Connect with us

Rajon

A është mjaftueshëm pro-evropian sfiduesi i Gjukanoviç!?

Pak orë pas mbylljes së qendrave të votimit në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, më 19 mars, 37-vjeçari Jakov Millatoviq ka shpallur fitoren, edhe pse nuk ka fituar.

Ky nder i ka takuar presidentit aktual, Millo Gjukanoviç, 61 vjeç, i cili ka dominuar politikën e Malit të Zi për plot tri dekada dhe ka fituar rundin e parë të zgjedhjeve me 35.3 për qind të votave.

Megjithatë, Millatoviç, i mbështetur nga partitë tjera, ka marrë zemër për balotazhin e 2 prillit.

“Kam premtuar se do të kemi sukses dhe ia kemi dalë”, ka thënë ai para një turme mbështetësish në Podgoricë.

 

 

“Kjo është një fitore për të gjithë ata që janë diskriminuar në 30 vjetët e kaluar – fëmijët e të cilëve janë larguar nga Mali i Zi. Më 2 prill, ne do ta dërgojmë Gjukanoviçin në pension”, ka thënë ai.

Analistët thonë se është ende e paqartë nëse Millatoviç dhe partia e tij në rritje “Evropa tani” do të vazhdojnë t’i ndjekin politikat pro Bashkimit Evropian.

Ata paralajmërojnë se marka e populizmit e kësaj partie mund të shkaktojë lëkundje përballë çështjeve të vështira me të cilat përballet një nga demokracitë më të reja të kontinentit, përfshirë këtu: ndarjet politike mbi identitetin serb dhe malazez, marrëdhëniet me Beogradin dhe Kishën Ortodokse Serbe, si dhe ndikimin rus në rajon.

“Fitorja e mundshme e zotit Millatoviq në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi, nuk do të thotë se ne do të kemi një person pro BE-së/NATO-s në postin e presidentit”, thotë për Radion Evropa e Lirë Vesko Garçeviq, ish-ambasador i Malit të Zi dhe profesor në Shkollën e Studimeve Globale të Universitetit të Bostonit, Frederick S. Pardee. Natën e zgjedhjeve, Millatoviq, i cili ka kryer një pjesë të shkollimit në Perëndim, ka bërë përpjekje t’i qetësojë malazezët pro-evropianë dhe të huajt, që kanë shprehur shqetësime se çështjet e identitetit kombëtar dhe afinitetet me Serbinë fqinje dhe Rusinë mund ta pengojnë vazhdimin e integrimit evropian të Malit të Zi.

Millatoviq ka thënë se ai është një hap më pranë përmbushjes së premtimit të tij: “Unë do të jem ai që do ta dërgojë vendin në BE”.

Anëtarësimi në BE është një dëshirë e vazhdueshme e shumicës së qytetarëve të Malit të Zi. Vendi ka aplikuar për anëtarësim në bllok në vitin 2008, dy vjet pasi ka shpallur pavarësinë nga Serbia.

Por, rreth një e treta e banorëve të Malit të Zi identifikohen si serbë dhe i falen Kishës Ortodokse Serbe, e cila, dy vjet më parë, ka treguar muskujt e saj politikë, për të rrëzuar aleatët qeverisës të Gjukanoviqit në favor të partive pro-serbe.

Sido që të kenë qenë pengesat dhe devijimet gjatë rrugës, Gjukanoviq ka kaluar dekada duke ndjekur një politikë euro-atlantike, e cila ka kulmuar me anëtarësimin e Malit të Zi në NATO në vitin 2017.

Por, balotazhi i 2 prillit mund të jetë fundi i Gjukanoviqit në politikën kombëtare dhe dobësimi i mëtejshëm i Partisë së tij Demokratike të Socialistëve (DPS), e cila ka qeverisur vazhdimisht nga viti 1991 deri më 2020.

Gjukanoviq i ka fituar zgjedhjet presidenciale të vitit 2018 me 53 për qind të votave.

Zllatko Vujoviq, profesor i shkencave politike në Universitetin e Podgoricës, thotë se “Evropa tani” mund të gëlltisë edhe votues të partive të tjera.

“Kjo mund të ndikojë në një ristrukturim të madh të skenës politike”, thotë Vujoviq për Radion Evropa e Lirë.

