Connect with us

Kosova

A po ndjek Albin Kurti gjurmët e Millosheviçit/ Opinioni Baton Haxhiut

“Në të gjitha regjimet autoritare të historisë së fundit, përdorimi politik i policisë dhe forcave të sigurisë ka qenë një simptomë e qartë e kalimit drejt konfliktit. Kosova nuk duket të jetë përjashtim në këtë rregull. Sot, me një qeveri që është gjithnjë e më shumë e angazhuar në mobilizimin e Policisë së Kosovës për të luftuar armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, pyetja mbetet: A po ndjek Albin Kurti një rrugë të rrezikshme që njëherë e çoi Serbinë drejt shkatërrimit politik?” – keshtu shkruan gazetari dhe analisti Baton Haxhiu

Sipas tij, në fillim, Gjermania dhe Amerika e mbështetën fuqishëm Albin Kurtin, duke parë tek ai një lider të ri me vizion për reforma dhe drejtësi në Kosovë. Me shpresën se ai do të ndërtonte një qeveri të qëndrueshme dhe pro-perëndimore, ata investuan politikisht dhe diplomatikisht në suksesin e tij. Megjithatë, zhvillimet e fundit kanë dëshmuar se rruga që Kurti po ndjek po shkatërron reputacionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

“Pyetja që shtrohet tani është: deri sa do të zgjasë kjo tolerancë ndaj kryeneçësisë së Albin Kurtit? Pse këto superfuqi po tregohen të pafuqishme përballë një lideri që duket se po e devijon Kosovën drejt një rruge që i shkon për shtat interesave të Rusisë dhe Serbisë dhe njëkohësisht po e pëson nje popull që vuajtjet i ka te freskëta dhe qeverisja është n’dorë të axhamive me karakteristika krejt primitive” – ka theksuar Haxhiu ne nje shkrim autorial.

Analisti i njohur shkruan se “Gjatë krizave politike në veri të Kosovës, përdorimi i forcave policore nuk ka qenë vetëm një masë mbrojtjeje, por një lëvizje taktike për të ruajtur fuqinë politike në prag të fushatave zgjedhore. Është e njëjta taktikë që Sllobodan Millosheviqi përdorte për të konsoliduar autoritetin e tij, duke projektuar armiq të jashtëm, për të larguar vëmendjen nga dështimet e tij të brendshme. Fakti që Ura mbi Ibër është instrumentalizuar për qëllime elektorale flet shumë për këtë qasje: Kur pushteti bëhet i varur nga imazhi i një kërcënimi të përhershëm, policia shndërrohet në vegël për të zgjatur sundimin e qeverisë.”

“Në këtë klimë politike, policia nuk po përdoret si një institucion neutral që duhet të mbrojë të drejtat e qytetarëve, por si një instrument i drejtpërdrejtë i qeverisë. Duke marrë në konsideratë edhe ndërhyrjen e fundit të SHBA-ve, që akuzuan Qeverinë e Kosovës për instrumentalizim të Policisë së Kosovës, nuk ka më vend për dyshime. Ky është një sinjal i qartë që demokracia në Kosovë është në një udhëkryq të rrezikshëm” – ka deklaruar Haxhiu, sipas te cilit – “Ajo që është më shqetësuese është heshtja e opozitës parlamentare, që duket se është në linjë me politikat policore të Kurtit”

“Nacionalizmi i tij populist ka arritur të ndërthurë pasionet kombëtare të të gjithë spektrit politik, dhe me këtë është krijuar një kulturë e frikës dhe intimidimit. Ashtu si në regjimet autoritare të së shkuarës, kur policia përfundon duke ndjekur agjenda politike, ata që nuk përputhen me to, qofshin minoritete apo zëra kritikë, bëhen armiqtë e brendshëm që duhet shuar” – ka potencuar gazetari i njohur.

Advertisement