Rajon
Përgjaket Beogradi/ Sherri i tifozëve kthehet në masakër, 1 viktimë dhe 5 të plagosur

Një ngjarje e rëndë kriminale ka tronditur lagjen Višnjicka Banja në Beograd këtë pasdite, ku sipas dyshimeve një sherr tifozësh është kthyer në tragjedi. Rreth orës 14:25, persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në një lokal përgjatë rrugës Slanaçki Put dhe kanë hapur zjarr ndaj të pranishmëve.
Nga breshëria e plumbave një grua ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa disa persona të tjerë janë plagosur dhe janë transportuar me urgjencë drejt spitalit. Mediat raportojnë se lokali ishte i njohur si vend frekuentimi i tifozëve sportivë dhe brenda tij ndodhej edhe një hapësirë e dedikuar për fëmijë. Sipas raportimeve të mediave serbe asnjë nga të lënduarit nuk kishte lidhje me ngjarjen Ende nuk dihet nëse në momentin e sulmit kishte të mitur brenda, por dëshmitarë okularë tregojnë se jashtë lokalit, pranë stacionit të autobusit, ndodhej një grup i madh fëmijësh që u shpërndanë me panik pas të shtënave.
Banorët e zonës thonë se nuk janë të habitur nga kjo ngjarje, pasi prej kohësh kishin paralajmëruar autoritetet për problematikat e shkaktuara nga grupime të dhunshme tifozësh.
“Për ne është tronditëse, por jo e papritur – sepse këto grupe prej kohësh po krijojnë probleme serioze”, janë shprehur banorët e zonës për mediat vendase.
Sipas Urgjencës së Beogradit, në spital janë pranuar pesë të plagosur, njëri prej të cilëve ndodhet në gjendje kritike për jetën dhe është futur menjëherë në sallën e operacionit. Të tjerët po trajtohen në reanimacion dhe po i nënshtrohen ndërhyrjeve mjekësore intensive.
Ndërkohë, policia ka aktivizuar planin operacional “Vorbulla 3”, ka rrethuar zonën me forca të shumta dhe dy ambulanca kanë transportuar të plagosurit drejt Qendrës së Urgjencës. Hetimet janë në vijim, ndërsa një nga pistat kryesore të hetimit është se ngjarja lidhet me një sherr mes tifozësh.