Një ristrukturim ka filluar ndoshta dy vjet e gjysmë më parë, kur disa grupe relativisht të ndryshme – të udhëhequra nga një koalicion pro-serb – kanë mundur DPS-në dhe aleatët e saj, duke fituar shumicën parlamentare, edhe pse vetëm me një ulëse më shumë.

Millatoviq është bërë ministër i Ekonomisë në Qeverinë që është zgjedhur atëbotë dhe është udhëhequr nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, një serb dhe një akademik pro-rus.

Në dy vjetët pasues, dy qeveri janë rrëzuar për shkak të konflikteve të brendshme. Një qeveri teknike ka mbetur në krye deri në zgjedhjet e parakohshme, që janë caktuar tashmë për datën 11 qershor.

“Ka pasur shumë protesta kundër korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin nën Qeverinë e mëparshme. Kjo është ndjerë shumë”, thotë Kurt Bassuener, bashkëpunëtor i lartë në Këshillin e Politikave të Demokratizimit me qendër në Berlin.

“Por, ajo që ka pasuar, nuk ka qenë një pastrim për t’i forcuar institucionet dhe për ta forcuar sundimin e ligjit, por për t’i populluar institucionet me njerëzit e tyre”, thotë ai.

Shenjat e ristrukturimit politik kanë vazhduar në vitin 2022 me formimin e partisë “Evropa tani”, nën udhëheqësin Millojko Spajiq dhe me nënkryetar Millatoviqin.

Në zgjedhjet lokale të tetorit të kaluar, “Evropa tani” ka fituar 41 nga 458 vendet legjislative lokale që kanë qenë në garë në 14 komuna, përfshirë Podgoricën.

Kjo ka qenë shumë më pak se 110 ulëset e DPS-së dhe 98 ulëset e aleancës pro-serbe, Fronti Demokratik, por mahnitshëm për një parti që është krijuar vetëm katër muaj përpara atyre zgjedhjeve.

Një gjë e tillë ka sinjalizuar gjithashtu mbështetje publike për përpjekjet e Spajiqit dhe Millatoviqit për të nxitur përtëritjen ekonomike dhe rritjen e pagave, duke hequr dorë nga financimi i drejtpërdrejtë i kujdesit shëndetësor, midis hapave të tjerë.

“Lëvizja ‘Evropa tani’ u ka ofruar votuesve gjëra që duan të dëgjojnë: paga më të mira, luftë kundër korrupsionit dhe [kritika ndaj] establishmentit politik”, thotë Garçeviq, “[por] ajo i shmang të gjitha çështjet e vështira, si marrëdhëniet me Rusinë, Serbinë, apo rolin e Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi”.

Garçeviq thotë se narrativat e lëvizjes “Evropa tani” shpesh “ngjajnë me narrativat e partive populiste evropiane”, por “kjo nuk do të thotë se domosdoshmërisht janë të njëjta – thjesht, nuk e dimë ende”.

Sipas tij, kjo gjithashtu flet për një skenë monotone politike në Mal të Zi.

“Fakti që kandidati i një partie joparlamentare, të formuar vetëm disa muaj më parë, fiton pothuajse 30 për qind të mbështetjes popullore dhe ka gjasa t’i fitojë zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi, flet se sa shumë kanë nevojë qytetarët për politika të reja dhe aktorë të rinj politikë”, thotë Garçeviq.

Vujoviq thotë se qasja populiste e “Evropës tani” është e paqëndrueshme në një afat më të gjatë.

“Unë mendoj se pritjet e qytetarëve i tejkalojnë shumë edhe premtimet e bëra nga udhëheqësit e ‘Evropës tani’. Ekziston një optimizëm i pabazuar se pagat do të vazhdojnë të rriten, edhe pse ne nuk kemi të ardhura në buxhet për t’i financuar ato”, thotë Vujoviq.

Sipas disa vëzhguesve, ka edhe shenja të tjera paralajmëruese, veçanërisht në lidhje me çështjet e identitetit kombëtar dhe ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe.

Krivokapiq ka përdorur fjalën “apostuj” për të përshkruar kabinetin që ka drejtuar menjëherë pasi grupet e tij dhe të tjerat anti-Gjukanoviq, kanë fituar zgjedhjet e vitit 2020.

