Connect with us

Bota

Zorrë derri dhe përplasje fizike në seancën e fundit parlamentare (VIDEO)

Më shumë sesa një diskutim për lehtësimin e importit të mishit të derrit, seanca e fundit parlamentare është shndërruar në një përplasje mes palëve.

Deputetët e opozitës në Tajvan u hodhën kolegëve të tyre të mazhorancës zorrë derri dhe u përplasën edhe fizikisht me ta.

Debati nisi pasi opozita kundërshtoi vendimin e qeverisë për të lejuar importin e mishit të derrit nga SHBA.

Sipas saj, ky mish përmban raktopaminë, një lëndë e ndaluar në Tajvan dhe Bashkimin Europian pasi rrezikon shëndetin.

Partia në pushtet i mohon akuzat dhe ka bërë thirrje që të bëhet debat racional, por përplasje e dhunshme në parlamentin tajvanez nuk janë një gjë e re.

Bota

Sondazhi: Mbi 50% e amerikanëve nuk kanë besim tek media për mbulimin e zgjedhjeve

Edhe pse shumë amerikanë thonë se informacionet mbi fushatën zgjedhore të vitit 2024 e marrin nga mediat kombëtare, një sondazh shqetësues zbulon disa probleme serioze që lidhen me besimin ndaj shtypit.

Rreth gjysma e amerikanëve, 53%, thonë se janë jashtëzakonisht, ose shumë të shqetësuar, se organizatat e lajmeve do të raportojnë pasaktësi, ose dezinformata gjatë zgjedhjeve. Rreth 42% shprehin shqetësimin se mediat mund të përdorin inteligjencën artificiale për të shkruar lajmet. Anketa u krye gjatë muajit mars nga Instituti Amerikan i Shtypit, agjencia e lajmeve “Associated Press” si dhe Qendra Kërkimore “NORC” mbi Çështje Publike.

Sondazhi zbulon se 47% e amerikanëve shprehnin shqetësim serioz se organet mediatike do të raportonin mbi lajme që nuk janë konfirmuar ose verifikuar dhe 44% shqetësohen se informacioni i saktë do të paraqitet në një mënyrë të tillë, që favorizon njërën ose tjetrën palë.

Gjysma e amerikanëve thonë se lajmeve për zgjedhjet, gjithmonë ose shpesh, i marrin nga mediat kombëtare, një përqindje që është më e lartë mes të anketuarve më të mëdhenj në moshë.

Niveli i angazhimit është i mirë“, thotë Michael Bolden, drejtor ekzekutiv i Institutit Amerikan të Shtypit. “Gjëja më shqetësuese është se publiku nuk është i sigurt nëse mund t’i besojë informacioneve që merr“, shton ai.

Dhe përgjegjës për situatën, thotë ai, janë dyshimet tashmë prej vitesh ndaj gazetarëve, që në pjesën dërrmuese janë ‘mbjellë’ nga politikanët.

Njerëzit gjithashtu dinë pak rreth mënyrës se si funksionon gazetaria. Sondazhi zbuloi se rreth gjysma e të anketuarve thonë se kanë të paktën një sasi të moderuar besimi tek informacioni që marrin nga mediat kombëtare, ose lokale, kur bëhet fjalë për zgjedhjet e vitit 2024, megjithëse vetëm rreth 1 në 10, thonë se kanë shumë besimin.

Mund të ketë qenë një kohë, kur njerëzit e njihnin gazetarin, sepse ai jetonte në lagjen e tyre”, tha zoti Bolden. “Mënyra se si industria është shkatërruar, bën që kjo ka shumë më pak gjasa të ndodhë“.

Ai thotë se ka një shkëputje në rritje mes organizatave të lajmeve dhe komuniteteve, një çështje që shtypi duhet ta trajtojë, duke ndihmuar njerëzit të dinë se çfarë bëjnë gazetarët e të kuptojnë se ata që raportojnë lajmet, janë miqtë dhe fqinjët e tyre.

