Bota
Ajri i ndotur çon në gjyq qeverinë
Ndotja e ajrit është një shqetësim serioz për evropianët, gjë që ka shtyrë shumë qytetarë belgë të padisin qeverinë për shkeljen e të drejtave të tyre themelore. Ata kërkojnë nga autoritetet të ulin pragun e lejuar të grimcave ndotëse në ajër, në përputhje me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Ndërkohë, Komisioni Evropian sapo ka propozuar rregulla të reja më të rrepta për këtë çështje. Synimi është afrimi i standardeve të vendosura nga OBSH deri në vitin 2030 dhe më pas arritja e objektivit ambicioz të “ndotjes zero” në Bashkimin Evropian deri në vitin 2050.
Çdo vit, në Evropë, kushtet e këqija të ajrit shkaktojnë vdekjen e parakohshme të 300 mijë njerëzve dhe sëmundjet e shkaktuara ose të rënduara nga cilësia e ajrit kushtojnë nga 200 deri në 800 miliardë euro.
Komisioni Europian propozon edhe vendosjen e masave juridike ndaj autoriteteve vendore nëse shëndeti i qytetarëve cenohet nga shkelja e standardeve evropiane të cilësisë së ajrit. Ajo që po ndodh tani në Belgjikë dhe së fundmi edhe në Gjermani, së shpejti mund të bëhet normë.