Bota
“Ai është komunist”/ Trump paralajmëron kandidatin për kryetar bashkie të Nju Jorkut: S’ke fonde…

Presidenti Donald Trump, ka paralajmëruar se do të ndërpresë fondet federale për Qytetin e Nju Jorkut nëse kandidati demokrat për kryetar bashkie, Zohran Mamdani, nuk “bën gjënë e duhur” si kryetar bashkie. Trump i bëri kërcënimet në një intervistë në Fox News, ku argumentoi se një fitore e Mamdanit ësahtë e pakonceptueshme sepse ai e perceptonte kandidatin si një komunist të pastër. Trump më parë kishte kërcënuar shtete dhe universitete të ndryshme me shkurtime të fondeve federale nëse nuk i përmbaheshin politikave të tij.
“Le ta themi këtë – nëse ai hyn, unë do të jem president dhe ai do të duhet të bëjë gjënë e duhur, ose nuk do të marrin para. Ai duhet të bëjë gjënë e duhur ose nuk do të marrin para. Ai është komunist. Mendoj se kjo është shumë keq për Nju Jorkun. Është tronditëse. Më parë thoja se nuk do të kemi kurrë një socialist në këtë vend, jo, por do të kemi një komunist,” tha Trump.
Më shumë se 100 miliardë dollarë derdhen në qytet nga qeveria federale përmes subjekteve dhe programeve të ndryshme, sipas kontrollorit të qytetit vitin e kaluar. Duke folur të dielën me emisionin “Meet the Press on Sunday” të NBC-së, Mamdani mohoi deklaratat e Trump që është komunist. Ai tha gjithashtu se tashmë duhej të fillonte të mësohej me faktin që presidenti do të flasë për të gjatë gjithë kohës sepse sipas tij Trump dëshiron të shpërqendrojë vëmendjen nga ajo për të cilën po lufton. Mamdani tha se ishte frymëzuar nga aktivisti amerikan i të drejtave civile Martin Luther King Jr.
“Jo, unë nuk jam komunist. Quajeni demokraci ose quajeni socializëm demokratik. Duhet të ketë një shpërndarje më të mirë të pasurisë për të gjithë fëmijët e Zotit në këtë vend. Nuk mendoj se duhet të kemi miliarderë sepse, sinqerisht, janë kaq shumë para në një moment të një pabarazie të tillë – dhe në fund të fundit ajo që na duhet më shumë është barazia në të gjithë qytetin tonë, në të gjithë shtetin tonë dhe në të gjithë vendin tonë. Dhe mezi pres të punoj me të gjithë, përfshirë miliarderët, për të bërë një qytet më të drejtë për të gjithë ata,” tha Mamdani.
Shumë banor të Nju Jorkut dhe politikanë demokratë të moderuar kanë shprehur shqetësim për fitoren e Mamdanit ndaj ish-guvernatorit Andrew Cuomo në zgjedhjet paraprake të 24 qershorit për nominimin demokrat.
Midis atyre që e mbështetën ishte kongresmenia progresive Alexandria Ocasio-Cortez. Por ai nuk është mbështetur nga shumë figura të tjera të shquara të partisë Demokratike, përfshirë guvernatoren e Nju Jorkut, Kathy Hochul, e cila tha me ftohtësi pas fitores së tij: “Padyshim, ka fusha ndryshimesh në qëndrimet tona, por unë gjithashtu mendoj se duhet t’i bëjmë këto biseda.”