Shumë e kanë konsideruar si zgjedhje provokuese fjalësh, pasi Kisha Ortodokse Serbe ka udhëhequr mitingje antiqeveritare dhe ka mobilizuar besimtarë të saj në Mal të Zi për të ndihmuar në rrëzimin e DPS-së. Kjo ka ndodhur pasi Qeveria e Gjukanoviqit ka miratuar një ligj të ri për lirinë fetare, por i kontestueshëm nga Kisha.

Bassuener thotë se Millatoviq nuk duket si “kandidat kompromisi” për shumë njerëz. Ai vë në dukje këtu ndjeshmërinë e shumë malazezëve në lidhje me marrëdhëniet me Kishën Ortodokse Serbe dhe serbët në përgjithësi.

I gjithë rajoni i Ballkanit, aktualisht, po përballet me dezinformimin pro-rus dhe refuzimin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për t’iu bashkuar sanksioneve të Perëndimit kundër Rusisë, për shkak të pushtimit të Ukrainës.

“Mosbesimi ndaj Millatoviqit dhe ‘Evropës tani’ nga ana e atyre që identifikohen si malazezë dhe identifikohen me shtetësi malazeze, është i thellë”, thotë Bassuener./REL/

Rajon

I rrëmbeu telefonin dhe ia hodhi në tokë, kryebashkiaku i dhunshëm i Beogradit sulmoi fizikisht një qytetar

Një video që është shpërndarë në rrjetet sociale tregon Aleksandar Shapiç, kryetarin në largim të qytetit të Beogradit dhe kandidatin për kryetar të kësaj komune nga radhët e partisë SNS të Aleksandar Vuçiç, i cili po debaton me qytetarët. Siç  shihet dhe dëgjohet në video, Shapiç po debatonte me qytetarët e mbledhur rreth një projekti dhe në një moment, ai shihet duke ia rrëmbyer telefonin celular një qytetari dhe ia hedh në tokë.

Ndërsa Aktivisti Zlatko Jankoviç ka konfirmuar për gazetën danas se kjo ka ndodhur vërtet gjatë një takimi me të parin e kryeqytetit serb. Megjithatë Jankoviç saktëson se Shapiç ka folur me disa aktivistë pas konferencës ndërsa ka pasur konflikt verbal me njërin prej tyre, të cilit ia ka hedhur telefonin.

“Kjo ishte në fund. Ne biseduam pas fjalimit të tij, ai e ndërpreu shpesh aktivistin tonë Branko, i cili po i shpjegonte se ku kishin bërë gabime procedurale që bënë që gjykata të pranonte iniciativën tonë për të ndaluar punimet e shpimit në argjinaturë. Ai donte të kalonte përmes turmës së qytetarëve si një bandit, por ai nuk donte të lëvizte, ia rrëmbeu telefonin dhe e hodhi në dysheme, pastaj u largua nga vendi i ngjarjes”, tha ai.

Continue Reading

Rajon

“Na pret edhe një luftë tjetër”/ Dodik trondit me deklaratën e tij

Milorad Dodik në një fjalim gjatë përkujtimit të Ditës së Fitores mbi Fashizmin në Banja Luka të Republikës Serbe, tha se është koha për të luftuar për “çlirimin” nga Bosnja dhe Hercegovina.

Ai vijoi me kërcënime për ndarjen e shtetin shtetit boshnjak.

“Sot kujtojmë Ditën e Fitores mbi Fashizmin – ditën kur fuqia më e errët në botë në atë kohë – Gjermania, hodhi armët. Gjermania, regjimi i së cilës është përgjegjës për vdekjen e më shumë se 30 milionë njerëzve. Serbët pësuan rëndë humbje, së bashku me rusët, hebrenjtë dhe të gjithë ata që e kundërshtuan atë ideologji, duke besuar në lirinë dhe barazinë e të gjithë njerëzve pa dallim kombësie apo feje”, tha fillimisht ai.

“Gjermania në atë kohë nuk i njihte ide të tilla, ajo u përpoq për nënshtrim, për të zgjeruar ndikimin e saj si një fuqi e vonuar koloniale. Kishte mundësinë të zgjerohej drejt Ballkanit dhe Rusisë, gjë që e bëri”, theksoi Dodik.

Ky i fundit pohoi se “fakti është se viktimat më të mëdha ishin në mesin e popullit serb dhe rus” dhe se kjo zbulon qëllimin e vërtetë të fashizmit, raporton klix.ba.

