Shkrime
A mund ta arrijë Trump paqen e përjetshme në Gaza?
Joschka Fischer
Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë dobësuar ndjeshëm dhe ndoshta në mënyrë vendimtare, të ashtuquajturin Bosht të Rezistencës – të udhëhequr, të financuar dhe të armatosur nga Irani – dhe programin bërthamor të Iranit.
Udhëheqësit e Hezbollahut (në Liban) dhe Hamasit (në Gaza) janë eliminuar dhe regjimi i Assadit në Siri është përmbysur. Lindja e Mesme tani është një vend tjetër dhe Irani dhe Boshti i tij i Rezistencës janë ndër humbësit më të mëdhenj.
Por pjesa më e vështirë e udhëtimit, projekti i vendosjes së asaj që Trump e quan paqe “e përjetshme”, është ende përpara. Situata kërkon vendime të guximshme politike nga të gjitha palët – jo vetëm gjeste retorike, por ndryshime të vërteta në terren – dhe këto duhet të vijnë shpejt. Për më tepër, duhet të arrihet një udhërrëfyes i realizueshëm nëse paqja në Lindjen e Mesme, apo edhe menaxhimi i konfliktit, do të ketë ndonjë shans.
A ka shumicë në Izrael për këtë, apo në anën palestineze? A mund t’i detyrojë Trump të dyja palët të qëndrojnë në kurs, dhe a do të kenë SHBA-të durimin për ta çuar atë deri në fund? Pa të gjitha palët që angazhohen për një heqje dorë të qëndrueshme nga dhuna dhe një kthim në njohjen reciproke të së drejtës së njëri-tjetrit për të ekzistuar – me fjalë të tjera, një kthim në Marrëveshjet e Oslos – nuk mund të ketë paqe.
A është e mundur kjo me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i cili ka hedhur poshtë një zgjidhje me dy shtete?
Nevoja më e menjëhershme është për një proces politik me një afat kohor dhe hapa të dakordësuar. Pa këtë, nuk do të ketë paqe, as ndonjë gatishmëri nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të financuar rindërtimin e Gazës – i cili është një tjetër përparësi urgjente.
Çfarë do të ndodhë me dy milionë palestinezët në Gaza pa strehim apo kujdes shëndetësor? Nuk është shenjë e mirë për të ardhmen që një popullsi dërrmuese e re është privuar nga vendet e punës, arsimi dhe trajnimi. Është vendi ideal për përhapjen e islamistëve radikalë si Hamasi ose grupe të tjera terroriste që janë në kundërshtim me kauzën e paqes.
Por kush do ta qeverisë dhe administrojë Gazën, apo do të ofrojë siguri dhe do ta çarmatosë Hamasin?
Kush nga ana palestineze mund ta shndërrojë trillimin diplomatik të një “Shteti të Palestinës” në realitetin e një fqinji paqësor dhe të sigurt të Izraelit? Dhe deri në ç’masë do të duhej që një shtet i tillë të çmilitarizohej? Qeveritë arabe nuk kanë gjasa të angazhohen materialisht ose politikisht ndaj një plani rrugor që i mungon një proces i besueshëm për krijimin e një shteti palestinez – edhe pse lufta në Gaza ka treguar se një çështje palestineze e pazgjidhur mund të ketë pasoja afatgjata dhe kërcënuese edhe për to.
Pastaj është Izraeli. A është qeveria aktuale e përgatitur të bjerë dakord për ndarjen e territorit historik të Mandatit të Palestinës – duke përfshirë Bregun Perëndimor dhe Gazën? Po çështja jashtëzakonisht e vështirë e Jerusalemit dhe çështja edhe më e ndërlikuar e Malit të Tempullit?
Pikërisht sepse ky rajon, dhe Jerusalemi në veçanti, ka qenë gjithmonë i lidhur me tre fetë abrahamike – Judaizmin, Krishterimin dhe Islamin – përfaqësuesit e secilës do të luajnë gjithmonë një rol vendimtar në negociatat politike. Sidomos drejt fundit të bisedimeve të mundshme për paqe, mesazhet dhe premtimet fetare nga autoritetet më të larta (dhe mënyra se si interpretohen ato) do të jenë thelbësore.
Nëse Trumpi e mendon vërtet atë që thotë, ai ka marrë përsipër një barrë të madhe. Ai bëri fushatë me premtimin për t’i dhënë fund rolit të Amerikës si polici i botës, por tani po merr përsipër atë që është padyshim sfida më e vështirë në politikën ndërkombëtare bashkëkohore.
SHBA-të, me fuqinë e tyre të jashtëzakonshme, janë e vetmja fuqi që ka një shans për të pasur sukses. Por a ka Trumpi durimin dhe qëndrueshmërinë që kërkon kjo detyrë? Dështimi do ta zhyste Lindjen e Mesme në trazira edhe më të thella. Evropa, fqinja e rajonit, duhet ta mbajë gjithmonë parasysh këtë.
Joschka Fischer, ministër i Jashtëm i Gjermanisë dhe zv/kancelar nga viti 1998 deri në vitin 2005, ishte udhëheqës i Partisë së Gjelbër Gjermane për gati 20 vjet
Të drejtat e autorit: Project Syndicate, 2025