Rajon
“Ajo më tradhtonte…”/ Nuk shfaqi pendesë për krimin makabër, 40-vjeçari mbërrin në gjykatë i rrethuar nga policia

Pandeli Nakoleci, 40-vjeçari i cili vrau me thikë bashkëshorten e tij, Marjola Nakoleci, është paraqitur paraditen e sotme para prokurorit të Volos. I rrethuar nga policia dhe me kokën ulur, 40-vjeçari qëndroi i heshtur në momentin e mbërritjes teksa u pyet nga gazetarët: “Pse e bëre”?
Pandeli Nakoleci është arrestuar një ditë pas krimit të rëndë. Ai u kap në rrugën Pagason, në qendër të qytetit, vetëm 200 metra larg banesës ku ndodhi krimi i rëndë. Sipas burimeve nga policia, autori ishte fshehur në një truall toke aty pranë. Mediat greke raportojnë se gjatë arrestimit 40-vjeçari mbante veshur rroba që i gjeti në një kosh plehrash, ndërsa nuk kishte telefon apo ndonjë objekt tjetër me vete. Gjatë arrestimit ai iu drejtua oficerëve të policisë duke thënë: “Ia bëra mirë, e meritonte, nuk pendohem për asgjë, më tradhtonte”.
40-vjeçari me disa precedentë penalë për organizatë kriminale dhe drogë, që njihej edhe si ndërtues, së fundmi ishte shtruar në Psikiatri me urdhër të Prokurorisë greke që e kishte ende nën hetim, pasi ishte person që vuante edhe nga probleme të shëndetit mendor.
Ngjarja ndodhi një ditë më parë në banesën ku jetonte familja, në prani të katër fëmijëve të çiftit. 36-vjeçarja vrapoi për t’u arratisur duke u larguar nga apartamenti në katin e parë në rrugën Konstanta, ku jeton familja. Ai e ndoqi poshtë shkallëve dhe në hyrje të pallatit e goditi përsëri. Pastaj, gruaja ra mbi xham dhe autori, duke e parë të mbuluar me gjak në dysheme, iku me vrap.

