Connect with us

Kosova

AAK në zyra të reja, mysafiri i parë Ambasadori Hovenier, Haradinaj: Me këmbë të mbarë

Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në selinë e re të AAK’së, Ambasasorin e Shteteve të Bashkuara, Jeffrey Hovenier, për të cilin ka thënë se është mysafiri i parë në zyret e reja.

Haradinaj ka thënë se me Hovenier kanë folur për aktualitetin në vend, bashkëpunimin e ndërsjellë si dhe mbështetjen e ShBA’së ndaj Kosovës.

“Me këmbë të mbarë e në shtëpinë e re, të nderuar që mysafiri i parë ishte Ambasadori Amerikan, Jeffrey Hovenier. Folëm për aktualitetin në Kosovë, për bashkëpunimin e ndërsjellë, pa harruar mbështetjen jetike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha fazat e lirisë e të shtetndërtimit të Kosovës! Me urime të ndërsjella edhe për Festën Kombëtare të Pavarësisë së Amerikës!”, ka shkruar Haradinaj.

Ndryshe, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka pasur afat deri në shtator që ta lirojë objektin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në lagjen Ulpiana, që e ka shfrytëzuar me qira tash e sa vite, meqe Ministria ia ka shkëputur kontratën.

“Obligohet Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) nga Prishtina që objektin e marrë me qira t’a liroi nga të gjitha sendet dhe njerëzit me datën përfundimtare 20 Shtator 2024 si dhe deri me këtë datë duhet të bëjë kompensimin e qirasë sipas nenit 3 paragrafi 1 të Kontratës bazë. Qiramarrësi përkatësisht AAK e ka për detyrë ta ruajë sendin e marrë me qira dhe pas mbarimit të kërkesës për shkëputje të kontratës ta kthejë të padëmtuar sipërfaqen e objektit prej 569 m2 të cilën është duke e shfrytëzuar sipas kontratës bazë”, thuhej në kërkesë.

Advertisement