Aktualitet
Aksidentoi në gjendje të dehur punonjësin e policisë në Dibër, vihet në pranga shoferi 27-vjeçar

– Shoferi 27-vjeçar i cili përplasi pasditen e djeshme në Dibër një efektiv policie është vënë në pranga. I riu përplasi me mjetin e tij në vendin e quajtur “Kryqëzimi Velia” një efektiv policie i cili po ecte në trotuar.
Pamje nga aksidenti janë të rënda ndërsa duket mjeti i të riut i cili me shpejtësi merr para 64-vjeçarin i cili nuk pati kohë të reagonte. Policia bën me dije se i riu po drejtonte mjetin në gjendje të dehur kur humbi kontrollin e mjetit. Ai akuzohet për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”. Efektivi 64-vjeçar ndodhet në spitalin e Traumës dhe po lufton me jetën. Ai raportohet se është në gjendje të rëndë.
Njoftim i Policisë:
Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, lidhur me aksidentin e ndodhur në vendin e quajtur “Kryqëzimi Velia”, ju informojmë se specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor arrestuan shtetasin A.Sh. (M), 27 vjeç, banues në Dibër, për veprat penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
27-vjeçari, teksa drejtonte automjetin e tij në gjendje të dehur, humbi kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti përplasi punonjësin e Policisë, shtetasin V.Gj., 64 vjeç, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës, nën kujdesin e mjekëve. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.

