Connect with us

Shkrime

Një opozitë që kërkon ndihmë nga Edi Rama për të mundur Erion Veliaj

Nga Mero Baze

Ka një lutje publike të opozitës për Edi Ramën, që së paku tu jap një mundësi të ndjehen të fituar ndaj Erion Veliaj, meqë qeverinë se mundin dot.

Për këtë I janë turrur fjalimit të Edi Ramës rreth reformave që duhen ndërmarrë kundër korrupsionit në shtetin shqiptar, dhe po përpiqen ta përkthejnë si fjalim kundër Erion Veliaj. Disa nxjerrin pikat e fjalimit që as socialistët si kanë mbajtur aq mirë shënim dhe I identifikojnë me Veliaj.

Të tjerë shpikin dhe gjëra që Rama si ka thënë dhe prap I identifikojnë me Veliaj. Madje për ta bërë më të plot konspiracionin, e ilustrojnë dhe me dokumente të dal nga ministritë, që dhe ato të quhen që I ka nxjerr Edi Rama kundër Erionit. Ata kanë në dorë dhe thuajse gjithë numrat e protokolleve të ministrive që janë marrë me inceneratorët dhe shpjegojnë dhe çfarë kanë pasur në mendje ministra të ndryshëm kundër Erionit.

Pra 24 orë pas thirrjes së Edi Ramës, për opozitën që tu bashkohet reformave kundër korrupsionit në administratë shtetërore, I vetmi përkthim që opozitarët duan ti bëjnë thirrjes është që ai tu jap kokën e Erion Veliaj.

Mënyra se si po e përkthen opozita, nuk tregon atë që ka në mendje Edi Rama, por atë që ka nevojë opozita. Dhe opozita duket se ka nevojë urgjente që Edi Rama ti jap një dhuratë meqë nuk po ja dalin dot. Madje jo që nuk po ja dalin, por sheshi para bashkisë, ka përditë me më pak se 50 vet dhe e vetmja gjë që rritet është dendësia e njerëzve të inkriminuar të cilët nuk kanë alternativë tjetër.

Në këtë pikë dëshpërimi I opozitarëve është dhe më I thellë, pasi edhe pse hedhin Molotov dhe thërrasin gjithë banditët para bashkisë, përsëri ndjehen të pafuqishëm dhe kërkojnë ta vrasin Erion Veliaj me dorë të Edi Ramës.

Nëse lexon mediat kryesore të opozitës prej dje deri më sot, duket që Edi Rama është ylli polar I tyre, idhulli I tyre që mund ti shpëtoj nga humnera ku kanë rënë duke ua hequr Erion Veliaj. Nuk kanë asnjë shpresë tjetër. Me sa duket as nga SPAK nuk shpresojnë më përveçse nga Edi Rama.

Në fakt fjalimi I Edi Ramës nuk ka ndonjë ofertë personale dhe as ndonjë identikit të korruptuari , por ngre nevojën alarmante që administrata e shtetit shqiptar të krijoj kulturën e përballjes me ligjin dhe të jetë e pavarur nga lidershipi politik.

Nuk di nëse i gënjen apo tallet dikush nga brenda pushtetit të Edi Ramës, apo e kanë instiktive këtë reagim, por nëse ka një rrugë që e bën me imunitet dhe më të fort politik Erion Veliaj, përfshi dhe nga Edi Rama , është kjo rruga që ka zgjedhur opozita që ti kërkoj si nder Edi Ramës kokën e Erion Veliaj për llogari të tyre.

Mirë është të gjejnë diçka më kreative që të paktën të duket sikur arrijnë dhe vet ndonjë gjë se nuk mund të shtynë gjithë jetën në opozitë duke kërkuar leje nga Edi Rama. Edhe për të vrarë Erion Veliaj.

OPINION

Unë në burg nga SPAK, Prokuroria apo Policia, ose Top Channel dhe Fiks Fare të më kërkojnë ndjesë publike

