Kosova
A po gënjen Gërvalla publikisht, kur thotë se në Bruksel…
Ndonëse të martën në Bruksel, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, në takimet që pati me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviç, dhe të Dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, diskutuan për dinarin serb, pas vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e kësaj valute për pagesa në territorin kosovar, Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka gënjyer duke thënë se në Bruksel nuk është diskutuar çështja e dinarit.
“Në asnjë moment, asnjë përfaqësues i institucioneve nuk e diskuton çështjen e dinarit, çështjen e euros, as në Bruksel as dikund tjetër” – deklaroi Gërvalla, duke insistuar se “përfaqësuesit e Kosovës nuk negociojnë në Bruksel çështjen e legjitimitetit e vendimit të BQK-së rreth dinarit”.
“Çfarë është diskutuar ndër të tjera edhe në Bruksel, por shumë më pak në Bruksel sesa në vende të tjera, është tema a ka masa të fazës së tranzicionit të cilat mund të prekin qytetarët e Kosovës, të cilët për shkak të një faze kalimtare shumë të shkurtër mund të kenë pasoja të caktuara për shkak të të ardhurave që nuk mund t’i kenë më” – sqaroi Gervalla.
Madje, ajo theksoi se “nuk është negociuar për asnjë lloj alternative ndaj vendimit dhe rregullores së BQK-së, asnjë lloj negociate nuk ka pasur rreth asaj”.
“Jo, nuk ka negociata, ka bisedime edhe me Serbinë rreth asaj se cila mund të jetë faza e tranzicionit, sesi mundet mjetet financiare të cilat në formë të ndihmës financiare kanë ardhur nga Serbia me thasë, me vetura pa asnjë kontroll, cilat mund të jenë mënyrat që ato mjete mund të arrinë në të njëjtin destinacion, por duke mos shkelur rregullat dhe ligjet e kushtetutën e vendit tonë” – u shpreh ministrja e kabinetit Kurti.