Connect with us

Kosova

A po pret Brukseli sinjal nga Uashingtoni për dialogun Prishtinë-Beograd/ Bender: Mos besoni te Trump

Në një kohë kur raportet mes Kosovës e Serbisë janë bërë pjesë e diskursit tB presidentit amerikan, Donald Trump, një pyetje që përshkon mendjen e njerëzve është nëse Bashkimi Evropian është duke pritur ndonjë sinjal nga Uashingtoni për të ndërmarrë hapa konkretë në procesin e normalizimit mes Prishtinës e Beogradit.

Presidenti Trump ka përmendur Kosovën e Serbinë si shembuj ilustrues të aftësisë së tij për zgjidhjen e konflikteve. Ai ka deklaruar së fundmi se kishte parandaluar një sulm potencial të Serbisë ndaj Kosovës, ndërsa para kësaj ishte zotuar se do t’i korrigjonte gabimet e paraardhësit i tij, Joe Biden – dhe ndoshta të BE-së – në këtë kontekst.

Për zëvendësdrejtorin e Inciativës Evropiane për Stabilitet, Kristof Bender, ajo çfarë presidenti Trump ka treguar në gjashtë muajt e tij të parë në Shtëpinë e Bardhë është se ai “nuk është partner i besueshëm” në procesin e normalizimit Prishtinë-Beograd, i cili që nga viti 2011 është nën udhëheqjen dhe mbikëqyrjen e Bashkimit Evropian.

“Në gjashtë muajt e tij në detyrë, presidenti Trump ka treguar qartë se nuk është një partner i besueshëm. Tani është më e qartë se kurrë që BE-ja duhet të jetë forca kryesore drejtuese në Evropën Juglindore. Koha kur BE-ja, apo edhe Prishtina, mund të llogarisnin dhe mbështeteshin në SHBA-të, ka përfunduar”, ka vlerësuar Bender.

Bender ka përjashtuar mundësinë që BE-ja të jetë në pritje të një sinjali nga presidenti Trump për të ndërmarrë hapa drejt zgjidhjes finale të mosmarrëveshjes mes Prishtinës dhe Beogradit, duke theksuar se rrjedha e dialogut varet kryesisht nga interesat dhe prioritetet e ndryshme që aktualisht ekzistojnë mes Brukselit dhe Uashingtonit.

“BE-ja ka interes shumë më të madh sesa SHBA-ja që marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të zhvillohen në mënyrë paqësore dhe të qëndrueshme. BE-ja disponon një mjet të fuqishëm për të përmirësuar stabilitetin: ofertën kredibile për anëtarësim në BE, duke i lejuar të dyja vendet – nën kushtin që të bëjnë progres në fushën e reformave dhe sundimit të ligjit – të bëjnë hapa seriozë drejt integrimit evropian”.

E megjithëse BE-ja nuk ka dhënë komente konkrete rreth pretendimeve të fundit të presidentit Trump, ajo ka theksuar vazhdimësinë e bashkëpunimit praktik me SHBA-në për të mbështetur stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik në Ballkanin Perëndimor.

“BE-ja ka interesa shumë të qarta në Ballkanin Perëndimor dhe mbështet fuqishëm perspektivën e zgjerimit të rajonit. Në të njëjtën kohë, ekziston një bashkëpunim i mirë mes BE-së e SHBA-të dhe partnerëve të tjerë në arritjen e objektivit tonë të përbashkët për një Ballkan Perëndimor të qëndrueshëm dhe të zhvilluar ekonomikisht”.

Ndryshe, përderisa terreni i kërkimit të madh për “formulën e zgjidhjes” pritet të vazhdojë përballë pasigurive që rrethojnë Evropën, krahas ngjyrimeve të reja gjeopolitike, mbetet për t’u parë kursi i BE-së dhe SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi.

Advertisement