Nga Arian Galdini
Të dashur e të nderuar gazetarë e moderatorë të mediave shqiptare,
Të dashur e të nderuar analistë, opinionistë, opedistë, kolumnistë, etj, etj, etj,
Unë që po ju drejtohem sot jam Askushi.
E megjithatë diçka po më grisht brenda meje që të ulem e ti shkruaj disa rreshta për ju, e ndoshta me fjalët e mia kushedi edhe ia dal të kap ndonjë grimcëz vëmendje nga ajo e juaja që duket se është e tëra e folusuar vetëm tek dikushët dhe gjithkushët.
Pak gjasa ka, por edhe mundet të ndodhë që në botën e dikushëve dhe gjithkushëve, ndonjëherë edhe të bëhet një copëz vend për ndonjë askush.
Por edhe po nuk ma bëtë një copë vend në ndonjë grimcëzvëmendje tuajën, për mua nuk është aspak dramatike e as humbje e madhe sepse, unë askushi jam e jam mësuar në këtë universin tim paralel pa ju, larg jush e pavarësisht jush.
Lejomëni ta nis me një prezantim të vogël: Unë jam Arian Galdini. Shpesh si askushi që jam përflitem si ai njeriu që ka ndërruar mbiemrin nga Saliaj në Galdini.
Po, e vërtetë është.
Prej vitit 1974 e deri në fillimin e viteve 2000 kam qenë Arian Saliaj, i biri i Pëllumb Saliaj dhe i Teuta Saliaj, i lindur në 11 dhjetor 1974, në qytetin e Lushnjes. Dikur, pa kërcënimin e Greqisë e pa joshjen e Italisë, e madje edhe pa të shkuar të errët kriminale apo sekrete a problematika për të fshehur a shmangur, por thjesht sepse u bëra besimtar i krishterë i pagëzuar dhe krezmuar, vendosa të zgjedh mbiemrin Galdini si identitetin tim të ri që përputhte besimin e thelbin tim edhe me formën time.
Kaq e thjeshtë është kjo punë.
Përndryshe, kush ka dilema apo pikëpyetje nga ju, ju ftoj të gjithëve të bëni detyrën tuaj si gazetarë e të investigoni e ti gjeni e bëni publike të gjitha gjetjet tuaja.
Si askushi që jam, shpesh ndër ju më njohin edhe si Zëdhënësin apo Këshilltarin e Fatos Nanos.
Nuk e di sesi mund ta nderoni një askush si mua me kaq shumë thashetheme, ama ju them se me Fatos Nanon jam takuar e njohur për herë të parë në vitin 2012, kur ai po planifikonte të kandidonte për President Republike. Nuk kam qenë kurrë asnjë ditë, as zëdhënësi e as këshilltari i Fatos Nanos e aq më pak Nanoist.
Ju kujtoj se Fatos Nano në vitin 2012, ishte për vete një ish i përsosur. E vetmja gjë që kam bërë ka qenë pranimi miqësor i përgjegjësisë informale si Kordinatori i Fushatës së Fatos Nanos për President Republike vetëm 30 ditë në pranverën e 2012.
30 ditë, vetëm 30 ditë e kam ndihmuar e mbështetur Fatos Nanon si kandidat për President. Kaq. Asgjë më shumë.
Nuk e di pse janë ngritur male të tëra me bojë gazetash e thashetheme portalesh dhe përgojime militantësh nëpër korridore partishë për një askush si mua, veç ju lutem mos mbivlerësoni në këtë farë feje 30 ditë.
Në 30 ditë me Fatos Nanon në vitin 2012, nuk u bëra as zëdhënës e as këshilltar e as nanoist.
Në 30 ditë me Fatos Nanon u bëra thjesht një mik i largët dhe pa detyrime me të.
E jua them haptazi që për Fatos Nanon kam krijuar respekt e vlerësim të veçantë sepse ai e meriton.
Tjetër, prej 26 dhjetorit 2022, një askush si unë është sulmuar masivisht nga Top Channel dhe emisioni Fiks Fare, prej nga ku si kurrë më parë në historinë e investigimit gazetaresk, janë nxjerrë 7 njerëz me vetëdeklarime e videofilmime nga celularët e tyre, të cilët pa prova, pa fakte, pa verifikime, pa asnjë grimcë vërtetësie e madje as arsyetime e logjike, kanë vjellur vrer, sharje, etiketime, fyerje, baltë e shpifje ndaj meje duke më shpallur si hajdut emigrantësh, si hajdut kuotash partie dhe si mashtrues emigrantësh. Një emision i plotë i Fiks Fare i dedikuar për të përbaltur dhe denigruar një askush si Arian Galdini.
Prej atij 26 dhjetori 2022, kam pritur që SPAK, Prokuroria apo Policia të vijnë të më shpallin akuzat e të më vënë prangat e arrestojnë, ose në të kundërt Top Channel dhe Fiks Fare duhet të më kërkojnë të falur e të më japin mundësinë të përballem ose shpalos të vërtetën time.
Ende as SPAK, as Prokurori, as Polici, as pranga për mua, e as ndjesë publike nga Top Channel e as nga Fiks Fare.
Ndaj, sot po kërkoj publikisht dhe zyrtarisht që SPAK, Prokuroria apo Policia të vijnë të më arrestojnë, ose Top Channel dhe Fiks Fare të më përballin, të më kërkojnë ndjesë publike e të më japin mundësinë të them të vërtetën time.
Më tepër se kaq nuk kam çthem.
Jam në dispozicion të SPAK, Prokurorisë apo Policisë, ose e ftoj a sfidoj Top Channel që të më përballin ose të më kërkojnë ndjesë publike e të më japin mundësinë të them të vërtetën time.
