Connect with us

Politike

A do jetë i pranishëm Veliaj në shkarkimin e tij? SPAK reagon: S’kemi kërkesë nga kryebashkiaku

Teksa Erion Veliaj kërkon të jetë pjesë e mbledhjes të Këshillit Bashkiak ku do të caktohet shkarkimi i kryebashkiakut të Tiranës, ‘topi’ i kalon SPAK. Sipas procedurave ligjore, për personat në paraburgim, është prokurori i çështjes ai që jep miratimin fillestar, për lëvizje jashtë institucionit.

Por në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, nuk ka mbërritur asnjë kërkesë nga ana e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, për të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

“Në përgjigje të kërkesës suaj të mbërritur më datë 22.9.2025, ju informojmë se deri tani, në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është paraqitur asnjë kërkesë e tillë”, thuhet në përgjigjen e SPAK për Klan.news.

Nga ana tjetër teksa ende nuk dihet a do të jetë i pranishëm, Këshilli Bashkiak me një reagim drejtuar Veliajt, tha se në rast të pamundësisë për të qenë prezent fizikisht, qëndrimet e tij mund ti dorëzojë me shkrim.

Në takimin e radhës anëtarët socialistë të Këshillit Bashkiak pritet të bëjnë kërkesën për shkarkimin e Veliajt me arsyetimin se ka munguar për më shumë se 3 muaj në krye të detyrës, duke ju referuar pikës c, neni 62 të ligjit “për vetëqeverisjen vendore”. Kreu i Bashkisë në kërkesën drejtuar Këshillit Bashkiak, sqaron se mungesa për mbi 6 muaj nuk është pasojë e vullnetit të tij, por rrjedhojë e një mase sigurie disproporcionale, për të cilën shprehet se do ta kundërshtojë në çdo instancë gjyqësore, deri në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Advertisement