Kosova
“E goditën me gotë në kokë”/ Dhunohet zv.ministri i Financave të Kosovës
Kreu i Lëvizjes VetëVendozje në Skënderaj, Husni Mehani ka denoncuar se është dhunuar nga kryetari i Komunës të Skënderajt, Sami Lushtaku, pjesë e PDK-së. Hysni Mehani është kryetar i LVV-së në Skenderaj dhe zëvendësministër në detyrë i Financave.
Lajmin ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e mikut të tij Bahri Zabeli, pasi thotë se ia kanë marrë celularin. “Te dashur miq jam sulmuar nga Sami Lushtaku dhe banda e tij. Telefonin personal ma kanë marrë. Lus policinë të mbroj familjen time dhe ftoj familjrët për përmbajtje. Hysni Mehani”, ka shkruar ai.
Më vonë është bërë edhe një reagim nga Lëvizja Vetëvendosje, pak minuta më parë në “Facebook”, e cila ka njoftuar se Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor.
“Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda”, shkruhet ndër të tjera në reagim.
Reagimi i plotë:
Sot, në kafeterinë “Solo” në qendër të Skenderajt, është sulmuar brutalisht nga Kryetari i Komunës së Skënderajt Sami Lushtaku dhe truprojat e tij, zëvendësministri i Ministrisë së Financave, kandidati për deputet dhe Kryetari i Qendrës së LVV-së në Skënderaj, Hysni Mehani. Ky sulm fizik ndodhi në kohën kur z. Mehani ishte duke pirë kafe me deputeten Arjeta Fejza dhe aktivistë të LVV-së.
Fillimisht, Hysni Mehani është goditur me grusht, ndërsa më pas edhe me gotë në kokë. Pas përpjekjes së Sekretari të Qendrës, Bahri Zabeli për të parandaluar përshkallëzimin është sulmuar dhunshëm nga shoqëruesit e Sami Lushtakut edhe ai duke pësuar goditje të rënda. Hysni Mehani aktualisht është duke marrë trajtim mjekësor.
Ky sulm fizik bandistesk tregon qartë për se këta njerëz nuk e kanë vendin në udhëheqje të institucione publike qendrore e lokale. Kërkojmë nga organet kompetente të trajtojnë rastin me urgjencë dhe ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore ndaj përgjegjësve. Po ashtu, kërkojmë nga Partia Demokratike e Kosovës dënimin e këtij akti.
Lëvizja VETËVENDOSJE! dënon ashpër këtë sulm fizik, por njëkohësisht u tregon gjithë këtyre se nuk mund ta trembin as ta frikësojnë asnjë aktivistë të Lëvizjes VETËVENDOSJE! e qytetar të Republikës.