Unë atë përbaltje të organizuar, kriminale, me shërbim bandash e politik nga Fiks Fare nuk e fal.
Ose unë në burg nga SPAK, Prokuroria apo Policia, ose Top Channel dhe Fiks Fare të më kërkojnë ndjesë publike.
Sfida është publike dhe e hapur, ose unë në burg, ose atë sulm të ndyrë e mafioz me shërbesë bandash dhe politik të Top Channel e Fiks Fare kundër meje, nuk e fal.
Tani pas këtij prezantimi për veten time po ju drejtohem për tju shpjeguar arsyen e kësaj deklarate a letre a përsiatjeje, quajeni si të doni, drejtuar juve.
Në vitin 1990, Shqipëria u ngrit në këmbë kundër monizmit dhe diktaturës komuniste.
Ia dolëm mbanë të krijonim një dekor pluripartiak, por ende nuk ia kemi dalë mbanë të organizojmë në Shqipëri, realisht dhe vërtetësisht zgjedhje të lira e të ndershme dhe të barabarta.
Dhe ja ku jemi sot pas 33 vitesh e madje gati 34 vitesh.
Partia e lindur në 8 nëntor 1941 si Partia Komuniste Shqiptare, e cila në vitin 1944 mori pushtetin e paskëtaj ndryshoi emrin dhe u bë Partia e Punës së Shqipërisë, ka qëndruar e vetme në pushtet deri në dhjetorin 1990.
PPSH, në qershorin 1991, ndryshoi përsëri emrin dhe u bë Partia Socialiste.
Nëse llogarisim vitet e qëndrimit në pushtet të PKSH – PPSH nga 1944 deri në vitin 1990, bëhen jo pak por 46 vite.
Po të shtojmë këtu edhe 2 vite nga 1990 deri në 22 mars 1992, bëhen 48 vite.
Shtojani këtyre 48 viteve edhe 8 vite pushtet të PS nga vitit 1997 deri në vitin 2005, e bëhen 56 vite.
Llogarisni pak që kjo parti ka edhe 11 vite të tjera prej vitit 2013 në pushtet e kësisoj bëhen plot 70 vite pushtet.
1 parti që ka ndryshuar 3 emra dhe vetëm 4 udhëheqës, nga Enver Hoxha tek Ramiz Alia, pastaj nga Fatos Nano tek Edi Rama dhe nga 1944 deri në vititn 2024 ka 70 vjet në pushtet.
A nuk ju duket kjo dramatike, katastrofike, e tmerrshme?
Kjo parti ka 70 vjet në pushtet e dikur para vitit 1990 i bënte zap shqiptarët me këshillat popullore, frontin demokratik, sigurimin e shtetit dhe fuksat ndërsa sot i mban nën terrorin e patronazhistëve.
Këta që Partia e 70 viteve pushtet i quan patronazhistë unë i quaj patronazistë.
Patronazistët janë agresion i drejtpërdrejtë ndaj lirive demokratike, lirive politike dhe pluralizmit.
Patronazistët janë kudo dhe kontrollojnë jetën reale dhe virtuale të çdo shqiptari.
Kjo makineri kontrolli sigurisht që ka sjellë këtë realitet politik e social kur askush nuk mund të flasë e veprojë më me guxim, liri e vetëdije qytetare.
Patronazistët janë në lagje, fshatra, diasporë, media, Fiks Fare, ngado e kudo, për të shantazhuar, cënuar, baltosur, kërcënuar dhe rrëmbyer lirinë e kurajon e kujtdo.
Gjithkushët janë lart shumë lart dhe e di që ju i dini giithashtu shume mirë se kush janë.
Kështu që nuk po ju humbas kohë tju flas e shkruaj për Gjithkushët, sepse ata ju paguajnë rrogat e ju mbajnë.
Janë ata që ju bëjnë juve që në botën e dikushëve, juve të jeni më dikushër se dikushët e tjerë.
Gjithësesi dua tju flas pak për dikushët.
A kuptoni vallë se në një Shqipëri të Partisë me 70 vite Pushtet, e me një ushtri me patronazistë, nuk ekziston ai dikushi që mundet të dalë në pah pa lejen e gjithkushëve???
A e kuptoni vallë, që çdo dikush që qarkullon në studiot tuaja, në korridoret tuaja, në mendjet tuaja, në lajmet e tavolinat a banaqet tuaja, është dikush me leje nga gjithkushët???
Prandaj, si askushi që jam unë, ju bëj thirrje sot:
Ju lutem, ju përgjërohem, braktiseni për një hop botën e gjithkushëve dhe dikushëve.
Ju lutem, bëni një hedhje në vetëshqyrtim e takoni ndërgjegjen tuaj.
Në vitin 2025, Partia e Enver Hoxhes dhe e Edi Ramës, mund të shkojë drejt marrjes së një mandati tjetër 4 vjeçar, që do ta çonte këtë Parti drejt 74 viteve pushtet.
Edhe i pikuari i qiellit të ishte Edi Rama, edhe Këshilli i Shenjtorëve po të ishte Partia Socialiste, ky fakt historik dhe jetik i 70 viteve pushtet në kërkim të 4 viteve më shumë, tregon as më shumë e as më pak se ne të gjithë, disa në përpjekje për të siguruar jetën, disa në përpjekje për të qenë dikushër, jemi bërë humbësit e mëdhenj të ndërgjegjes.
Ka ardhur loha për një zgjim të madh kombëtar.
Ka ardhur koha për një lëvizje të madhe për vetëdijësim social e kombëtar.
Përndryshe, po nuk e bëmë këtë, ju lutem, kuptojeni që unë e kam ndarë mendjen të jem një askush që do tju bezdisë papushim nga universi im paralel.
Continue Reading

