Connect with us

Politike

Akuzohet për shpërdorim detyre, SPAK çon për gjykim kryetarin e Bashkisë së Tropojës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur kërkesën për dërgimin në gjykim të çështjes penale në ngarkim të kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Rexhë Byberi dhe Zv/Kryetarit të Bashkisë Abedin Kërrnaja. Të pandehurit janë akuzuar për veprën penale “Shpërdorim detyre” (më shumë se një herë), e kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i Kodit Penal.

Nga të dhënat ka rezultuar se i pandehuri Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, ka kryer veprime/mosveprime në mospërmbushje të rregullt të detyrës, në kundërshtim me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, gjatë procesit për hapjen e rrugëve, sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak.

Konkretisht, për kryerjen e punimeve të cituara më sipër, në bazë të VKM-së 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar), për hapjen e një rrugë të re, subjekti i interesuar duhej të aplikonte në sistemin elektronik e-leje pranë Bashkisë Tropojë, si institucioni vendor që ka tagrin të shqyrtojë dhe miratojë lejen e ndërtimit të infrastrukturës, pasi të ketë verifikuar plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm tekniko-ligjor nga aplikuesi siç parashikohet legjislacioni për këto lloj punimesh.

Konkretisht neni 15 i VKM nr. 408, datë 13.05.2015 ( e ndryshuar) ka saktësuar dokumentet tekniko-ligjore që duhen depozituar në sistemin e-leje gjatë aplikimit të kërkesës për leje ndërtimi të infrastrukturës. Gjithashtu, Bashkia Tropojë duhej të bashkëvepronte me institucionet e tjera kompetente për ndërtimin e rrugës si: Agjencia Kombëtare e Mjedisit për hartimin e Raportit të Vlerësimit për ndikimin në mjedis, si edhe me Ministrinë e linjës (parashikuar në sistemin elektronik e-leje), për impaktin e ndërtimit të rrugës së re dhe pasojat e këtyre punimeve të ndërtimit. Ky bashkëveprim parashikohet në nenin 20, pika 6 e VKM nr. 408, datë 13.05.2015 (e ndryshuar).

Rezulton se hapja e rrugëve sipas projekteve të miratuara nga Këshilli Bashkiak është bërë në kundërshtim me aktet ligjore e nënligjore në fuqi duke sjellë një dëm prej 277. 611.520 (dyqind e shtatëdhjetë e shtatëmilion e gjashtëqind e njëmbëdhjetëmijë e pesëqind e njëzet) Lekë.

Bazuar në legjislacionin përkatës në fuqi, në analizën e rrethanave të faktit të provuara, dokumentacionit të administruar, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe verifikimin me kujdes të çdo detaji, arrihet në konkluzionin se: shtetasi Rexhë Byberi, në cilësinë e Kryetarit të Bashkisë Tropojë, në bashkëpunim me shtetasin, Abedin Kërrnaja kanë kryer veprime/mosveprime që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, të kryera në kundërshtim të VKM Nr. 408, datë 13.5.2015 “Për Miratimin e Rregullores së Zhvillimit të Territorit”, për hapjen e rrugëve duke sjellë dëme, në vlerën e përcaktuar nga akti i ekspertimit.

Evidentohen elementë të figurës së veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, të parashikuar nga nenit 248 i Kodit Penal, në ngarkim të pandehurit Rexhë Byberi, i cili ushtronte detyrën kryetarit të Bashkisë Tropojë si dhe te pandehurit Abedin Kërrnaja, i cili ka mbajtur pozicionin Zv/Kryetarit të Bashkisë Tropojë.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme, ka vendosur t’i drejtohet me kërkesë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për dërgimin e çështjes në gjyq, në ngarkim të:

Rexhë Byberi, Kryetari i Bashkisë Tropojë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, (më shumë se një herë), të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal.

Abedin Kërrnaja, Zv/Kryetari i Bashkisë Tropojë, i akuzuar për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 dhe 25 i K.Penal.

Advertisement