Politike
“Abuzoi me fondet e SHBA”/ Berisha: Ta hetojë FBI-ja! Delina Fico: Shihemi në gjyq

Një tjetër betejë ligjore duket se e pret kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha. E gjitha ka nisur pasi sot, në një deklaratë për mediat, kryedemokrati Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama dhe persona të afërt me të se kanë abuzuar me fondet e taksapaguesve amerikanë. Berisha akuzoi Delina Ficon, bashkëjetuesen e ish-ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi se ka përfituar shuma të mëdha nga projekte të USAID, duke abuzuar me ligjin dhe Kushtetutën për të pasuruar veten dhe për të pasuar ndikimin në sistemin e drejtësisë. Ndaj edhe kërkoi një hetim të FBI-së dhe një audit të plotë për të zbuluar shpërdorimin e fondeve.
“Delina Fico, bashkëjetuesja aktuale e ministrit Çuçi, dhe ish-bashkëjetuesja e Edi Ramës, ka marrë shuma përrallore me projekte antikushtuese dhe antiligjore nga USAID-i për pasurimin e saj dhe kapjen e sistemit të drejtësisë kryekëput nga Rama dhe enturazhi i tij. Lubia numër 2 apo Delina Fico me këshilltarët ligjorë që kompania e saj në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet, ka afruar Gjykatës së Lartë dhe sistemit të drejtësisë, ka gllabëruar nga fondet e USAID-it dhjetë milionë euro. Dhe për vete rroga dy herë më e madhe se sa e ambasadorit të SHBA në Shqipëri. Unë e kuptoj se ata që kanë vendosur këtë censurë të tmerrshme mbi vjedhjet, shpërdorimin dhe abuzimin e fondeve nga gratë e narkoqeverisë, do shpërndajnë lajmin se unë po merrem me gratë e tyre. Jo, unë nuk po merrem me asgjë tjetër veçse me fondet e taksapaguesve amerikanë që janë shpërdoruar në mënyrë të tmerrshme dhe përgjegjësi direkte kanë Edi Rama, Blendi Çuçi.Ndaj dhe i bëj thirrje FBI-së të ndërmarrë një hetim me përparësi në Shqipëri për të nxjerrë të gjitha shpërdorimet e mëdha në nivelin më të lartë qeveritar të Shqipërisë me paratë e taksapaguesve amerikanë,”– u shpreh Berisha në deklaratën e tij publike nga selia e PD-së.
Përgjigjen ia dha vetë Delina Fico, e cila ka bërë një reagim në rrjetet sociale. Reagimi i saj i gjatë është shpërndarë në Facebook, i cili është shpërndarë edhe nga Bledi Çuçi, sqaron se prej vitit 2010 nuk ka marrë asnjë pagesë nga fondet e USAID ose të Departamentit të Shtetit të SHBA për Shqipërinë. Fico përmend gjithashtu programin “Drejtësi për të Gjithë”, i financuar nga USAID, me vlerën totale 10 milionë dollarë, i cili thotë ajo nuk pati asnjë angazhim ose aktivitet që lidhej me reformën në drejtësi. Ndaj për të gjitha ato që i cilëson si shpifje të kryedemokratit, paralajmëron një përballje në gjykatë.
“Siç mund të vërtetohet lehtësisht nga dokumentat e ketyre programeve dhe nga të gjithë punonjësit dhe bashkëpunëtorët amerikanë dhe shqiptarë të të dy programe, UNË NUK KAM MARRË ASNJË PAGESË, PRA, 0 DOLLARË/EURO/LEK, NGA FONDET E KËTYRE DY PROGRAMEVE, dhe unë nuk luajtur dhe nuk luaj asnjë rol drejtues, menaxhues, ose këshillues për këto dy programe. Ata që më njohin për hir të aktivizmit tim në përkrahje të barazisë gjinore e integrimit social, kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë kontributi im vullnetar. Këto janë faktet. Me shpifësit do të shihemi në gjyq,”– shkruan Fico në faqen e saj në Facebook.
Reagimi i plotë i Delina Ficos:
Ky sqarim është për dashamirësit dhe për ata që duan të mësojnë fakte e ta formojnë mendimin mbi bazën e tyre. Kurse ata që ngrihen në mëngjes me etjen për të urryer këdo që ju del përpara, dhe që punonjë gjithollogë, as mos lodhen ta lexojnë fare këtë sqarim e aq më pak të komentojnë, sepse ata shkojnë për Delete dhe Block. E para, që nga viti 2010, UNË NUK KAM MARRË ASNJË PAGESË, PRA, 0 DOLLARË/EURO/LEKË, NGA FONDE TË USAID OSE TË DEPARTAMENTIT TË SHTETIT TË SHBA-VE PËR SHQIPËRINË. Po ashtu, që prej vitit 1997, të ardhurat e mia burojnë nga punësimi me organizata jofitimprurëse dhe kompani amerikane, si dhe agjensi të OKB-së. Kurse puna ime e paguar që prej vitit 2010 nuk ka asnjë lidhje financiare ose programatike me Shqipërinë. E dyta, që prej vitit 2014, unë bëj deklarim vjetor të të ardhurave dhe aseteve në ILDKPKI, për shkak të faktit që bashkëjetoj me Bledi Çuçin, i cili ka pasur e ka detyra, të cilat e bëjnë të detyrueshëm deklarimin e aseteve në këtë Inspektoriat. Gjatë kësaj periudhe, kemi kaluar me sukses dy herë kontroll të detajuar të deklarimit të të ardhurave dhe aseteve nga ILDKPKI. Kushdo mund të marrë lirisht informacion nga ILDKPKI për të ardhurat e asetet e mia.
E treta, që prej vitit 2010, unë jam e punësuar nga Instituti i Menaxhimit Lindje-Perendim (EëMI), një organizatë jofitimprurëse amerikane me qendër në Nju Jork, si Drejtore për Programet e Shoqërisë Civile. Në 30 vitet e fundit, EëMI ka zbatuar disa programe të financuara nga qeveria amerikane për forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri. Për shembull, gjatë periudhës 2016 – 2021, EëMI zbatoi në Shqipëri programin “Drejtësi për të Gjithë”, të financuar nga USAID, me vlerën totale 10 milionë dollarë. Ky program nuk pati asnjë angazhim ose aktivitet që lidhej me reformën në drejtësi. Gjatë periudhës prill 2021 – janar 2025, EëMI zbatoi një program të financuar nga Departamenti i Shtetit të SHBA, me buxhet total rreth 2 milionë dollarë, program që ndihmoi Gjykatën e Lartë të adresojë problemin e dosjeve të prapambetura. Siç mund të vërtetohet lehtësisht nga dokumentat e ketyre programeve dhe nga të gjithë punonjësit dhe bashkëpunëtorët amerikanë dhe shqiptarë të të dy programeve, UNË NUK KAM MARRË ASNJË PAGESË, PRA, 0 DOLLARË/EURO/LEK, NGA FONDET E KËTYRE DY PROGRAMEVE, dhe unë nuk luajtur dhe nuk luaj asnjë rol drejtues, menaxhues, ose këshillues për këto dy programe. Në momente të caktuara, kam luajtur vetëm rolin e përfaqësueses ligjore të EëMI në Shqipëri. Ata që më njohin për hir të aktivizmit tim në përkrahje të barazisë gjinore e integrimit social, kjo ka qenë dhe vazhdon të jetë kontributi im vullnetar. Këto janë faktet. Me shpifësit do të shihemi në gjyq.

