Kosova
Agonia pa frymë e Dialogut/ Kurti fajtor apo faktor
Në vend që të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, dialogu për normalizimin e marrëdhënieve nën patronazhin e Bashkimit Evropian, sërish është kthyer në mjet për menaxhimin e krizave, posaçërisht pas përplasjeve të fundit ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit mbi ndalimin e përdorimit të dinarit serb në territorin kosovar.
Eksperti i Politikës së Jashtme të BE-së nga Këshilli i Politikave të Demokratizimit, Toby Vogel, vlerëson se procesi i dialogut Prishtinë-Beograd, tani vijëzohet pak nga pak, duke ndërruar drejtim si përgjigje ndaj krizave të reja, në vend që të përqendrohet në një marrëveshje finale, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obligative.
Megjithatë, ai konsideron se ndryshe nga vështirësitë që karakterizuan procesin përgjatë muajve të fundit, përfshirë krizat e vazhdueshme që u shkaktuan kryesisht nga pala serbe, një pjesë të përgjegjësisë që dialogu tani është në zgrip të kolapsit duhet ta mbajë edhe pala kosovare, veçanërisht pas insistimit që të mos tërhiqet nga vendimi për ndalimin e dinarit serb.
“Dialogu edhe një herë po përdoret si një mjet për menaxhimin e krizave në vend që të fokusohet në një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme të normalizimit të marrëdhënieve – përveçse këtë herë, kriza në fjalë nuk është e Beogradit, por e Prishtinës. Duket qartë se asnjëra palë s’ka besim në dialog, i cili duket krejtësisht i bllokuar” -Deklaroi Vogel, sipas të cilit, këtë vit nuk pritet të ketë asnjë avancim në drejtim të zbatimit të marrëveshjeve Kosovë-Serbi, duke patur parasysh se kryeministri Albin Kurti, po refuzon zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, përveç në kontekstin e një marrëveshjeje përfundimtare për njohje de facto.
Në këtë drejtim, shtoi një prej vëshguesve më të njohur të zhvillimeve politike në rajon, procesi i dialogut Kosovë-Serbi pritet të matet edhe në kontekstin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara në muajin nëntor. Ai nënvizoi gjithashtu se presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, shpreson se zgjedhjet do të prodhojnë politika që do t’i përshtaten Serbisë në dialog.
“Ajo që duhet të ndodhë është që BE-ja të rishikojë politikat për të përcaktuar arsyet pse dështoi dialogu. Përderisa personalitetet luajnë një rol të caktuar, problemet kryesore janë të një natyre më strukturore dhe kanë të bëjnë me stimujt për Prishtinën dhe Beogradin” – nënvizoi ekspert në fushën e paqes, konfliktit dhe politikës së jashtme.