Aktualitet
Akuzohej se ishte anëtar i rrjetit të trafikut të drogës, GJKKO i jep pafajësinë
Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shpallur të pafajshëm Kudret Rustemajn, i cili akuzohej se ishte anëtar i rrjetit të trafikut të drogës.
Burime bëjnë me dije se avokati i Kudret Rusetmajt ka kërkuar pafajësinë e klientit të tij, duke thënë se Kudret Rustemaj nuk kishte asnjë lidhje me grupin kriminal, ndërsa theksoi se ndaj tij nuk ka prova dhe fakte që të lidhin figurën e klientit me organizatën kriminale.
Kërkesa e avokatit u pranua nga gjykata, duke çuar në shpalljen e pafajësisë për Rustemajn.
Kujtojmë se më 28 korrik të vitit të kaluar GJJKO vendosi vazhdimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, e caktuar me vendimin nr. 70, datë 23.06.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Kudret Rustemaj, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Trafikimi i narkotikëve”, mbetur në tentativë, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”, të parashikuara nga nenet 283/a e 22, 333/a dhe 334 të Kodit Penal. Sipas GJKKO, kreu i grupit kriminal ishte Endrit Bakiu.