Ai sërish deklaroi se Republika Serbe do të shkëputet nga Bosnja dhe Hercegovina me fjalët “se populli serb po përballet me një luftë të re – luftën për çlirim nga Bosnja dhe Hercegovina”.

“Na pret edhe një luftë tjetër, ajo është lufta për çlirimin nga Bosnja dhe Hercegovina”, tha Dodik.

Ai tha se liria është ajo që e bashkon popullin serb në tërësi.

“Fitorja mbi fashizmin është e përhershme dhe nuk mund të zëvendësohet me asgjë tjetër. Rezistenca jonë ndaj çdo forme presioni të ushtruar këtu është jashtëzakonisht e fortë”, përfundoi Dodik.

Continue Reading

Rajon

Vasalët kinezë, media gjermane për Vuçiç dhe Orban

Mediat në gjuhën gjermane kanë raportuar gjerësisht për turneun e presidentit kinez Xi Jinping nëpër tre vende evropiane, porse qëndrimi i tij në Serbi mori vëmendje të madhe në analiza.

“Koha është simbolike”, vlerëson Zidojce Zeitung, duke kujtuar se ditën e djeshme u mbushën plot 25 vjet që kur avionët e NATO-s bombarduan ambasadën kineze në Beograd.

“Në Beograd e kanë të nevojshme të prodhojnë imazhe “ikonike” për audiencën në Kinë, por edhe për të gjithë jugun global për të vënë në dukje “hipokrizinë” e NATO-s të udhëhequr nga SHBA-të” –  thotë Alicja Bahulska nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

“Serbia do të tregojë se NATO nuk ofron siguri, por punon kundër interesave të Kinës dhe Rusisë” –  tha ajo për Zidojce.

Bahulska më tej vlerësoi se ofimi I qilimit të kuq Xi,  i përshtatet stilit “oportunist” të presidentit serb Aleksander Vuçic. Sipas saj nga njëra anë, ai aspiron të anëtarësohet në BE, por nga ana tjetër, përmes “miqësisë së fortë” me rivalin strategjik të Brukselit, Vucic po përpiqet të forcojë pozicionin e tij negociues.

Një gjë e ngjashme përmendet edhe në analizën e një programi tjetër të shërbimit publik ZDF. Aty, Abigail Vaselije nga Instituti ‘Mercator’ për Studimet e Kinës thotë se koha e vizitës në Serbi është një simbol që Xi refuzon zgjerimin e NATO-s drejt lindjes.

“Berliner Zeitung” shkruan se Vuçicit “i duhen Kina dhe Rusia për të minuar planet perëndimore për të ardhmen e Kosovës”.

Për RND foli Reinhard Buttikofer, përfaqësuesi evropian i të Gjelbërve gjermanë, i cili e sheh viziten e presidentit kinez në Serbi dhe Hungari si një “provokim” për Bashkimin Europian.

Butikofer i quajti Vuçicin dhe kryeministrin hungarez Viktor Orbán si “dy vasalët më të rëndësishëm të Kinës në Evropë”. Duke shkuar në Beograd dhe Budapest, sipas Bitikofer, Xi tregoi se ambiciet gjeostrategjike të Pekinit nuk janë aspak të kufizuara vetëm në Azi.

Për shërbimin publik zviceran SRF foli eksperti i Kinës Johan Fuhrman, i cili mendon se turneu i Xi-t ka për qëllim edhe publikun vendas, për të treguar se Kina ka miq në botë.

“Kinezët po përpiqen të luajnë me kartën se ka interesa të ndryshme evropiane” – theksoi Furman

Continue Reading

Rajon

Rotacion në Maqedoninë e Veriut: Opozita fiton bindshëm zgjedhjet e dyfishta

Partia maqedonase, VMRO-DPMNE duket se ka marrë një fitore të thellë në zgjedhjet e dyfishta, presidenciale dhe parlamentare, sipas rezultateve paraprake të publikuara në faqen zyrtare të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve.

Nga rreth 80% e kutive të hapura, VMRO po udhëheq me 42.75% të votave. Në vend të dytë është renditur Fronti Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) i Ali Ahmetit me 14.42% të votave ndërsa në vend të tretë ka zbritur koalicioni i udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate, LSDM që aktualisht është në pushtet, por që ka vetëm 14.67% të votave.