Shkrime

Si po ngjall presidenti i Serbisë ndjenja kundër Perëndimit?

Nga Michael Martens

Pas votimit të humbur në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për të vendosur një ditë përkujtimi për gjenocidin e Srebrenicës, Milorad Dodik praktikoi aftësitë matematikore.

Presidenti nacionalist i Republikës Serbe të Bosnjës, e cila është pjesë e Bosnje-Hercegovinës, arriti në përfundimin se serbët e tij në thelb kishin fituar votën, nëse vetëm një numërohej saktë. Dodik nuk mund të mohonte se 84 anëtarë të OKB-së kishin votuar pro dhe vetëm 19 kundër rezolutës së prezantuar nga Gjermania dhe Ruanda, që do të thotë se ajo u miratua.

Politika e jashtme gjermane është e klasit botëror kur bëhet fjalë për t’u marrë me të kaluarën. Vetëm kur bëhet fjalë për të përballuar të tashmen dhe të ardhmen, ajo çalon. Merrni për shembull Ballkanin. Gjermania luajti një rol qendror në caktimin e një dite përkujtimi për gjenocidin e Srebrenicës, e cila u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së të enjten.

Nuk ka asgjë të keqe me përkujtimin e krimit të madh serb në Bosnje në vitin 1995. Më e rëndësishme për stabilitetin e rajonit, megjithatë, do të kishte qenë mbështetja e Gjermanisë për aplikimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, e cila gjithashtu duhej të ishte votuar në maj.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të kishte nënkuptuar që të gjithë qytetarët e demokracisë më të re evropiane, duke përfshirë edhe pakicën serbe, do të kishin mundësi ta padisnin qeverinë e tyre para Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Mbi të gjitha, do të kishte qenë një sinjal tronditës për Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandar Vuçiç, i cili flirton me afërsinë e vazhdueshme me Rusinë dhe Kinën. Vuçiç flet hapur për luftë, duke e quajtur shembullor sulmin e Azerbajxhanit ndaj Karabakut. Nëse nuk i vendosen kufij, ai do të vazhdojë të punojë për t’i shtyrë ata, qoftë edhe me forcë.

Pranimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte një shenjë se Europa nuk toleron zgjidhje të dhunshme politike në Ballkan. Por ky sinjal nuk u dha, pjesërisht sepse Berlini ishte një nga shtetet që e pengoi atë. Edhe pse të gjitha organet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe shumica dërrmuese e Asamblesë Parlamentare të tij besojnë se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet për t’u pranuar në klubin më të vjetër të demokracive evropiane, Berlini u shpreh kundër. Fakti që Hungaria dhe Rusia mbajnë të njëjtën linjë në këtë çështje do të thotë shumë.

Gabimi i një politike ballkanike serbocentrike nuk është i ri. Një brez më parë, politika perëndimore në Ballkan bëri të njëjtat gabime. Në atë kohë, ajo mbështetej te Sllobodan Millosheviqi (i cili më vonë u padit nga Gjykata për Krimet e Luftës) si një spirancë stabiliteti; sot e sheh ish-ministrin e tij të propagandës Vuçiç në këtë rol. Në vitet 1990, luftërat me më shumë se 100 mijë të vdekur dhe miliona persona të zhvendosur, si dhe masakrat si ajo në Srebrenicë ishin rezultat i këtij gabimi tragjik.

Tani po shfaqet edhe një herë besimi i gabuar se gjithçka që nevojitet për të arritur paqen në rajon është të qetësohet Beogradi. Nuk është bindës as argumenti se Serbia duhet të furnizojë me municion Ukrainën. Serbia dëshiron të shesë prodhimin e fabrikave të saj të armatimit dhe po bën biznes të mirë me to. Pavarësisht gjithë rusofilisë së tij, Beogradi nuk dëshiron që kjo ta ndërpresë këtë burim.

Por nuk është vetëm faji i Berlinit që Perëndimi ka pak ndikim në Ballkan. Ajo që dikur ishte instrumenti më i rëndësishëm i ndikimit perëndimor, perspektiva e anëtarësimit në BE, nuk ekziston më. Kur perspektiva e anëtarësimit ishte ende realiste, ajo solli energji të konsiderueshme reformash. Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç, dy personat më përgjegjës për Srebrenicën, nuk do të ishin arrestuar dhe dorëzuar në gjykatën e krimeve të luftës respektivisht në vitin 2008 dhe 2011 nëse perspektiva e anëtarësimit në BE nuk do të dukej realiste në atë kohë.

Megjithatë, pothuajse asnjë politikan në rajon nuk është tani i gatshëm të investojë kapital politik në reforma thelbësore. Me përjashtim të qeverisë së re malazeze, drejtuesit e së cilës janë ende të rinj dhe pa përvojë, asnjë politikan kryesor në Ballkanin Perëndimor nuk beson me të drejtë se vendi i tij mund të pranohet në BE.

Prandaj është e kuptueshme që Hristijan Mickoski, kryeministri i ardhshëm i Maqedonisë së Veriut, nuk është i përgatitur për të përmbushur parakushtet e Bullgarisë të mbështetura nga BE për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Maqedonia e Veriut madje kishte ndryshuar emrin e saj shtetëror për hir të perspektivës evropiane, por më pas u bllokua fillimisht nga Franca dhe më pas nga Bullgaria.

Sofja po kërkon që Maqedonia e Veriut së pari duhet të përfshijë pakicën bullgare në vendin e saj si një komb përbërës në preambulën e kushtetutës përpara se të fillojë bisedimet e pranimit. Ka një arsye të mirë për të qenë skeptik në Shkup, pasi Bullgaria kishte hartuar ndërkohë një listë të kërkesave të mëtejshme, në disa raste historikisht groteske, për vendin fqinj në vitin 2019.

Nëse Maqedonia e Veriut dorëzohet tani, kjo do të hapte vetëm derën për një kaskadë të ultimatumeve të mëtejshme. Prandaj, qeveria e ardhshme në Shkup mund të inkurajohet që të mos e ndjekë këtë qorrsokak.

 

Continue Reading

Shkrime

NATO duhet të shkatërrojë çerdhen e regjimit kriminal të Vuçiçit, siç bëri me regjimin e Millosheviçit

Nga Skënder Mulliqi

Nuk ka vend tjetër në Evropë, e që është absurditet i shekullit 21, sikur Serbia, që po e udhëheqin ultranacionalistet dhe klerikët primitiv, gënjeshtarë dhe mashtrues, në krye më Vuqiqin dhe Porfirijen.

Për dekada Serbia është futur në errësirën e primitivizmit.Drejtuesit e sotem të shtetit serb, janë komplet kriminelë lufte, të cilët janë bërë model edhe i gjeneratës së re në këtë shtet.Serbia më slloganin apsurd dhe fashist, për “ popullin qiellor”, edhe i filloj luftërat kunder popujve të tjerë .

Kështu Millosheviqi nxiste urrejtje ndëretnike më ndihmen e paramiltarëve Arkan , Dragan e paramiltarëve të tjerë, e në mesin e tyre ishte edhe Aleksander Vuqiqi, të cilët bënë masakra të pa para më shkatërrimin e ish-Jugosllavisë.

