Politike
A kërcënohet stabiliteti i rajonit nga Rusia? Rama: Lufta është po kaq pranë…
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar gjatë konferencës së përbashkët për media me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky se në rajon ka një rrezik real për stabilitetin nga Rusia.
Rama u shpreh se në Ballkanin Perëndimor ka probleme dhe nuk është e vështirë të ndiqet logjika e të gjeturit harta apo mesazhe nga e kaluara.
Kreu i qeverisë shqiptare u shpreh se nëse do të ndiqet logjika e Vladimir Putinit për nisjen e luftës bazuar në lavdinë e të shkuarës nuk do të jetojmë më në botën që njohim, por në një botë ku më i fuqishmi do të vendosë.
“I thashë diçka presidentit që do t’ua tregoj edhe juve atë që është përgjigja më e saktë dhe e qartë për faktin se ku mund të shkojë bota nëse ndjekim logjikën e Vladimir Putinit për justifikimin e një lufte duke i bërë thirrje të shkuarës
Kjo është perandoria mongoleze, Rusia është brenda saj. Ai që e publikoi këtë erdhi pas intervistës së Putinit, por u garantoj se mongolezët janë paqësorë. Imagjinoni sikur në këtë rajon të gjithë t’ia nisin t’i shohin marrëdhëniet ndërkombëtare në harta, do të ishte një luftë që nuk do të merrte fund.
Ajo që më shqetëson më fort është se jo të gjithë e kuptojnë sot se sulmi ndaj Ukrainës nga Putini nuk është vetëm ndaj Ukrainës, por ndaj rendit botëror të mbështetur në rregulla dhe bashkësisë së botës demokratike. Është një sfidë, më e hapura ndaj vetë ekzistencës së BE-së. Jo sepse Rusia do pushtojë Gjermaninë, por nëse kjo logjikë e luftës së bazuar në të shkuarën dhe lavdinë e historisë ne nuk do të jetojmë më në botën që njohim, por në një botë ku më i fuqishmi do të vendosë.
Kur vjen fjala te ne në Ballkanin Perëndimor, sigurisht që nuk jemi rajon pa probleme. Nuk është e vështirë të gjesh harta apo histori e mesazhe që mbështeten në lavditë e të shkuarës, përkundrazi. Në të njëjtën kohë ne duhet të vijojmë punën së bashku. Na duhet të forcojmë institucionet tona, demokracinë e ekonominë tonë. Sa më shumë fuqi të përftojmë në këtë drejtim, aq më pak rrezikohemi nga ajo që është e pazgjidhur.
Po ka një rrezik të qartë e real për Ballkanin Perëndimor për shkak të agresionit rus, por askush nuk duhet ta shohë si një skenar ku ushtria ruse vjen këtu, por duke vënë në pikëpyëtje parimet e botës sonë”, u shpreh Rama.