Rreth gjysma e amerikane në moshë të rritur thonë se i ndjekin nga afër lajmet për zgjedhjet presidenciale, me ata në moshë edhe më të madhe, më të angazhuar. Rreth dy të tretat e amerikanëve të moshës 60 vjeç, ose më shumë, thonë se i ndjekinin me vëmendje lajmet mbi zgjedhjet presidenciale, krahasuar me rreth një të tretën e atyre nën moshën 30 vjeç.

E njëjta prirje vërehet me lajmet mbi zgjedhjet në nivel lokal dhe shtetëror. Ndërsa sondazhi zbuloi se 46% e amerikanëve të moshës 60 vjeç e lart thonë se i ndjekin nga afër lajmet rreth zgjedhjeve lokale dhe shtetërore, vetëm 16% e atyre në moshën 18 deri në 29 vjeç pohojnë të njëjtën gjë.

Po ndërsa ata rriten, a do të kenë interes për lajmet?“. “Nëse atyre nuk do t’u interesojë kjo gjë, çfarë do të thotë kjo për komunitetet lokale e shtetërore?”, pyet zoti Bolden.

Të rinjtë, ata nën moshën 30 vjeç, informohen mbi zgjedhjet nga mediat sociale, miqtë, ose familjarët, po aq sa edhe nga mediat kombëtare, ose lokale, sipas sondazhit.

Të rriturit afrikano-amerikanë, si dhe komuniteti amerikano-latin kanë disi më shumë gjasa të shprehin “shumë” besim në besueshmërinë e mediave sociale si burim lajmesh mbi zgjedhjet, krahasuar me amerikanët e bardhë.

Kjo gjë sipas zoti Bolton ka dy anë, në një anë shqetësimin se në mediat sociale ka shumë më tepër dezinformata, por nga ana tjetër përbën një mundësi për mediat tradicionale, që të bëjnë më shumë që raportimet e tyre të jenë të pranishme në këto platforma.

Rreth 6 në 10 demokratë thonë se informohen shpesh mbi zgjedhjet nga mediat kombëtare. Sipas sondazhit kjo vlen në rastin e 48% të republikanëve ose 34% të të pavarurve. Republikanët kanë më shumë gjasa se demokratët dhe të pavarurit të shprehin shqetësimin për informacione të pasakta ose dezinformata në mbulimin e lajmeve mbi zgjedhjet e pritshme. Rreth 6 në 10 republikanë janë të shqetësuar mbi këtë gjë, krahasuar me rreth gjysmën e demokratëve.

Përveç pasaktësive, shumë prej tyre kanë shprehur gjithashtu shqetësime serioze se lajmet zgjedhore përqendrohen shumë tek ndarjet, ose polemikat, ose tek rezultati, se kush mund t’i fitojë e kush mund t’i humbasë zgjedhjet, se kush dominon garën, në vend të problematikave, ose karakterit të kandidatëve.

Shumica e amerikanëve thonë se, në mënyrë që ata të marrin vendime të informuara mbi zgjedhjet shtetërore dhe lokale të vitit 2024, ata duan që mediat kombëtare dhe lokale të nxjerrin në pah vlerat e kandidatëve, ose pozicionet e tyre të ndryshme mbi çështjet kryesore sociale. Në secilin rast, rreth tre të katërtat e amerikanëve të rritur thonë se do të donin që “shumë” ose “disa”, nga këto tema të mbuloheshin nga organizatat mediatike.

Sondazhi, që përfshiu 2,468 individë në moshë madhore, u krye mes datave 21 dhe 25 mars. Marzhi i gabimit është plus-minus 2.9 për qind./Voa

Continue Reading

Bota

HORROR/ I riu rus i vë flakën vetes para zyrave të rekrutimit të ushtarëve ukrainas

I riu rus ia ka vënë zjarrin vetes në protestë ndaj rekrutimeve për luftën në Ukrainë, para zyrave të ushtrisë në Shën Petersburg, shkruajnë mediat e huaja.

24-vjeçari Ruslan Palitsyn u dërgua me urgjencë dje në spitalin e Dzhanelidze ku u njoftua se kishte pësuar 90 përqind djegie në trup dhe po mbahej në kujdes intensiv.