Skenarë për ti përseritur masakrat ndaj shqiptarëve në veri të vendit, ishte koncentrimi i grupit terroristë në Banjskë, ku u zbuluan pajisje të mëdha dhe moderne ushtarake të dërguara nga kryeterroristi Aleksander Vuqiq, përmes terroristit Radojqiq.

Ky grup kishte për synim skenarin trishues të vrasjve të ndonjë serbi mbrenda kishes, apo edhe aty afër, për ti fajësuar si gjithmonë shqiptarët, dhe pastaj të vazhdohet më skenarin e kryengritjës të minoritit serb, për të bërë faktike ndarjën e veriut të Mitrovicës nga jugu.

Një operacion i tillë ushtarakë i Vuqiqit dështojë falë ndërhyrjës të policëve tanë heronjë , të cilët shpartalluan këtë grup duke vra disa prej tyre e të tjerët arritën të largohen, për çka edhe këtyre ditëve për largim të grupit u vunë dyshime spekulative mbi pjestarët e KFOR-it, të cilët dëklaruan, së nuk kan lidhje më largimin e tyre, dhe natyrishte që këtë duhet edhe besuar.

Politika serbe nuk po mund të devijojnë nga politika destruktive luftarake e slobizmit, sheshelizmit , për të vazhduar më vuqiqizem, duke u bazuar në mitin e rrem të kishës për “popull qiellor” dhe “Kosovën si tokë e shejtë serbe”.Historika ka mundësi të përseritet.Regjimi i Millosheviqit kishte hyrë në luftë për Kosovën duke vra dhe duke bërë spastrime etnike.

Ai u ndalë në këtë marshim makabër nga shqiptarët dhe nga NATO.Ne fund qeveria e Millosheviqit nënshkrojë në Kumanovë kapitullimin ushtarak, ku Kosova pas shumë vitesh roberie u pavarësu.Edhe ky pushtet i Vuqiqit herdo kur do të detyron NATO-n, të intervenon ushtarkakisht, për të ndalë këtë psikopat lufte.Diktatori Vuqiq, si njeri i Millosheviqit, njeh vetëm gjuhën e forcës.

Do të ishte gabim sikur edhe deri më tash të mendohet së një kriminel lufte, mund të pëson ndonjë katarsis pozitiv, më të ciln mund të bisedohet për paqë dhe properitet në rajon.Këtë e ka konfirmuar edhe procesi i bisedimeve Kosovë-Serbi, i cili asesi të futet në binar normal të saj, për shkak të qëndrimeve luftënxitëse të Serbisë ndaj Kosovës , por edhe ndaj Malit të Zi dhe BH-s.BE-ja dhe NATO, ishte dashur të shkatërrojnë folën e të keqës në Ballkan, siq është Serbia e Vuqiqit.Tek e fundit as Millosheviqin nuk e rrëxuan fjalet dhe lutjet,si po tenton BE-ja me Vuqiqin, por forca e NATO-s.

Continue Reading

Shkrime

E tradhëtuar nga Albini, Vjosa shëtiste me kuaj nëpër arat e Teksasit

Nga Kimete Berisha

– Se e kanë tradhuar, krejt dhe drejt.

Të vjen shumë inat kur të braktisin, është ndjenjë e dhimbshme, që kryesisht u ndodh atyre që janë mësuar të tradhtojnë vet e nuk e kanë provuar se si të djeg kur ta punojnë pas shpine…!

– E kuptoj.

Anipse, tradhtia u bë konsum i përditshëm, Vjosa u shpreh e befasuar…

A është e mundur moj…më paskan tradhtuar Albini, Donika dhe Glauku, halli i tij!

Tradhtinë e quajti qesharake, ama për tradhtinë e lartpërmendur fliste me vetulla, duke e rrudhur fuqishëm ballin, për të përçuar mesazhin e zemërimit të madh!

Në këtë rast të tradhtisë, unë jam me Albinin, sepse mendoj se shumë mirë ka vepruar që e ka braktisur Presidenten, e cila në kohën kur Kosova ‘digjej’ nga qejfi për të hyrë në Këshillin e Evropës, ajo lodronte nëpër arat e Teksasit, thuajse s’ka ara e kuaj Kosova, sa të duash.

Nuk i duhet më Albin Kurtit.

Rëndomë kështu fillon drama.

– Dhe drama ka katarsis.

S’është faji i Albin Kurtit që Vjosa Osmani për të nuk është më e dobishme.

Ndodhin këto ndarje.

Vet ka faj, sepse duke dashur me mish e me shpirt të bëhet e bukur, Vjosa Osmani harroi të jetë e dobishme.

– Gracka kryesore në të cilën bien gati të gjitha gratë është nevoja e tmerrshme dhe e pashpjegueshme për t’u dukur bukur për krejt dynjanë.

Vjosa Osmani është hakmarrëse dhe nuk ia falë Albinit…ani asaj Donikës…, por derisa ajo bën plane për hakmarrje, Albini e ka kryer punën.

– Vet fakti që Presidentja shprehet e  befasuar ‘jashtëzakonisht shumë’ (siç u shpreh ajo), me veprimin e ish shokëve të saj lidhur me letrën që ia kanë dërguar Këshillit të Evropës, pa dijeninë e saj, tregon se Vjosa e ka humbur luftën me ta!

Tha: ‘Të gjitha kanë râ në ujë’.

Por unë mendoj se në ujë ka rënë veç autoriteti i saj, asgjë tjetër.

– Njerëzit janë të poshtër, t’i skuqin faqet, kur nuk e pret, dhe kryesisht atëherë kur ti kujton se i ke punët më së miri.

