Connect with us

Lifestyle

A ndikon radha e konsumimit të ushqimeve në shëndetin tonë?

 

Shumë nga ne janë rritur duke dëgjuar që duhet të hamë perimet së pari dhe më pas të kalojmë tek ushqimet e tjera, por a ka ndonjë bazë shkencore për këtë sugjerim? Një studim i ri hedh dritë mbi këtë çështje dhe shpjegon se rendi iushqimeve që konsumojmë mund të ketë një ndikim të rëndësishëm në shëndetin tone.

Duhet të fillojmë me ushqime që përmbajnë proteina dhe fibra, në mënyrë që të ruajmë nivel të qëndrueshëm të sheqerit në gjak. Proteinat dhe fibrat ngadalësojnë tretjen dhe përthithjen e karbohidrateve, duke parandaluar ngritjen e papritur të sheqerit në gjak.

Si funksionon kjo?

Kur fillojmë vaktin me proteina dhe fibra, stomaku ynë zbrazet më ngadalë. Kjo do të thotë se ushqimi kalon në zorrë në një ritëm më të ngadaltë, duke ndihmuar në kontrollin e nivelit të sheqerit në gjak dhe duke na mbajtur të ngopur për një kohë më të gjatë. Përveç kësaj, një nivel i qëndrueshëm i sheqerit në gjak ndihmon në parandalimin e urisë së papritur dhe dëshirës për konsumimin e ushqimeve të pashëndetshme.

Çfarë duhet të bëjmë?

Përpiquni të filloni vaktin tuaj me një sallatë të pasur me fibra, si për shembull spinaq, lakër jeshile, ose me një supë me perime. Pas kësaj, kaloni te një burim proteinash si pula, peshk, ose bishtajoret. Vetëm pas konsumimit të këtyre ushqimeve, kaloni te karbohidratet si buka, orizi, ose makaronat.

Përveç qëndrueshmërisë të nivelit të sheqerit në gjak, kjo metodë mund të ndihmojë edhe në menaxhimin e peshës. Kur konsumojmë fillimisht ushqime që na mbajnë të ngopur më gjatë, kemi më pak gjasa të konsumojmë më shumë kalori se sa na duhen vërtet.

Ndjekja e radhës së ushqimeve mund të duket si një detaj i vogël, por mund të ketë një ndikim të madh në shëndetin tonë. Duke filluar me proteina dhe fibra, mund të përmirësojmë kontrollin e sheqerit në gjak, të menaxhojmë peshën dhe të përmirësojmë ndjesinë e ngopjes.

Advertisement