JU LUTEM që të lexoni letrën që Dr. Charles Telford Erickson, idhulli im i dashurisë për Shqipërinë, iu kishte dërguar nxënëseve të Shkollës së Vajzave të Kavajës që ai e hapi vetë, në vitin 1926. Mendoj se në kohën kur ne po jetojmë, ku sfida e virtytit dhe e familjes janë tema të ditës, kjo letër merr vërtetë një vlerë të veçantë:
Letra titullohet:
SHTËPIA E BESËS SHQIPTARE
Të dashura vajzat e mia të Shkollës së Kavajës!
A iu kisha dhënë BESËN se do ta bëja shkollën e vajzave të parën, edhe pse në fakt kisha sjellë gjithçka për shkollën e djemve?
Është BESA, e cila e ka bërë shqiptarin të jetë një burrë që t’i besohet që nga ditët kur ai shërbente në Gardën Pretoriane të Perandorëve të Romës, deri në ditët e sotme.
BESA është një virtyt i edukuar brenda SHTËPISË SHQIPTARE.
Virtytet e granisë shqiptare, të cilat e kanë mbajtur të pastër dhe të panjollosur shatërvanin e jetës së kombit nëpër shumë shekuj, edhe pse kombi ishte shtypur prej racave dhe perandorive të huaja, është një virtyt i SHTËPISË SHQIPTARE.
Ai është një prej virtyteve më fisnike që mund të gjenden në ndonjë pjesë të botës. Shpirti i mrekullueshëm i mikpritjes, i afruar me të njëjtën bujari si për të huajin që troket në derë, edhe për njeriun e afërt të gjakut, është një virtyt që haset rrallë në botën moderne që rend me shpejtësi dhe prandaj duhet ruajtur dhe kultivuar brez pas brezi.
Nderimi dhe respekti i të rinjve për të moshuarit, fëmijëve për prindërit dhe gjyshërit e gjyshet, vendi i nderit i të vjetrit në familje, janë lule të mrekullueshme në kopshtin e bukur të SHTËPISË SË SHQIPTARIT. Ky virtyt nuk duhet të lejohet të vyshket kurrë ose të çrrënjoset prej zakoneve moderne, të cilat po i ndihmojnë kaq shumë prishjes së shtëpisë.
Kështu, të dashura vajza, po flas me ju sot siç flet babai me fëmijët e vet. Andaj ju kërkoj që të mbani parasysh përherë këto parime, SHTËPINË SHQIPTARE, e cila ka ardhur tek ju prej qindra brezash, njëri pas tjetrit. Kaq e rëndësishme është kjo për mua, saqë, nëse më del se me ato që mësoni në shkollë dobësohet kjo shkallë vlerash sadopak, do të më bënte të mendoja nëse kam bërë mirë apo keq që e hapa shkollën. Unë dua që ju të mësoni këtu vetëm se si t’i bëni këto virtyte edhe më të mira në jetën e kombit. Unë dua që ju të mësoni se si ta bëni shtëpinë tuaj jo vetëm një vend mikpritjeje, por një shtëpi të rehatshme, të shëndetshme për ju dhe fëmijët tuaj të bukur, të pastër dhe të hijshëm. Unë dua që ju të mësoni se si t’i siguroni fëmijët që do të lindni të jetojnë dhe të shmangni numrin tmerrësisht të lartë të vdekjeve foshnjore, që po e tronditin mëmëdheun nga zhdukja e fryteve të sapolindura, aq të bukura. Dua që ju të mësoni se si ta bëni jetën vetë një gjë të këndshme, të mbushur me gaz e hare, me këngë e gëzime, një bukuri brenda mendimeve dhe ndjenjave tuaja. Dua që mjedisin e jetës suaj ta bëni sa më të këndshëm. Unë shpresoj se shpejt do të vijë dita për Shqipërinë kur frika e hershme tmerruese, mizoritë dhe shtypja e përjetuar në shekuj do të fshihet nga faqja e dheut, nga vetë kujtesa dhe nga zemra e kombit dhe secili do të marrë përsipër deri në fund përgjegjësitë e tij e të saj dhe të punojë për ngritjen e standardit të jetës për këtë komb të nderuar.
Ju vajza do të vlerësoni pas disa vitesh, shumë më shumë sesa tani, se çfarë nderi dhe privilegji keni patur të ishit nën kujdesin e zonjushës Camp, zonjushës Miss Evans, Miss Smith dhe të tëra ato me të cilat keni mësuar së bashku në tërë këto vite.
Ekziston përshtypja nga jashtë se Amerika banohet pothuajse e tëra prej milionerëve. Në të vërtetë ka më shumë njerëz në Kavajë sesa milionerë në Amerikën e 123 milionë njerëzve. Fondet që e kanë mbështetur këtë shkollë nuk kanë ardhur nga njerëzit e pasur, as prej milionerëve, por prej njerëzve të thjeshtë, të cilët, në pjesën më të madhe, si dhe njerëzit tuaj, e fitojnë bukën e gojës me shumë sakrifica.
Edhe atë çfarë japin, e japin me sakrifica të mëdha. Unë mund t’ju tregoj shumë raste heroike të sakrificave të tilla. Për shembull, atë të një gruaje që po vdiste nga tuberkulozi në një spital. Ajo pasi pa se nuk i duheshin paratë për vete, m’i dërgoi mua kursimet e saj të pakta. Po ashtu një zonjë e vjetër, e cila kishte kursyer tre vjet për të blerë një kapele, kur dëgjoi për nevojat tona, m’i dërgoi mua në vend që ta blinte atë. Asaj iu duk më e vlefshme kjo ndihmë sesa kapela; apo të vajzave të një shkolle, të cilat vendosën të mblidhnin para për një konvikt veror këtu tek ju, i cili me shpresë do të ndërtohet vitin që vjen. Ato, në vend që të hanin pulë dhe akullore të dielave si përpara, pranuan të ziejnë lakra dhe paratë e kursyera i dhanë për fondin e konviktit.
Kështu, mbani mend të dashura vajza se ju jeni të lidhura së bashku në këtë jetë jo vetëm nëpërmjet familjes, fqinjëve, mësuesve dhe shoqeve të klasës në shkollë, por edhe me një shoqëri të mrekullueshme e të shkëlqyer njerëzish të thjeshtë në Amerikë, të cilët janë disa mijëra, që mendojnë për ju, luten për ju, ju duan ju dhe sakrifikojnë për ju gjërat e domosdoshme të jetës, vetëm e vetëm që ju të keni këtë mundësi për t’u rritur drejt një granie të bukur dhe të vlefshme, të bëheni drejtuese të gjinisë suaj të kombit dhe, mbi të gjitha, të ndërtoni SHTËPI TË BUKURA.
Erickson-i juaj Marrë në: Erickson Collection, Yale University Divinity School Library, Group 26, Seria no 2, Box No 2, Folder No 3.