Kronike
Aksident i rëndë në Kukës/ Gjendet në rrugë makina e shkatërruar, autori largohet nga vendngjarja
Një aksident i rëndë është shënuar gjatë orëve të natës në afërsi të ish-“Turizmit të Ri” në Kukës.
Sipas të dhënave paraprake, automjeti i aksidentuar është i markës “Benz”, me targa AA 428 CT. Dyshohet se makina ka qenë e parkuar në momentin e përplasjes, ndërsa goditja ka qenë aq e fortë sa e ka zhvendosur rreth 50 metra nga vendi fillestar, duke rrëzuar edhe një shtyllë ndriçimi në trotuar.
Automjeti tjetër i përfshirë në aksident është larguar nga vendngjarja dhe aktualisht nuk ka asnjë informacion për të.
Ende nuk dihet nëse në momentin e përplasjes në automjetin e dëmtuar ka pasur persona brenda, përfshirë drejtuesin apo pasagjerë.
Burime lokale bëjnë me dije se gjatë orëve të vona të natës, shumë të rinj në Kukës shndërrojnë rrugët e qytetit në pista garash, çka ka shkaktuar disa aksidente të rënda. Vetëm gjatë dy muajve të fundit janë regjistruar tre aksidente serioze në këtë zonë.