– Qe, me çfarë Sherife kemi pas punë.

Presidentja nuk guxon të befasohet.

Presidentja duhet të jetë e informuar për çdo gjë dhe nëse s’është e informuar, nuk duhet t’i tregojë popullit se e kanë mashtruar shokët dhe idoli i saj Albini, se populli mërzitet.

Që do të thotë se president është ai që ty të befason e ti s’ke çfarë ben, dhe merr kry’ e del në shesh e shpreh zemërimin!

Që do të thotë se president është ai djali i ojq-së që e ka ditur para presidentes sa sahati dhe ka treguar në twiter.

– Çka paska kujtuar!

Veç ajo të tradhtojë Isën e Fatmirin dhe të tjerë që i ka mbuluar harresa!

– Veç ajo të shfrytëzojë të gjallë e të vdekur për ambicie të çmendura politike, estetike dhe materiale.

Jo. Nuk mundesh. Ti edhe mundesh, po pastaj nuk mundesh se nuk të lë Albini.

– Vjosa është mbivlerësuar, dhe për këtë ka ‘faj’ Albin Kurti, të cilit boll mirë i ka shërbyer, por qe, meshkujve nuk u besohet!

Ka kujtuar që Albini është Putini që kjo ia tregon vendin sa herë do.

Nëse do të merrej më pak me çështje planetare dhe globale, sidomos me Rusinë, ndoshta do të kapërcente më lehtë, do ta vërente se shokët e idealit po e tradhtojnë.

– Çfarë presidente është ajo që e mashtron Donika Gërvalla!

Hajde të të mashtrojë Peci e ka një derë.

– Nuk është.

Betejat e Albin Kurtit nuk shihen, veç u del tymi, siç po i del tani Vjosa Osmanit nga kapaku i kresë dhe më gjërë.

– Vjosa bile ka shtëpi në Marigonë.

E Albini jeton me qera falas (aq i mençur është, nuk ka talent ta blejë një shtëpi)

– Se posti e pozitat shkojnë, e luksi mbetet përgjithmonë.

– Një grua tjetër, ‘shoqe’ e ngushtë e Vjosës (që një ditë prej ditësh do ta tradhtojë), ajo Statovci,  tha që mos prisni ju (as mos mbani ymyd) që Vjosa me Albinin do të prishen…që sipas saj, Vjosa po ‘rrenë’!

P.S. Tradhtinë e paske në fis, paç veten në qafë,

E s’do t’mendoj më hiç për ty dhe s’do të kem gjynah.

Continue Reading

Shkrime

‘Meta ‘ia mat kokën me spango’ Berishës, ka rritur stekën e kërkon gjysmën në listën e kandidatëve për deputetë’

Nga Jakin Marena

Partia Demokratike e ndarë në disa pjesë, ka një ëndërr në ‘sirtar’, mundjen e Edi Ramës dhe rrëzimin e PS nga pushteti, teksa kanë qëndruar për 3 mandate në opozitë. Kërkesë modeste kjo.

Por qëllimi i vërtetë i këtyre pjesëve të PD është i ndryshëm. E ndarë mes Sali Berishës që kryeson Rithemelimin një grupim politik i formuar nga fraksioni më i madh i shkëputur nga PD, Lulzim Bashës kreun zyrtar të PD, si dhe grupi i bojkotuesve demokratë, të cilët luftojnë secili për hesapin e vet dhe për të realizuar qëllimin e vet.

Rithemelimi është vënë totalisht në mbështetje të ‘kauzës’ së lirimit të Berishës nga arresti shtëpiak, ku me kërkesë të SPAK, Gjykata e Posaçme e ka izoluar në shtëpi nën akuzën e korrupsionit pasiv dhe thyerjes flagrante të vendimeve të gjykatës.

Gjithë anëtarësia e Rithemelimit është vënë në dispozicion të kryetarit të grupimit, duke filluar nga përcaktimi i listave ditore për pjesëmarrje në tubimet e Berishës në majë të ballkonit të pallatit të tij në rrugën “Mustafa Matohiti” në Tiranë, e deri te përcaktimi i listës për pjesëmarrje në protestat e të martës para bashkisë së Tiranës.

Me këtë organizim merret vetë pasardhësja direkte në linjë gjaku e Berishës në krye të këtij grupimi politik, vajza e tij Argita Malltezi. Është ajo, e cila drejton në prapaskenë gjithë punët e Rithemelimit, ndërkohë që zëri zyrtar janë Flamur Noka dhe Gazmend Bardhi. Që dalin çdo ditë në media dhe panele televizive, duke folur në emër të Berishës dhe për Berishën.

Kanë prodhuar dhe një ‘set’ bluzash që kanë në qendër foton e Berishës, dhe të shkruar “Lironi Berishën”. Me një ‘kostum’ të tillë deputetët e Rithemelimit me në krye Nokën ‘demonstruan’ dhe para kreut të SPAK Altin Dumani, ditën kur ai raportoi për punën e institucionit më të lartë të hetimit në Komisionin e Ligjeve. Një sfidë e hapur ndaj drejtësisë së re, por ata janë të bindur se me shërbimin ndaj Berishës, i shërbejnë vetes por dhe popullit demokrat. Të paktën për këtë e kanë bindur veten, pasi nuk ka si shpjegohet ndryshe një budallallëk i tillë.

Kauzat e Rithemelimit, u bashkohet herë herë dhe Partia e Lirisë dhe kryetari i saj Ilir Meta që ka të njëjtin hall me Berishën pasi po si ai është objekt i hetimit të SPAK për dosje të ndryshme dhe të rënda gjithashtu, janë kauza ‘mobile’ dhe të rastësishme në përshtatje me rrethanat si dhe në shërbim të kreut të Rithemelimit, të mbyllur që prej 6 muajsh në arrest shtëpiak.

