Kosova
Acarimet kapin majat/ Bislimi refuzon ftesën për diskutim në Bruksel për dinarin
Ndonëse komuniteti ndërkombëtar kërkoi që rregullorja e re e Bankës Qendrore të Kosovës e cila ndaloi përdorimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës të trajtohet në procesin e dialogut, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka deklaruar se çështja e dinarit “nuk është pjesë e dialogut” dhe ka refuzuar ftesën e Brukselit për një takim për monedhën serbe.
“Ka kërkesë nga Brukseli që të mbahet një takim javën e ardhshme për çështjen e rregullimit të transferimit të monedhave nga Serbia për Kosovë, por ky nuk është takim ku duhet të shkojë kryenegociatori, për arsye se çështja e dinarit nuk është pjesë e dialogut” – ka deklaruar Bislimi, i cili ndër të tjera ka akuzuar të deleguarin e BE-së për caktimin e një takimi në mënyrë të njëanshme, duke mos u koordinuar si zakonisht për agjendën.
“Mendoj se Lajçak ka shkelur parimet të cilat i ka vendosur vetë, teksa ka caktuar një takim pa dakordim me palët dhe është munduar që të përcaktojë edhe agjendën, përkundër parimit të vitit 2021 që asnjë temë nuk vendoset pa dakordim të palëve” – ka shtuar Bislimi.
Sipas tij, pala kosovare mund udhëtojë në Bruksel për të marrë pjesë në dialog vetëm kur kërkohet diskutim për Marrëveshjen e Brukselit/Ohrit.
Bislimi gjithashtu ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës në ditët në vijim do të dalë me një listë prej 10 masave, të cilat do të tregojnë se si serbët duhet të veprojnë për t’u mos u dëmtuar nga faza kalimtare e zbatimit të Rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës.
Kujtojmë se disa avokatë serbë nga Kosova, kanë dërguar në Gjykatën Kushtetuese rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës, rregullore kjo e cila ka ndaluar përdorimin e valutës shtetërore serbe, dinarin për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.
Avokatët kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese të vlerësojë edhe efektin e dëmit që ka shkaktuar rregullorja te situata socio-ekonomike e qytetarëve, gjegjësisht për mundësinë e shkeljes së të drejtave të njeriut. Një vendim i Bankës Qendrore të Kosovës së fundmi ka shkaktuar fërkimin politik të radhës në mes të Qeverisë së Kosovës – e cila në emër të ligjit po tenton ta shtrijë sovranitetin në Veri të Kosovës – dhe komunitetit ndërkombëtar – i cili nuk do “surpriza” në terren, por zbatim të marrëveshjeve, ne kete rast Asociacionin.
Vendimi i BQK-së që në Kosovë të përdoret vetëm një valutë, euro, aktualisht ka ngecur në mes thirrjes së komunitetit ndërkombëtar që i njëjti të shtyhet deri në një afat më optimal, pasi shteti serb tha se vendimi i Kosovës afekton serbët e Kosovës, meqë ata i marrin të gjitha ndihmat nga Serbia në dinarë dhe në anën tjetër eshte arsyetimi iautoriteteve kosovare se vendimi një fjalë është vetëm zbatim i një dispozite të Kushtetutës së Kosovës dhe asgjë tjetër.