Koalicioni VLEN i partive opozitare shqiptare është i katërti me 11.38% të votave. Pas daljes së këtyre rezultateve LSDM në pushtet tha se do të pranonte verdiktin e popullit.

“Zgjedhjet ishin të ndershme dhe demokratike. Qytetarët thanë qartë zgjedhjen e tyre. Falënderojmë qytetarët që votuan në mënyrë të kulturuar dhe demokratike dhe institucionet për korrektësi dhe rend. Rezultati i sovranit do të pranohet”, – deklaroi zëdhënësja e LSDM-së. Ajo shigjetoi edhe BDI-në që bojkotoi zgjedhjet presidenciale. “Secila parti duhet t’i përgjigjet vetes dhe qytetarëve për veprimet e saj në zgjedhje”, – tha zëdhënësja Bogdanka Kuzeska.

Ndërsa në selinë e VMRO-DPMNE-së janë të bindur se do të marrin mbi 61 deputetë duke e bërë të vetëm qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me votat e shqiptarëve. Sipas një projeksioni paraprak (shih më poshtë) kjo forcë ka 59 deputetë. “Fronti Evropian” ka 19 deputetë ndërsa LSDM e ndjek me 18 deputetë dhe VLEN me 13 deputetë.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, dalja në zgjedhjet parlamentare ishte 53.41%. Qytetarët votuan për 17 parti dhe koalicione të cilat garonin për deputetë të Parlamentit të ri prej 120 ulësesh.

VMRO DPMNE është duke fituar bindshëm edhe zgjedhjet për presidentin e ri. Sipas rezultateve të 84.18% të kutive të numëruara, kandidatja e opozitës maqedonase Gordana Siljanovska Davkova ka 64.84% të votave ndërsa presidenti aktual Stevo Pendarovski i LSDM-së nuk ka shkuar më shumë se 29.29% të votave.

Pas shpalljes së këtyre rezultateve Perndarovski pranoi humbjen dhe përgëzoi Siljanovskën, por edhe VMRO-DPMNE-në për fitoren dhe u uroi punë të suksesshme.

Dalja në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale ishte 46.31%, që nënkupton se është arritur pragu i nevojshëm prej 40% që votimet të konsiderohen të suksesshme. Ra në sy që në zonat me popullsi shqiptare u bojkotua votimi për presidentin e vendit. VMRO DPMNE-ja tha pas daljes së rezultateve se “dështoi skenari i Bashkimit Demokratik për Integrim [BDI] për dështimin e zgjedhjeve presidenciale”.

Timço Musunski nga VMRO-ja tha “fituese e zgjedhjeve është VMRO DPMNE-ja ndërsa BDI-ja do të shkojë në opozitë”. Zëdhënësi i shtabit zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi, tha se procesi zgjedhor ka qenë demokratik dhe se fitues i zgjedhjes është Fronti Evropian që udhëhiqej nga BDI-ja.

Procesi zgjedhor u zhvillua në 3480 vendvotime, ndërsa mbarëvajtja e tyre u monitorua nga 1300 vëzhgues vendorë dhe 860 të huaj. Këto ishin zgjedhjet e para të dyfishta që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut që nga vendosja e demokracisë në vitet ‘90.

Continue Reading

Rajon

Vizita e Ramës në Greqi/ Mitsotakis: Nuk vjen si i ftuar i Qeverisë, por s’e pengojmë dot

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, ka komentuar ditën e sotme vizitën që pritet të mbajë kryeministri Rama në Greqi më 12 Maj. Në një deklaratë për mediat  greke Mitsotakis ka thënë se Rama nuk është i ftuar i qeverisë së tij, por nuk e pengojmë dot.

“Edi Rama vjen të bisedojë me bashkëkombasit e tij. Zgjedhja e Ramës për këtë vizitë më duket e panevojshme. Nuk e pengojmë S’e pengojmë tubimin e Ramës, as e ndihmojmë”, ka sqaruar ai.

Vizita e Ramës zhvillohet në një kohë kur Kyriakos Mitsotakis e ka përfshirë kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri në listën e 42 kandidatëve në garën për një mandat në Parlamentin Europian. Ndërkohë kujtojmë se Beleri është dënuar nga GJKKO me 2 vite burg për blerje votash vitin e kaluar.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING