. Në një takim të mbajtur në Kremlin në mars, presidenti rus, Vladimir Putin ka kërkuar që zyrtarët të heqin dorë nga kompanitë e huaja teknologjike, sikurse Microsoft apo Zoom.

“Duhet t’i ndalni, është kaq e thjeshtë. Pajtohem plotësisht”, ka thënë Putin.

“Mendoj se janë në drejtim të modeleve të Kinës, jo të Koresë së Veriut”, vlerëson Dietrich.

“Njerëzit mendojnë se do të ketë ndërprerje të plotë. Kjo nuk është e mundshme pasi do të shkatërrohej ekonomia”.

Përveç tentimeve për t’i mbajtur rusët larg YouTube-it, autoritetet kanë çuar përpara idenë e një “super aplikacioni” – që do t’iu mundësonte rusëve të bënin shumë gjëra: bisedë, operacione bankare, porositje të një taksie, pagesë për taksa, shkarkim muzike, kalim kohe në video-lojëra, porositje të ushqimit, shpërndarje fotografish.

E krijuar nga VK, aplikacioni quhet Max, dhe testimet për të janë kryer në mars. Muajin e kaluar, Putin ka thënë se të gjitha shërbimet qeveritare do të transferohen në Max.

“Ajo se çfarë duhet të bëni si qeveri është që të dilni me ide, se si t’i bëni njerëzit që të përdorin këtë gjë, pa i obliguar”, ka thënë Dietrich.

“Mënyra se si arrihet kjo është duke e bërë atë produkt të domosdoshëm në komunitet, teoria se me këtë aplikacion mund të bësh gjithçka”, ka thënë ai.

Autoritetet madje as nuk e fshehin se tentojnë t’i largojnë njerëzit nga aplikacionet e popullarizuara për mesazhe, Telegrami apo WhatsAppi – ky i dyti është më i popullarizuari për media në Rusi, sipas Mediascope.

“Ideja që rusët të detyrohen të imigrojnë nga platformat familjare që i kanë përdorur për dekada dhe u besojnë, në një aplikacion tërësisht të pasigurt, Max, është diçka e vështirë”, ka thënë Sarkis Darbinyan, aktivist i mirënjohur për çështje të internetit rus, në disa përgjigje për televizionin Current Time.

“Prandaj, me duket se skenari i njëjtë na pret edhe për YouTube-un. Kjo rritje e madhe e popullaritetit të VK Video ka nisur në kohën e njëjtë kur kanë nisur kufizimet ndaj YouTube-it, pavarësisht se këtë nuk e pranojnë autoritetet ruse”, ka thënë ai./REL

Advertisement