DOSSIER
Afera ‘Profumo’ – Skandali seksual, përzier me spiunazh dhe gënjeshtra, që tronditi Britaninë

Në qershor 1963, qeveria britanike u trondit nga një skandal që do të njihej si “Afera Profumo”, duke çuar në dorëheqjen e Sekretarit të Shtetit për Luftën, John “Jack” Profumo. Në qendër të kësaj historie, që kishte të bënte me seks, gënjeshtra dhe paranojën e Luftës së Ftohtë, ishte modelja 21-vjeçare, Christine Keeler.
Afera shpërtheu kur Profumo pranoi se kishte gënjyer në Parlament për marrëdhënien e tij me Keeler. Ajo që e bëri skandalin edhe më shpërthyes ishte pretendimi i shtypit se, gjatë kohës së lidhjes së tyre dy vite më parë, Keeler po takohej gjithashtu me një atashe detar sovjetik, Yevgeny Ivanov, i cili besohej të ishte spiun. Kjo ngjalli shqetësime serioze për sigurinë kombëtare në kulmin e Luftës së Ftohtë.
Rrëfimi i Christine Keeler
“Për 20 vjet, mendoj se kam qenë thjesht një prerje gazete, nuk e kam thënë kurrë fjalën time,” i tha Christine Keeler gazetares Sue Lawley të BBC-së në emisionin “Nationwide” në vitin 1983. Keeler, e cila ishte vetëm 19 vjeçe kur filloi aventura, shprehej se ishte një “vajzë e paarsimuar” dhe se politika ishte “krejtësisht përtej fushëveprimit” të saj.
Ajo kujtonte se si u gjend e papërgatitur për stuhinë mediatike dhe pasojat e saj, të cilat do të ndikonin në rrëzimin e qeverisë së atëhershme konservatore. Një fotografi ikonike e Keeler e zhveshur duke pozuar në një karrige u bë një nga imazhet përcaktuese të “Londrës së viteve ’60”.
Jeta e vështirë e Keelerd he takimi fatal me Profumon
Para skandalit, Keeler kishte pasur një jetë të hershme traumatike. E lindur në vitin 1942 në Uxbridge, ajo u rrit në varfëri dhe vuajti abuzime seksuale në adoleshencë. Në moshën 17-vjeçare, ajo mbeti shtatzënë dhe djali i saj vdiq gjashtë ditë pas lindjes. Pasi la shkollën pa kualifikime, ajo punoi si modele dhe kamariere, derisa gjeti punë si showgirl në Murray’s Cabaret Club në Soho të Londrës.
Aty, ajo u njoh me modelen tjetër, Mandy Rice-Davies, dhe me osteopatin e suksesshëm Stephen Ward. Ward, me një rreth miqsh që përfshinte aristokracinë dhe figurat kulturore, shërbente si “porta” e Keeler drejt elitës britanike. Ai kishte zakon të shoqëronte vajza të reja me burra më të vjetër dhe më të fuqishëm.
Takimi fatal me Profumon ndodhi më 8 korrik 1961, në pronën e Lord Astor, Cliveden. Gjatë një noti në pishinë, Keeler, e cila hoqi rrobat e banjës, u pa nga Profumo, i cili u magjeps menjëherë. Në të njëjtën vilë qëndronte edhe Kapiten Ivanov, atashe detar rus, për të cilin Keeler më vonë pranoi se kishte fjetur një herë me të, por mohoi një lidhje të vërtetë.
Shpërthimi i skandalit dhe pasojat
Thashethemet për marrëdhënien e Profumos me Keeler qarkulluan, por u bënë publike pas një incidenti në dhjetor 1962. Keeler kishte një lidhje me dy burra të tjerë, këngëtarin e xhazit Aloysius “Lucky” Gordon dhe kriminelin, Johnny Edgecombe. Pas ndarjes me Edgecombe, ky i fundit qëlloi me armë jashtë apartamentit të Wardit. Ky incident tërhoqi vëmendjen e shtypit, i cili po mbulonte intensivisht histori spiunazhi në kulmin e Luftës së Ftohtë.
Ndërsa spekulimet u shtuan, Keeler u largua në Spanjë, duke shmangur dëshminë në gjyqin e Edgecombe. Kjo vetëm sa rriti vëmendjen. Kur pyetjet u ngritën në Parlament, Profumo mohoi me forcë çdo “parregullsi”. Megjithatë, pas dhjetë javësh, ai pranoi se kishte gënjyer dhe dha dorëheqjen, duke dëmtuar rëndë besueshmërinë e qeverisë së Harold Macmillan.
Pak ditë pas dorëheqjes së Profumos, policia arrestoi Stephen Wardin, duke e akuzuar për sigurim grash dhe jetesë me të ardhura imorale. Gjyqi i Wardit, që zbuloi detaje të jetës seksuale të shtresave të larta, gjeneroi një interes masiv.
Ward bëri vetëvrasje në ditën e fundit të gjyqit, pasi u shpall fajtor. Sot, rasti i tij konsiderohet nga disa si një keqdrejtësi.
Trashëgimia dhe jeta pas skandalit
Pas vdekjes së Wardit, edhe Keeler u gjend në telashe me ligjin. Ajo u akuzua për dëshmi të rreme dhe u dënua me nëntë muaj burg.
Raporti i Lord Denning në shtator 1963, i porositur nga Kryeministri Macmillan, arriti në përfundimin se siguria kombëtare nuk ishte komprometuar dhe se nuk kishte prova që lidhnin ministrat me aktivitete seksuale “të neveritshme”.
Ky raport u kritikua si një “fshehje”, dhe dosjet e Lord Denning mbeten të fshehura deri në vitin 2048.
I gjithë episodi dëmtoi rëndë qeverinë e Macmillan, i cili dha dorëheqjen në tetor 1963, dhe konservatorët humbën zgjedhjet e përgjithshme vitin pasardhës. Profumo nuk u kthye më kurrë në politikë, por i kaloi vitet e mëvonshme duke punuar për një organizatë bamirësie dhe u nderua me një CBE nga Mbretëresha në vitin 1975.
Keeler nuk pati fatin e tij. Pas lirimit nga burgu, ajo u përpoq të gjente punë. Në vitin 1983, kur foli me BBC për autobiografinë e saj, “Asgjë Por…”, ajo jetonte në një apartament komunal dhe mbështetej te sigurimet shoqërore. Ajo botoi pesë libra rreth jetës së saj, duke reflektuar marrëdhënien e saj komplekse me famën e keqe. Një nga librat e saj, “Scandal”, u bë baza e filmit të vitit 1989 me të njëjtin emër.
Douglas Thompson, autori që bashkëpunoi me Keeler në kujtimet e saj të vitit 2001, “The Truth at Last”, besonte se ajo mbeti përgjithmonë e bllokuar nga trashëgimia e ‘Çështjes Profumo’. “Nuk mendoj se ia doli ndonjëherë mbanë – kjo ishte një tragjedi. Ajo nuk mundi kurrë të ndalonte së qeni Christine Keeler.” Keeler vdiq në vitin 2017.

