Connect with us

Shkrime

A mund ta ndalojë Athina vizitën e Edi Ramës më 12 maj?

Nga Ylli Pata

Shkrimi i sotëm i një prej gazetave më të rëndësishme në Greqi, Kathimerini, ka treguar se situata me vizitën e Edi Ramës më 12 maj në Athinë, është një triller i vërtetë politik, ku deri tani opinioni këtu dhe në Greqi dinë pak gjëra.

Siç bëhet e ditur nga gazeta e njohur greke, shoqatat e emigrantëve shqiptarë të Greqisë, paskan marrë një leje në bashkinë e Athinës për të mbajtur takimi e 12 majit në Pallatin Olimpik të Sportit, Galatsi, një arenë totalisht e mbyllur, që vende të ulura ka 6200.

Çdo gjë po shkonte normalisht, derisa më pas bashkia e Athinës, ka anuluar lejen për Pallatin Galatsi, me preteksin se do të ketë aktivitete sportive. Kryetar i bashkisë së Athinës, është Haris Dukas, një politikan i PASOK dhe kundërshtar i qeverisë së Qirjako Micotaqisit.

Ndërkaq, emigrantë shqiptar në Greqi, bëjnë të ditur për TemA, se anulimin e lejes nuk e ka bërë bashkia e madhe e Athinës, por bashkia e Galatsit, që është një njësi vendore e veçantë në rrethinat e kryeqytetit.

Siç bëjnë të ditur, kryetar atje është një zyrtar i Nea Demokratia, Giorgos Markopoulos, i cili ka edhe origjinë shqiptare.

Po këta shqiptarë, theksojnë se kryebashkiaku i Athinës, Haris Dukas, nuk ka gjasa të hynte në lojra të tilla.

Por siç bën të ditur Kathimerini, deri më sot, bashkia e Athinës nuk ka dhënë një alternativë se ku mund të zhvillohet aktiviteti. Madje gjërat kanë shkuar aq thellë, sa ka ndërhyrë qeveria greke, duke i kërkuar qeverisë shqiptare që takimin Rama, ta mbajë pas 9 qershorit, kur zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Por siç thotë Kathimerini, Rama ka vendosur që takimin ta mbajë me patjetër. E shkon edhe më tej, kur kujton se 12 maji është një provokim i pastër politik, pasi pikërisht atë ditë mbush një vit që është arrestuar Fredi Beleri.

E ketu nis trilleri të marrë ngjyra edhe më të ndezura në përplasjen politike, pasi sipas gazetës greke, Rama do të hyjë në fushatë, duke përdorur këtë simbolikë.

Madje siç shton Kathimerini, vizita e Ramës mund të ngjallë qarqet nacionaliste të veriut të Greqisë kundër Shqipërisë dhe kryeministrit shqiptar. Duket këtë pretekst kanë përdorur zyrtarët grekë për të kërkuar shtyrjen e vizitës.

Mirëpo sot, në ditën kur artikulli i Kathimerinit ka dalë në shtyp, Edi Rama ka publikuar një postim në faqen e tij në Facebook, ku konfirmon se më 12 maj do të jetë në Athinë.

Deri tani kemi një duel të fortë politik, që pritet që të sjellë seri tjetër të telenovelës. Kathimerini shkon më tej, kur tregon se ka llogaritur ditët e dënimit të Fredi Belerit, e sipas kësaj matematike, ai del nga burgu në muajin gusht, por i dënuar, çka do të thotë se nuk mund të bëjë betimin apo të kandidojë për kryetar bashkie nëse bëhen zgjedhje të reja.

E gazeta greke vijon kur zbulon, pa ndonjë referencë se Vangjel Tavo, ka zhvendosur vendbanimin e tij në Himarë, e sipas të gjitha gjasave do të jetë kandidat i mazhorancës për kryetar bashkie i Himarës në zgjedhjet e reja, që do të kenë një kohë jo të shkurtër për të zhvilluar.

Kathimerini, ndërkaq, duke sjellë në kujtesë konfliktin e vitit 1994 me pesë minoritarët e dënuar në kohën e Sali Berishës së parë, shkruan se u desh ndërhyrja e zyrtarëve amerikanë ku përmend të ndjerin Richard Hoolbroke.

Po a mund të ndalojë Athina zyrtare takimin e Edi Ramës me emigrantët shqiptarë? Natyrisht ka të gjitha instrumentet politikë dhe diplomatike për ta bërë. Por nëse e bën në mënyrë të mënyrë të njëanshme, ajo mund të kthehet në një boomerang. Nuk harrohet rasti kur zyrtarë greke vijnë në Shqipëri sa herë të duan jo vetëm për të takuar minoritetin, por edhe për të sulmuar qeverinë shqiptare.

Rasti më i freskët është eskursioni politik i ish-kreut të bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis(nipit të kryeministrit Micotaqis) dhe Konstantinos Zervas, kryebashkiakut të Selanikut, në kulmin e fushatës për zgjedhjet lokale te tetorit të vitit të shkuar.

Ngjarje që u solli një ters të frikshëm partisë së Micotaqisit, pasi humbi dy qytetet më të mëdha greke në zgjedhje: Athinën e Selanikun, e nxori nga politike pikërisht “vizitorët” e Himarës.

Nëse Athina i thërret “arsyes së forcës”, gjasat janë që të krijojë vetëm një reaksion të paleverdisshëm, pasi Edi Rama nuk se është ai model politikani që tërhiqet. Aq më shumë që mundësitë teknologjike janë për të zhvilluar një takim, edhe pa qenë prezent fizikisht.

Ku fuqia dhe rëndësia mund të rritet edhe më shumë, e në këtë rast Micotaqis të bëjë autogol. Një takim virtual online i Edi Ramës qoftë edhe me një auditor të thjeshtë që janë mbledhur në një lokal publik të Athinës, do të bënte më bujë, sesa fjalimi në Pallatin Galatis. i cili do të ishte nën monitorimin e protokollit qeveritar, e ku siç ndodh në raste të tilla ka një marrëveshje për rregullat.

Megjithatë gjasat janë që Athina të mos lejojë takimin fizik të Ramës në Athinë, e ka shumë mundësi të kemi atë virtual, ku tensioni dhe përplasja do të mbetet si temë kryesore mes dy qeverive.

Dhe i jep një armë më të madhe jo Edi Ramës në këtë rast, i cili nuk është në fushatë, por Qirjako Micotaqisit, i cili kulmin e fushatës e kthen në një paradë nacionaliste kundër Tiranës.

Siç ndodhi edhe në prag të zgjedhjeve parlamentare e atë lokale, ku Edi Rama i dha një dorë mikut të tij të Athinës që të bëhej skifter për të marrë votat ekstreme. Por siç u dukën bathët, në Athinë e Selanik, baruti qëlloi i lagur.

Advertisement