Pra tek Rithemelimi, përpos deklaratave verbale që reflektojnë ëndrrën për të rrëzuar Ramën, i cili për hir të së vërtetës as në ëndrrën më të bukur të anëtarësisë së këtij grupimi nuk rrëzohet me votë jo e jo, por as me mjete të tjera që përmend Doktori dhe pasuesit e tij herë pas herë në momenetet e ekzaltimit politik majë ballkonit para 30-40 vetave që mblidhen tek “Rrugica e Salës” apo para bashkisë së Tiranës, pra përpos deklaratave me rrëzim regjimi, e gjithë kauza politike e Rithemelimit përmblidhet në qëndrimin poshtë ballkonit të Berishës.

Ndonëse kemi hyrë në vitin zgjedhor, nuk ka asnjë shenjë organizimi tek Rithemelimi, për të shpalosur alternativën zgjedhore dhe bindur qytetarët ose të paktën demokratët se pse duhet t’ua japin votën atyre. Asgjë nga këto përgatitje, thjeshtë lëvizje kaotike. E dinë si dreqi se vendimi i Apelit më 11 qershor për vulën dhe logon e PD, dhe sikur të ketë gjithë qëllimin e mirë të Zotit për t’ia dhënë këtë mundësi Berishës dhe Rithemelimit, nuk kanë ku të kapen për ta bërë një gjë të tillë. Për ta zvarritur se bëjnë dot më tej, pasi e kanë bërë ‘baltë’ dhe në një formë apo tjetër vula e logoja e PD do të shkojnë ose tek Basha ose tek Berisha. Me shumë gjasa do të shkojë, tek Basha. Ai duket se i ka ‘letrat’ si më në rregull me këtë punë.

Pavarësisht se janë të bindur për fatin e vulës dhe logos, Berisha nuk ka menduar, ose sëpaku nuk e ka thënë me zë të lartë nëse do të shpallë ndonjë emër të ri të partisë së re tashmë, nuk është vështirë pasi Meta për dy ditë e bëri dhe me emërime rrufe madje një gjë të tillë, ose do të gjejë një ‘strehë’ politike për të regjistruar kandidatët e vet në zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm. Theksojmë se është grupimi më i madh politik i opozitës, ndonëse është pa emër dhe ‘në të zezë’.

Gjasat që të jetë nën ‘strehën’ e Partisë së Lirisë janë të pakta, pasi kreu i kësaj partie Ilir Meta ka një ‘oreks’ të paparë politik, dhe kërkon që të jetë ai në krye të kësaj pjese të opozitës, dhe jo të jetë fiktivisht Sali Berisha i cili është nën arrest shtëpiak. Të paktën Meta kërkon që të bindë mbështetësit se nuk do të pësojë të njejtin fat me Berishën deri në zgjedhjet e vitit 2025. Pra shpreson të mos ketë ndonjë kërkesë nga SPAK për ndonjë arrest të mundshëm.

Dhe Meta dihet se Berishës ‘ia mat kokën me spango’, duke e rritur ‘stekën’ e kërkesave dhe duke kërkuar gjysmën e vendeve të sigurta në listën e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet parlamentare. Ndaj nuk bëjnë zë për ndryshimet ligjore për votimin e kandidatëve. Pra mund të kërkojë gjysmën e atyre votave që janë taksur për Rithemelimin e PL të bashkuar në një aleancë. Shembullin konkret e dhe për zgjedhjet vendore të 14 majit të vitit të kaluar kur i mori Berishës gati gjysmën e këshilltarëve bashkiakë në të gjithë vendin.

Nëse Berisha nuk e pranon ‘hyqmin’ e Metës, atëherë kreut të Rithemelimit do t’i duhet t’i drejtohet Vangjel Dules, falë dhe kandidatit të përbashkët për Himarën Fredi Bejleri dhe ky në burg për blerje votash, ose ndonjë partie tjetër të vogël, ndonjërit prej fraksioneve të Ballit Kombëtar apo Partisë Demokristiane të Nard Ndokës. Të paktën sa për të shfrytëzuar logon e partisë aleate, dhe për të regjistruar kandidatët për deputetë të Rithemelimit.

Por deri më tani tek Rithemelimi nuk ka ‘erë’ zgjedhjesh. Janë në funksion të Berishës, dhe kjo për hir të së vërtetës nuk është aspak lojë politike por përballje e një grupimi të tërë politik me drejtësinë e re, përballje e mbushur me kërcënime dhe fyerje në drejtim të kreut të SPAK Altin Dumani e prokurorëve të këtij institucioni hetimor që kanë lidhje direkt me hetimin e Berishës, apo me gjyqtarët e posaçëm, me ata që kanë në dorë dosjet e Berishës.

Protestojnë dhe para bashkisë së Tiranës, duke kërkuar përmes molotovit dorëheqjen e kryetarit Erion Veliaj, i cili për hir të së vërtetës në 2027 e përfundon vetë ciklin e tij në krye të bashkisë së Tiranës, pasi sipas Kushtetutës nuk mund të kandidojnë më për një mandat të katërt në krye të bashkisë më të madhe në vend. Ndaj themi se kjo pjesë e opozitës po harxhon kohë, nerva dhe energji për një kauzë që në të vërtetë është një bllof.

