Connect with us

Aktualitet

Aksidentet me vdekje, rritje me 17% në vitin 2023/ Policia: Shumica për faj të drejtuesve

Aksidentet rrugore të shtuara përgjatë vitit 2023, kanë rezultuar fatale për 192 persona, një rritje kjo me gati 17% në krahasim me 2022-in.

Shqetësuese për Policinë Rrugore, është tendenca në rritje e humbjeve të jetës së këmbësorëve, që zënë gati 30% të numrit total të aksidenteve me pasojë.

Altin Qato, drejtor i Policisë Rrugore: Kryesisht, i kemi pasur në ato akse, që i kemi përcaktuar si “njolla të zeza”, ku këmbësorët nuk respektojnë kalimin në vendkalime të përcaktuara.

Si periudhë kohe, është ajo që ka errësirë, për shkak se nuk ka ndriçimin e nevojshëm.

Shumica e 1 285 aksidenteve rrugore të ndodhura ne total përgjatë një viti kanë si pasojë sjelljen e shoferit.

Të rinjtë e grupmoshës 25-34-vjeç, janë më problematikët, pasi kanë shkaktuar edhe numrin më të lartë të aksidenteve.

Altin Qato, drejtor i Policisë Rrugore: Shkaqet kryesore që kemi klasifikuar gjatë vitit të kaluar kanë të bëjnë me shpejtësinë, mosdhënien e përparësisë dhe këmbësorët.

Policia Rrugore paralajmëron shtim të kontrolleve, sidomos për shpejtësinë.

Altin Qato, drejtor i Policisë Rrugore: Policia Rrugore do të fokusohet me monitorimin me patrulla, por duke përdorur dhe mjetet inteligjente, kryesisht matësit e shpejtësisë për të penalizuar çdo shkelës të normave të shpejtësisë.

Në vitin që lamë pas, më shumë aksidente rezulton se kanë ndodhur në Nëntor dhe Dhjetor. Vetëm muaji i fundit i vitit regjistroi një rritje me 50% të ngjarjeve, në krahasim me 2022-in. Tirana, Durrësi dhe Lezha janë qarqet më problematike.

Advertisement