Politike
Balla përplaset me Redi Muçin: Ti je ndër më të pasurit këtu, ke ndërtuar edhe pa leje
Protestat e qytetarëve janë bërë kryefjala e diskutimeve sot në seancën plenare në Kuvend.
Deputeti Redi Muçi, i Lëvizjes Bashkë, iu drejtua ministrit të Mjedisit duke i thënë se është mirë që të japë dorëheqjen, e nga ana tjetër ka përmendur Taulant Ballën dhe Ardit Bidon, duke i thënë Sofjan Jaupajt se ky i fundit nuk duhet të bëhet si ata të dy.
E menjëherë më pas, ka replikuar Balla dhe Bido.
Muçi: Kjo që po ndodh në Zvërnec e dimë që nuk është përgjegjësia jote, vendos sulltani, por ti ke zgjedhur t’i vësh fytyrën dhe ndaj merremi me ty. E kuptoj që e bën për karrierë, por të ftoj të kuptosh momentin në të cilin ndodhemi. Nuk të bën nder t’i vësh fytyrën këtij momenti. Po të isha në vendin tënd do jepja dorëheqjen. S’do bëja si fëmijë që qurravitet siç bënte Taulanti që nuk po kërkon motër, por kërkon të bëhet i rëndësishëm. Është mësuar të tallet me foltoret, ndaj tani në shesh ka qindra mijëra protestues. Taulant ndoshta sheh ëndrra me sy hapur se është i rëndësishëm, ose ndoshta e ka për konsum të brendshëm. Ndaj, Sofjan të ftoj të mos bësh si Taulanti, as si shoku Bido, që paska zbuluar dy veta që qënkan në shërbim të Fredi Belerit te protesta.
Balla: Unë kam pasur një rregull që me deputetët e rinj nuk bëj replikë, por një gjë nuk e pranoj, ti djalë je një pasanik i madh. Ndër më të pasurit këtu. Sepse vjen nga një familje që ka ndërtuar aq shumë në Tiranë, madje je nga ata që ke ndërtuar dhe pa leje. Vjen këtu jo si përfaqësues i shoqatës së ndërtuesve. Ia ke marrë shpirtin parqeve, vjen si zëdhënës i shoqatës së ndërtuesve, ndërkohë nuk të kam pasur në radar, por prej sot do të të fus dhe t’ua tregoj shqiptarëve kush je… Marksi mund të ketë qenë filozof i mirë, por teoritë e tij politike kanë vdekur bashkë me të. Ti shkon atje dhe gënjejnë ata dhe u thua që vjen në parlament për të mbrojtur mjedisin, ti je nga ata që mjedisit i ke marrë shpirtin.
Bido: Sot kur po flisja për Marksin dhe Smithin, pashë që patjetër që unë gjykoj se zoti Muçi ishte Marksi, patjetër kryetari Peleshi gjykoi se zoti Muçi ishte Marksi, ajo që përfaqëson pra bindjen dhe ideologjinë e Marksit, por vetë zoti Muçi ishte ai që kërkoi replikë në emër të Marksit, këtu është problemi.
Problemi është që jeni dy fytyrësh, në kuptimin e qëndrimeve sipas interesit të radhës dhe kjo quhet mungesë bindjesh dhe quhet populizëm. Sa për termin që thatë qafë më qafë. Unë kam pasur dy prindër të nderuar të cilët më lanë shumë gjëra në jetë, parimet, bindjet, idetë dhe kokëfortësinë, dëshirën për arsim, dëshirën për të lexuar dhe më lanë dhe diçka tjetër, më lanë raportin tim me paranë, që nuk më intereson shumë paraja, nuk më intereson shumë paraja, nuk më intereson shumë paraja.
Qafë më qafë unë s’kam qenë kurrë se jam njeri bindjesh. Qafa nga ju keni kaluar me ato kostume të shtrenjta dhe qafa ku jeni sot me bindje të kundërta nga ato që përfaqësoni është dyfytyrësia juaj.