Zyrat e rekrutimit pranë së cilave ndodhi ngjarja, mbledhin ushtarë për të dërguar në luftën e Ukrainës por nuk është e qartë nëse Palitsyn ishte urdhëruar të paraqitej.

Ai kishte ardhur në Shën Petersburg qyteti tij i lindjes, Krasnoyarsk në Siberi.

Mediat vendase e përshkruanin atë si muzikant, kërcimtar e performues në rrjetet sociale. I riu ka kryer disa role filmike dhe në reklamat televizive.

Nuk dihen ende detajet e gjendjes shëndetsore pas aktit të protestës ekstreme, kundër dërgimit të të rinjve në luftën brutale të Ukrainës te udhëhequr nga Valdimir Putin.

Continue Reading

Bota

Dikur një aleat i Netanyahut, Trump paralajmëron se nuk do e përkrah ushtarakisht

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka refuzuar të përjashtojë mundësinë e ndalimit të ndihmës ushtarake për Izraelin për të detyruar përfundimin e luftës në Gaza, nëse ai rizgjidhet.

Në një intervistë me revistën Time të botuar të martën, Trump këmbënguli në qëndrimin e tij muajin e kaluar se Izraeli duhet të “përfundojë luftën” përpara se të humbasë më shumë mbështetje ndërkombëtare.

“Unë mendoj se Izraeli ka bërë një gjë shumë keq: marrëdhëniet me publikun,” tha Trump për gazetën, duke shtuar se ai mendon se ushtria izraelite nuk duhet “të shkrepë fotografi çdo natë të ndërtesave që bien dhe bombardohen”.

I pyetur nëse ai do të përjashtonte mbajtjen ose zbatimin e kushteve për ndihmën ushtarake të SHBA-së për Izraelin në mënyrë që ta çonte luftën në një përfundim, Trump u përgjigj “jo”, përpara se të niste një kritikë të ashpër ndaj Netanyahut.

Continue Reading

Bota

Marrëdhëniet e ndërlikuara të Turqisë me Izraelin dhe Hamasin. A synon Ankaraja të anashkalojë Iranin?

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan po rrit përpjekjet për të luajtur një rol më të spikatur në konfliktin në Gazë. Siç njofton nga Stambolli korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones, më 20 prill zoti Erdogan priti në një takim udhëheqësin politik të Hamasit, Ismail Haniyeh.

Takimi më i fundit mes Presidentit turk Rexhep Tajip Erdogan dhe udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh ishte një përpjekje për të shuar kritikat e brendshme në rritje mbi qëndrimin e tij të ndërlikuar ndaj luftës. Udhëheqësi turk ka ruajtur lidhjet tregtare me Izraelin ndërsa njëkohësisht dënon luftën e Izraelit ndaj Hamasit.

Për të bindur votuesit konservatorë se nuk ekziston një gjë e tillë siç është qasja hipokrite, Turqia mund të ofrohet si një vend kandidat potencial për të strehuar Hamasin, nëse Katari vendos t’i largojë nga vendi anëtarët e grupit”, thotë Selin Nasi, nga “London School of Economics”.

Turqia dëshiron të luajë një rol më të gjerë në zgjidhjen e konfliktit në Gazë. Vëzhguesit thonë se Ankaraja po sheh një mundësi për këtë tek njoftimet se Katari mund të dëbojë grupin e militantëve.

 

 

Në përpjekjen e tij për të rritur rolin e Turqisë si ndërmjetës në Gazë, zoti Erdogan ka rritur përpjekjet diplomatike me Egjiptin, duke pritur së fundmi ministrin e Jashtëm egjiptian Sameh Shoukry.

Marrëdhëniet mes Turqisë dhe Egjiptit janë ngrohur pas disa vitesh tensionesh dhe analistët thonë se ka vend për bashkëpunim.

