Politike
A mund të ndikojë Trump në “non gratën” e Berishës? Fatos Lubonja: Ka një mundësi, por…
Fatos Lubonja, u pyet nëse ekziston mundësia që me ardhjen në pushtet të Donald Trump në Amerikë, të hiqet non grata e Sali Berishës.
Lubonja tha se ekziston një shans i vogël përmes lobimeve. Por, Lubonja shtoi se Trump ka treguar se adhuron njerëzit që kanë pushtet e parë në këtë prizëm, Trump do mbështeste më tepër Ramën sesa Berishën.
“Donald Trump e ka treguar se adhuron njerëzit që kanë pushtet. Nëse Trump do shohë një njeri të fuqishëm në Shqipëri ai është Edi Rama dhe jo Sali Berisha. Aq më tepër që Rama ka interesa ekonomike me dhëndrin e Trump, Kushner.
Nëse Berisha do ishte në pushtet, do kishte më tepër shanse që t’ia hiqte non gratën. PD ka një iluzion. Por një shans i vogël ekziston përmes lobimeve, por sërish Trump nuk prish marrëdhëniet me PD-në. Por, PD duhet të mbështetet tek shqiptarët e jo të mendojë për Trump” – tha Lubonja.
Sipas tij, Trump i sheh gjërat si biznesmen duke shtuar se vizioni i Trump është antineoliberal globalist. Lubonja deklaroi se Donald Trump është populist dhe se dëshiron një Europë të shteteve e jo të bashkuar.
“Trump premtoi se do të ndalë luftërat. Donald Trump i sheh gjërat si biznesmen. Trump bëri premtime të mëdha, që më duken të fryra. Vizioni i Trump është antineoliberal globalist. Ai do një Amerikë që tërhiqet brenda vetes që forcohet dhe bëhet konkurrente me ekonomitë e tjera.
Donald Trump është një populist, i eci ky populizëm në fitore, por tani të shikojmë çfarë do të ndodhë. Trump nuk do Europë të bashkuar, por do Europë të shteteve. Donald Trump ftoi vetëm kryeministren italiane Georgia Meloni, që është e djathta. Europa duhet të bashkohet që të shohë interesat e veta” – tha Lubonja.