Aktualitet
Aksioni i policisë në MEK, reagon Irani: Do ketë gjyq ndërkombëtar
Prokurori i Përgjithshëm i Republikës Islamike të Iranit ka njoftuar se vendi i tij planifikon të mbajë “gjyq ndërkombëtar” për organizatën e tyre kundërshtare në mërgim, muxhahedinët e strehuar në kampin MEK në Manëz.
Prokurori Mohammad Jaafar Montazeri tha se sistemi gjyqësor ka përgatitur 700 aktakuza kundër anëtarëve të Organizatës së Muxhahedinëve të MEK, njoftoi agjencia e lajmeve ISNA. Ai u shpreh se gjykata do të mblidhet së shpejti për të ndjekur penalisht këta individë.
Njoftimi erdhi vetëm një javë pasi policia shqiptare më 20 qershor bastisi kampin e MEK pranë Tiranës, ku strehohen mijëra muxhahedinë.
Gjatë aksionit policor 36 persona, përfshirë oficerë policie dhe anëtarë të MEK, u plagosën dhe disa makina policie u dëmtuan gjatë bastisjes në kampin Ashraf 3. Përfaqësuesit e MEK-ut pretenduan se një i moshuar vdiq si pasojë e përdorimit të gazit lotsjellës nga policia, por autoritetet shqiptare mohuan përgjegjësinë.