Të dy vendet janë shumë aktivë në hapësirën retorike sa i përket keqardhjes së thellë të treguar për palestinezët në Gazë. Në të njëjtën kohë, ata ruajnë lidhjet e tyre tregtare, diplomatike dhe të sigurisë me Izraelin”, thotë Jalel Harchaoui e Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara në Londër.

Por analistët thonë se sulmet publike të presidentit Erdogan ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, kufizojnë mundësinë e Turqisë për të luajtur një rol ndërmjetësues mbi konfliktin.

Qeveria duhet të moderojë tonin e saj, duhet të përmirësojë dialogun me Izraelin, sepse ashtu siç është aktualisht, Turqia nuk perceptohet më si një palë e tretë e paanshme, që mund të luajë rolin e ndërmjetësit. Në vend që të mbështesë Hamasin, Turqia duhet të kalojë në një pozicion më të balancuar”, thotë Selin Nasi, e “London School of Economics”.

Presidenti Erdogan fajësoi këtë muaj Iranin dhe Izraelin për rritje të tensioneve, duke ndalur përkohësish qasjen që kritikonte vetëm Izraelin. Analistët thonë se lidhjet e ngushta të Turqisë me Hamasin mund t’i kundërvihen ndikimit të Iranit në grup.

Vëzhguesit i shohin raportet e presidentit Erdogan me Hamasin si faktorin që qëndron pas shtyrjes së një vizite të planifikuar në Uashington në muajin maj, për të cilin u tha se po nuk po ndodhte për çështje koordinimi.

Me skenat dramatike që po shohim në Gazë, Erdogani do të ishte ndjerë i detyruar ta vendoste atë në krye të axhendës së bisedimeve. Nuk mendoj se Shtëpia e Bardhë ndodhet në ato pozita, për të pritur një udhëheqës botëror që do të kritikonte para kamerave qëndrimin e Shteteve të Bashkuara për Gazën për shumë arsye, përfshirë vështirësitë e brendshme lidhur me këtë çështje”, thotë Asli Aydintasbas i Institutin “Brookings” në Uashington.

Por pavarësisht shtyrjes së vizitës së presidentit Erdogan, si Uashingtoni ashtu edhe Ankaraja, thonë se mbeten të përkushtuar ndaj bashkëpunimit në nivel të lartë.

Continue Reading

Bota

Rifillon gjyqi penal ndaj ish-presidentit Trump, çfarë pritet të ndodhë

Të martën rifillon gjyqi penal në Nju Jork ndaj ish-presidentit Donald Trump. Rikthehet në bankën e dëshmitarëve bankieri Gary Farro, i cili luajti rol për pagesën prej 130 mijë dollarësh ndaj një aktoreje të filmave pornografikë që pretendonte se kishte patur një natë romantike me ish-presidentin.

Zoti Farro, ish-drejtor në bankën ‘First Republic Bank’ në Nju Jork, përshkroi në përfundim të dëshmisë së tij javën e kaluar se si pati krijuar një llogari në tetor 2016 për Michael Cohen-in, ish-avokat dhe ndërmjetës politik për zotin Trump.

Zoti Cohen ka thënë se e ka përdorur atë llogari për të bërë pagesat për të fituar heshtjen e aktores Stormy Daniels, dy javë përpara zgjedhjeve të vitit 2016, dhe për t’u siguruar që ky informacion nuk do t’i bëhej i ditur votuesve.

Zoti Farro tha se zoti Cohen pati vënë si kolateral vlerën e shtëpisë së tij për të marrë fondet për llogarinë e re. Zoti Cohen ka thënë se e bëri këtë veprim pa ia bërë të ditur bashkëshortes së tij. Ai është dënuar tashmë për shkelje të ligjeve për financimin e fushatave zgjedhore me pagesat për zonjën Daniels dhe pritet të shërbejë si dëshmitari kryesor kundër ish-shefit të tij.

