Aktualitet
Abuzim me tendera/ Si BKH në 2023 i sekuestroi telefonin në Rinas rektorit të Universitetit të Bujqësorit

Mbi 20 masa sigurie janë lëshuar me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për stafin dhe pedagogët e Universitetit të Bujqësorit për abuzim me tendera. Nesër rektori i UBT, Fatbardh Sallaku do të flasë në lidhje me ngjarjen në mbledhjen e grupit socialist. Por ky i fundit ka qenë vetë pjesë e një kontrolli të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në vitin 2023.
Asakohe SPAK kishte nisur një hetim në institucione të rëndësishme në vend, ku hetuesit e BKH-së kanë zbarkuar në Universitetin Bujqësor. Rektorit të UBT, Fatbardh Sallakut, iu sekuestrua telefoni duke u futur në aeroportin e Rinasit. Përveç tij u sekuestruan telefonat e tre dekanëve dhe shefit të financave.
Kontrollet u zhvilluan në kuadër të një hetimi në Ministrinë e Infrastrukturës dhe në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit. Bëhej fjalë për çështje korrupsioni mes zinxhirit të punonjësve.
Nuk dihet ende nëse urdhërarrestet e lëshuar sot janë një vazhdimësi e hetimit, ndërsa detaje të reja pritet të zbardhen nga një deklaratë zyrtare e SPAK.