Kapin dhe ndonjë ‘kauzë’ të rastit, blofuese më tepër, siç ishte dhe rasti më i fundit i dhunimit të avokatit të Berishës, Sokol Mëngjesi nga katër të rinj këtë të mërkurë, për hesapet e tyre në lidhje me një gjyq pronash, por që Berisha dhe mbështetësit e tij deri në momentin e vetëdorëzimit të njërit prej autorëve që u rrëfye për arsyen e kësaj dhune ndaj avokatit, deklaronte se i kishte dërguar Rama për ta rrahur avokatin e Berishës, si presion për mbrojtjen që i bën kreut të Rithemelimit. Ishte çështje private sepse avokati nuk mbron vetëm Berishën, ka shumë e shumë çështje të tjera. Aq më tepër që sikurse thonë dhe kolegët e tij, Mëngjesi është një ndër avokatët më të mirë në vend dhe çështjet e mëdha për të mbrojtur i ka me shumicë.

Pjesa tjetër e opozitës, PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha, ndonëse thuhet se po bën fushatë derë më derë tek demokratët për t’i larguar nga Berisha apo bojkoti, ka një mbështetje modeste. Të paktën këtë thonë dhe sondazhet serioze deri më tani. Ka mbështetje më pak se sa gjysma e Rithemelimit të Berishës dhe kjo është një e vërtetë e dhimbshme, por e drejtuar nga një dembel funksional dhe një lider që nuk ngjit askund si Lulzim Basha, kjo pritej prej tij. Të paktën deri më tani, ndoshta në të ardhmen ka dhe dyfishim mbështetjeje, pasi PD zyrtare është e vetmja që artikulon alternativa dhe propozime nga copat e ndara të PD. Alternativa si sytë e vet, por të paktën i artikulon. Por dhe godet majtas e djathtas, pasi e ndjen veten të paktën deri më tani jashtë ‘rrezes’ së goditjes së SPAK. Të cilin e mbështet publikisht.

Mbi të gjitha, përpos drejtësisë së re, PD zyrtare e drejtuar nga Lulzim Basha ka dhe një orientim Perëndimor, deklaron aleancën me SHBA, Britaninë e BE, përkundër Berishës dhe Rithemelimit që SPAK-un dhe partnerët tanë ndërkombëtarë i ka vënë në qendër të goditjes, duke i shpallur armiq të opozitës, dhe sipas tij, të kombit shqiptar.

Ndërsa pjesa më shumicë e demokratëve dhe mbështetësve të tyre që kanë bojkotuar zgjedhjet me radhë, sepse nuk dinë kujt t’ia japin votën, janë sërish në kaos e gjasat janë që të mos votojnë askënd, por të rrinë në shtëpi ditën e votimit. S’kanë për kë votojnë në këtë PD të ndarë në disa copa dhe të shuar thuajse përfundimisht.

Për hir të së vërtetës dhe sikur të mblidhen të gjitha votat e Rithemelimit, të PD zyrtare, të PL së Metës dhe tërë opozitarëve të tjerë që janë kundër Ramës dhe PS, bëjnë vetëm pak më shumë se gjysma e votave që kjo mazhorancë merr dhe sikur zgjedhjet të zhvillohen ditën e sotme. Pra e ka të sigurtë PS mandatin e katërt qeverisës. Madje me humor njerëzit thonë se “Rama po bën fushatë për mandatin e pestë qeverisës, për atë që ai e quan Shqipëria 2030”. Pra PD dhe opozita në tërësi as në rastin më fatlum nuk i afrohet me vota PS-së. Ndaj i janë ‘dorëzuar’ kauzave të tjera, atyre të rastësishme dhe me objekt kryesor, Berishën. “Rrotullohen” rreth ballkonit.

Për hir të së vërtetës PD dhe opozita duket sikur është ‘mbyllur’ në “Rrugicën e Salës”, sikur është atrofizuar tek pallati i Doktorit në qendër të Tiranës, në funksion tërësor të hallit të tij dhe familjes së tij, që kanë me drejtësinë, për dosjet e rënda që kanë në ngarkim. Kjo është kauza e vetme e grupimit më të madh politik kur kemi hyrë në vitin zgjedhor, dhe në një distancë të konsiderueshme rreth saj ‘vërtitet’ PD zyrtare e Bashës, në përpjekje për të shkëputur ndonjë pjesë të anëtarësisë dhe mbështetjes së Rithemelimit, për partinë që ai drejton.

Duke parë dhe situatën që po zhvillohet për lidershipin e Rithemelimit, me shumë gjasa do ta drejtojë pas Berishës, vajza e tij, Argita Malltezi, praktikisht PD në të gjitha pjesët është drejt greminës dhe shuarjes së plotë. I ngjan një dyqani të mbyllur që shërben përmes dyerve të brendshme të komunikimit, vetëm për familjarët e vet. Jo për qytetarët. Pra ‘dyqani’ PD e ka ulur “qepenin”, nuk shërbehet më për ‘klientët’, është vetëm për familjarët e Doktorit.

Dhe ngjan me ato dyqanet e mbyllura në Tiranë, që shkruajnë në derë ‘likujdim’, dhe ‘mbyllur’. Ndërkohë që Berisha nga kati i tetë i pallatit, duket si ata pleqtë e familjes që u kujtojnë klientëve të vonuar apo që nuk kanë lexuar çfarë shkruhet në derë, se ‘dyqani është mbyllur mor bir’. Në këtë situatë është katandisur PD e ndarë në disa copa dhe që Berisha nga njëra anë e quan pronë të vetën që bën çfarë të dojë me të, dhe Basha nga ana tjetër që s’ka lidhje me lidershipin. Pjesa tjetër e opozitës futet në ‘seksionin’ të ‘tjerat’. Pra pa peshë politike.

Continue Reading
Advertisement

TRENDING