 

 

Pagesa për heshtjen është në epiqendër të akuzave në gjyqin e parë penal ndaj një ish-presidenti amerikan. Prokurorët e akuzojnë zotin Trump për falsifikimin e 34 dokumenteve të biznesit në kompaninë e tij të pronave të patundshme, ‘Trump Organization’, për të fshehur rimbursimin e fondeve që zoti Cohen i pagoi zonjës Daniels që ajo të mos fliste. Ish-presidenti Trump thotë se pagesat ishin për shërbime ligjore të kryera nga zoti Cohen.

Zoti Trump i mohon pretendimet e zonjës Daniels se ata patën marrëdhënie seksuale gjatë një turneu golfi rreth një dekadë përpara zgjedhjeve të vitit 2016.

Donald Trump është tashmë kandidati i pritshëm për president i Partisë Republikane për zgjedhjet e këtij viti. Ai përballet gjithashtu me tre padi të tjera gjyqësore. Në dy prej tyre ai akuzohet se u përpoq të përmbyste rezultatin e zgjedhjeve që i humbi ndaj rivalit Joe Biden katër vjet më parë. Zoti Trump i ka mohuar të gjitha akuzat.

Për shkak të sfidave ligjore të ngritura nga avokatët e tij ndaj tre padive të tjera, gjyqi në Nju Jork mund të jetë ndoshta i vetmi që zhvillohet përpara zgjedhjeve që mbahen në nëntor.

Dëshmitë në gjyq filluan javën e kaluar. Ndër dëshmitarët ishte David Pecker, ish-botues i revistës tabloid “National Enquirer” dhe mik i hershëm i zotit Trump. Ai i tha jurisë prej 12 anëtarësh gjatë katër ditëve të dëshmisë së tij se pati rënë dakort gjatë një takimi në gusht 2015 në Kullën Trump në Nju Jork me zotin Trump dhe zotin Cohen, se do të bënte çfarë të mundej për ta ndihmuar zotin Trump të fitonte presidencën. Prokurorët i referohen takimit si “konspiracioni i Kullës Trump”.

Zoti Pecker tha se publikoi artikuj në mbështetje të zotit Trump dhe nxiti artikujt negativë për kundërshtarët e tij.

Zoti Pecker tha se i pagoi 150 mijë dollarë modeles së revistës Playboy, Karen McDougal, për të siguruar mospublikimin e pretendimit të saj për një marrëdhënie njëmujore me zotin Trump në vitin 2006. Zoti Trump e ka mohuar marrëdhënien, por zoti Pecker dëshmoi se zoti Trump e quajti në një moment zonjën McDougal “një vajzë të mirë”. Pasi u bë president, zoti Pecker tha se zoti Trump e pyeti për gjendjen e saj, gjatë një vizite në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2017.

Gjithashtu, zoti Pecker tha se i pagoi 30 mijë dollarë një roje në hyrjen e Kullës Trump për të siguruar heshtjen e tij për pretendimin fals se zoti Trump kishte një fëmijë jashtë martese.

Prokurorët nuk kanë bërë të ditur se kush do të jetë dëshmitari i tyre pas zotit Farro. Gjyqi mund të zgjasë edhe pesë javë të tjera përpara se juria të mund të fillojë shqyrtimin e çështjes. Dëshmitë janë planifikuar të bëhen katër ditë në javë, me përjashtim të të mërkurave, por u anuluan për këtë të hënë.

Ndërkohë, gjykatësi që mbikëqyr çështjen, Juan Merchan, vendosi gjithashtu të enjten se zoti Trump ka shkelur urdhrin e gjykatës që e ndalon të sulmojë dëshmitarët e mundshëm. Gjykatësi vendosi gjobën 9 mijë dollarë ndaj ish-presidentit për shkelje nëntë herë të urdhërit të gjykatës, si dhe urdhëroi heqjen e mesazheve në rrjetin social Truth Social, si dhe nga faqja në internet e fushatës elektorale të zotit Trump, deri në orën 2:15 të pasdites.

Ish-presidenti Trump mohon të ketë bërë ndonjë shkelje dhe pretendon se urdhri shkel të drejtën e tij të shprehjes dhe aftësinë për t’u mbrojtur, ndërsa po kandidon sërish për president./Voa

Continue Reading
Advertisement

TRENDING