Connect with us

Aktualitet

Alarm i kuq te ‘Syri i Kaltër’ për shkak të flakëve/ Evakuohen turistët, nisen drejt zonës dy avionë “Canadair”

Situata në Parkun e Syrit të Kaltër është përkeqësuar pas përhapjes së flakëve.

Turistët janë evakuuar nga zona, ndërsa zjarrfikësit po punojnë për neutralizimin e vatrës.

Rreziku për fshatin Dhrovjan është shmangur, ndërsa flakët janë drejtuar drejt lartësisë së malit.

Autoritetet po marrin masa për të mos lejuar përhapjen e zjarrit në drejtim të Bashkisë së Dropullit.

Një tjetër vatër zjarri gjendet pranë Syrit të Kaltër, ku aktualisht po operon një helikopter “Black Hawk” me hedhje të vazhdueshme uji. Zona është e mbuluar me pisha, çka e bën rrezikun për përhapje edhe më të madh.

“Nëse nuk ndërhyhet me shpejtësi, zjarri mund të marrë përmasa katastrofike për zonën tonë,” deklaroi nënprefekti i Vlorës, Kristaq Kiço. Ai tha se që prej mëngjesit forcat zjarrfikëse dhe strukturat e tjera të emergjencës janë angazhuar për të frenuar përhapjen e flakëve, të ndihmuara nga era dhe temperaturat e larta.

Dy avionë “Canadair” janë nisur nga Greqia për të ndihmuar në shuarjen e vatrave në Leshnicë dhe pranë Syrit të Kaltër.

Për shkak të situatës, është vendosur sërish bllokimi i rrugës nacionale drejt Qafës së Muzinës dhe po bëhet largimi i vizitorëve nga parku i Syrit të Kaltër.

Vendi ynë ndodhet prej javësh në luftë me flakët pasi temperaturat e larta dhe erërat në disa zona favorizojnë përhapjen e zjarreve. Situata është veçanërisht kritike në jug të vendit.

Advertisement