Kosova
Afrim Bunjaku, polici i dytë që vritet në veri të Kosovës në krye të detyrës
Rreshteri policor Afrim Bunjaku bëhet polici i dytë i Republikës së Kosovës që vritet në veri të vendit, teksa ishte në detyrë.
Efektivi i forcave të rendit nga Samadrexha e Vushtrrisë u qëllua për vdekje sot rreth orës 3 të mëngjesit, në një pritë nga persona të maskuar në Banjskë të Zveçanit. Ata i kanë bllokuar rrugën makinës së Policisë në Mitrovicë- Leposaviç me dy kamionë dhe më pas kanë qëlluar me armë në drejtim të tyre. Për pasojë, u plagos edhe një person tjetër.
Bunjaku është polici i dytë që vritet në veri të Kosovës, ndërsa në vitin 2011 Enver Zymberi, nga Dubovci i Vushtrrisë ra në krye të detyrës. Ai u vra më 26 korrik 2011, gjatë aksionit të forcave të republikës së Kosovës për ta shtrirë kontrollin në veri të vendit.