Politike
A priten surpriza në Shkodër? Minxhozi: Berisha ka probleme madhore në këtë qytet
Gara për qytetin e Shkodrës mund të ketë surpriza. Kështu u shpreh analisti i njohur Skënder Minxhozi
Ai tha se Sali Berisha nuk do ta ketë të lehtë garën në këtë qytet, dhe për këtë solli në vëmendje dy elementë përcaktues: humbjen e mbështetjes nga ish-krahu i LSI dhe futja në garë e Benet Becit, një kandidat ky, i cili sipas Minxhozit është një aset menaxherial, që është krijuar në qeverinë Berisha dhe në këtë kuadër mund të marrë shumë vota nga e djathta.
Ai shtoi se gara në kryeqendrën e veriut është e ethshme dhe këtë gjë e tregojnë edhe sondazhet.
Beci eshte nje personalit të cilin Berisha do ta ketë të vështirë ta sulmojë, sepse është një aset menaxherial i krijuar nga qeveritë Berisha dhe që ka punuar dhe me qeveritë socialiste. Benet Beci është një investim që tejkalon lojërat politike brenda të djathtës apo nëse doni ju edhe mes të djathtës dhe të majtës.
Është një aset që shtrihet dhe që fillon nga e majta dhe futet thellë në territoret e së djathtës. Po krijohet një garë e ethshme në Shkodër, dhe siç e thonë sondazhet, gara do jetë milimetrike. Kjo është një herë e parë për këtë qytet të madh verior dhe për këtë bashki, ku siç ju e dini, nuk ka fituar asnjë kandidat i majtë në këto 32 vite.”, tha Minxhozi.
Ai komentoi rolin që po luan kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në këtë fushatë elektorale. Sipas tij, Meta luan rolin e një bime parazitare, që po zgjedh të rritet në trupin e partive të mëdha, majtas dhe djathtas.
Për analistin Minxhozin, në këto kushte dhe konfigurime, Ilir Meta e ka kuptuar se është i domosdoshëm dhe mund të shërbejë si oksigjen politik për ish-kryeministrin Berisha, i cili është shpallur person “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “minim demokracie dhe për korrupsion”.
“PL është sërish në rolin e saj të asaj bime parazitare, që rritet në trupin e një partie të madhe, herë djathtas dhe herë majtas. Këtë rol bën prej vitesh kjo parti: kur zihen dy vetë, përfiton një i tretë. Meta po ndërton rezultatin final të 14 majit vetëm mbi përçarjen që ka sot në PD, duke shtuar votat e tij kryesisht për këshillat bashkiake. Ai e ka kuptuar se për Berishën, është tejet i domosdoshëm në këtë përballje”, tha ai.
Sa i përket luftës së brendshme në Partine Demokratike, Minxhozi tha se edhe pse në vështirësi, kryetari i komanduar i Partisë Demokratike Enkelejd Alibeaj po fiton pikë me frymën anti-Berisha. Analisti tha se kandidatët e PD-së po u prishin punë emrave të kolicionit “Bashkë Fitojmë” për zgjedhjet e 14 majit.
Në Partinë Demokratike Minxhozi veçoi kandidatin për Tiranën, Roland Bejko, që sipas tij po bën luftën e tij politike përballë krahut të ish-kryeministrit Berisha. Kurse për Gazment Bardhin u shpreh se është ironi të kujtosh pozitën e tij dhe të tkjerëve që heshtin në 8 janar kur u sulmua selia e PD.
“E kam dëgjuar dhe e dëgjoja Alibeajn në deklarimet e tij në fushatë, tha Minxhozi. Kujtesa të çon edhe mbrapsht kur kujton Alibeajn e të tjerët se sa beteja kanë bërë me Berishën, po kjo është e shkuara, më mirë vonë se kurrë. Eshtë mire që Alibeaj e ka kuptuar rolin e Berishës në atë parti. Ai u gjet i papërgatitur në këtë fushatë, ndërkohë Berisha ka filluar Foltoren prej gati një viti.
Ka pasur disa dilema të natyrës organizative dhe logjistike për PD zyrtare dhe sot ne e shohim me një numër të kufizuar kandidatësh dhe ndjekësish, per pasoje dhe me impakt të vogël në fushatë. Ky lloj frymëzimi anti-berisha brenda të djathtës ka pikët e tij. Po bën luftën e tij, po mundohet të afirmohet, më së pari Bejko në Tiranë. Kandidatët e kësaj linje po u prishin jo pak punë kandidatëve të Foltores”, tha Minxhozi.