Connect with us

Politike

Akt kriminal/ Salianji: Kurum po luan me të ardhurat e 500 familjeve

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka denoncuar veprimtarinë dhe bashkëpunimin, sipas tij “kriminal” mes qeverisë dhe kompanisë Kurum, duke e cilësuar situatën si një abuzim të pashembullt me fatin e 500 punonjësve dhe familjeve të tyre.

Në një postim në Facebook, Salianji theksoi se në datat 1 dhe 15 Gusht, kompania Kurum, e cila operon në sektorin e prodhimit të çelikut dhe petëzimit, mbylli fabrikat e saj dhe largoi 500 punonjës nga puna. Kjo masë drastike erdhi në një periudhë kur Shqipëria ishte përfshirë në një skandal të madh mbi mbetjet toksike. Kurumi, ndonëse deklaroi se largimet ishin një përgjigje ndaj vështirësive ekonomike për shkak të uljes së çmimit të çelikut dhe rritjes së kostove, kishte premtuar se do të vazhdonte të paguante punonjësit për tre muaj të tjera pas largimit.

Megjithatë, sipas Salianjit, sot, pas disa “negociatave” të suksesshme, kryetari i Bashkisë Elbasan, i cili është pjesë e Partisë Socialiste, shpalli se asnjë punonjës nuk do të largohej dhe do të vazhdonin të merrnin një pagë prej 35 mijë lekësh bruto në muaj, që është më e ulët se paga minimale ligjore prej 40 mijë lekësh në muaj. Kryebashkiaku, duke pranuar se kjo është një situatë e përsëritur, e përshkroi situatën si një përshkallëzim të pasigurisë për 500 familjet që varen nga këto të ardhura.

Salianji gjithashtu theksoi se të dhënat zyrtare tregojnë se Kurumi kishte një xhiro vjetore prej 377.3 milionë eurosh dhe një fitim prej 52.8 milionë eurosh për vitin 2023, duke e vënë në dyshim pretendimin e kompanisë për vështirësi ekonomike. Ai akuzoi qeverinë dhe bashkinë se po përdorin fatin ekonomik të këtyre familjeve për përfitime politike dhe për të mbajtur nën kontroll fatin e tyre.

Për më tepër, ndonëse mediat kanë raportuar se Inspektoriati i Punës ka ndërmarrë hetime për largimet masive, deri më tani nuk është publikuar asnjë raport apo konkluzion nga këto hetime. Salianji argumentoi se institucionet shtetërore kanë vendosur të heshtin, ashtu siç kanë bërë me rastin e transportimit të mbetjeve të rrezikshme nga Porti i Durrësit.

Në përfundim, ai ka deklaruar se Partia Demokratike është në krah të punëtorëve dhe do të bëjë gjithçka për të siguruar që askush të mos tallet me punën dhe dinjitetin e tyre, duke premtuar angazhim të plotë në mbrojtje të të drejtave të punonjësve dhe transparencës.

Advertisement