Kronike
Abazoviç: Mali i Zi po nxit bashkëpunim dhe pajtim në rajon

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, është takuar të martën e 7 shkurtit me Presidenten e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Gjatë takimit ata janë dakorduar për përmirësimin e bashkëpunimit, me fokus te zhvillimi ekonomik dhe projektet infrastrukturore që mund të lidhin dy vendet. Abazoviç përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, pas takimit me Osmanin është shprehur se Mali i zi po nxit bashkëpunimin dhe pajtimin në rajon. Nga ana tjetër, Presidentja Osmani vlerësoi lart fqinjësinë me Malin e Zi, për të cilën kontribuojnë komuniteti shqiptar në këtë shtet dhe ai malazez në Kosovë. Ajo tha se për Kosovën, Mali i Zi është një partner, te i cili ka gjetur mbështetje në vazhdimësi dhe shfaqi shpresën se kjo mbështetje do të vazhdojë edhe më tej. Në këtë frymë, Presidentja Osmani tha se forcimi i vazhdueshëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare ka nevojë për mbështetjen e shteteve mike si Mali i Zi.

