Connect with us

Bota

Alarmi Groenlanda/ Donald Trump rrethon Danimarkën me ushtri, ndërhyn NATO

Presidenti i zgjedhur në Shtetet e Bashkuara mbajti ndoshta konferencën më të rëndësishme të tij në vitet e fundit. Trump shfaqi hapur politikat dhe synimet në këtë mandat të ri katër vjeçar: Presidenca e tij do të jetë e fokusuar jo vetëm në luftë tregtare, kryesisht me Kinën, por edhe në aspirata territoriale në dëm të vendeve aleate.

Trump kërcënoi hapur Panamanë për Kanalin dhe Danimarkën për Groenlandën me përdorimin edhe të forcës ushtarake, nëse Shtetet e Bashkuara hasin në rezistencë për të kaluar në kontrollin Amerikan. Kërkoi nga vendet anëtare të NATO-s që shpenzimet për mbrojtjen të kalojnë nga 2 për qind në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, riemërtimin e Gjirit të Meksikës në Gjirin Amerikan.

Gjithashtu, Trump kërcënoi me një ferr të vërtetë në Lindjen e Mesme nëse Hamasi nuk liron pengjet izraelit nga Rripi i Gazës deri në betimin e tij si president. Sytë nuk i ka hequr për asnjë moment edhe nga Kanadaja fqinje, dhe ka nisur tashmë të konsiderojë si shtetin e 51 të SHBA-ve. Por ku do të ndalojnë valët sizmike të këtyre vendimeve që po trazojnë botën?

Gazetari: Lidhur me Groenlandën dhe Kanalin e Panamasë, a mund të garantoni ju botën se gjatë përpjekjeve për të marrë kontrollin e tyre nuk do të përdorni detyrime ekonomike apo ushtarake?

Gazetari: Mund të na tregoni planin tuaj? Do të negocioni një traktat të ri? Do t’i pyesni kanadezë të mbajnë një votim? Cila është strategjia juaj?

Donald Trump: Mund të ju garantoj se po flasim lidhur me Panamanë dhe Groenlandën. Nuk mund të ju konfirmoj diçka për asnjërin prej tyre, por mund të ju them se na duhen për sigurinë ekonomike. Kanali i Panamasë është ndërtuar nga ushtria jonë.”

Javier Martinez, ministër i Jashtëm i Panamasë: Sovraniteti i Kanalit tonë nuk është i negociuesgëm dhe është pjesë e historisë sonë të mundimshme dhe një e arritur e pakthyeshme. Kanali ynë ka misionin për t’i shërbyer njerëzimit dhe tregtisë. Kjo është një prej vlerave që njerëzit e Panamasë i ofrojnë botës.”

Mette Frederiksen, kryeministre e Danimarkës: Dëshiroj që ta bëj shumë të qartë se në sytë e qeverisë së Danimarkës, Groenlanda i përket vetëm njerëzve të Groenlandës. Ata janë vërtetë një popull krenar me një gjuhë dhe kulturë më vete. Ashtu siç e ka thënë më parë dhe kryeterja e qeverisë atje, Groenlanda nuk është në shitje.

David Sanger, Analist sigurie, CNN: Në mandatin e tij të parë, mësuam dëshirën e tij për të blerë Groenlandën, gjë e cila nuk është plotësisht diçka e çmendur. Harry Tryman pati të njëjtën ide në vitin 1940, por shitësi nuk ishte i interesuar që ta shiste territorin. Në javët e fundit kemi parë mesazhe të shumta lidhur me Kanalin e Panamasë apo Groenlandën dhe ajo që nisi si një shaka për Kanadanë, tashmë është shndërruar në diçka serioze. Gradualisht është bërë e qartë për ne se në mandatin e dytë, ai dëshiron që të përdorë instrumentin e fuqisë Amerikane për të detyruar këtë zgjerim territorial. Nëse do të ketë sukses, ne nuk e dime, pasi është tepër e komplikuar. Danimarka është një vend aleat në NATO. Imagjinoni për një moment nëse ne përdorim forcën ushtarake për të detyruar Danimarkën të heqë dorë nga diçka. Pjesa tjetër e NATO-s do të detyrohej me artikullin 5 të NATO-s që të rreshtohej me Danimarkën kundër Shteteve të Bashkuara. Pra kjo do të komplikohej shumë shpejt.

Aaja Chemnitz, Deputete nga Groenlanda, Parlamenti danez: Mendoj se në shumë mënyra nuk është një çështje nëse ne duhet të jemi amerikanë apo danezë, por është një çështje nëse duhet të bashkëpunojmë pak më shumë me Shtetet e Bashkuara. Ne nuk duhet të blihemi nga askush pasi Groenlanda nuk është në shitje dhe nuk do të jetë kurrë. Por ne mund të kemi një bashkëpunim më të ngrushtë në zhvillimin e biznesit me SHBA-të”.

Donald Trump, President i zgjedhur i SHBA: Na duhet Groenlanda për qëllime të sigurisë kombëtare. Më është thënë prej shumë kohësh, madje edhe përpara se të garoja për president. Kemi rreth 45 mijë njerëz që jetojnë atje. Njerëzit vërtetë nuk e dinë nëse Danimarka ka ndonjë të drejtë ligjore mbi të. Por nëse kanë, duhet të heqin dorë, pasi na duhet për sigurinë kombëtare. Kjo është për botën e lirë, po flas për mbrojtjen e botës së lirë. Nuk do ju duhen dylbitë për të parë, pasi aty jashtë keni anije të Kinës në mbarë vendin. Gjithashtu edhe anije të Rusisë. Nuk e di nëse Danimarka dëshiron që të arrijmë në një përfundim, apo nëse ka ndonjë të drejtë, pronësi apo interes, por njerëzit më shumë mundësi do të votojnë për pavarësi apo t’i bashkohen SHBA-ve.”

Për rastin e Kanadasë ngurroi të konfirmonte kërcënimin e përdorimit të ushtrisë për ta detyruar të shndërrohej në shtetin e 51 amerikan. Por Donald Trump vazhdon me llogaritë e tij duke fshirë dhe vijë kufitare, të cilën e konsideroi diçka të panevojshme dhe plotësisht artificiale, teksa publikoi dhe hartën me Amerikën e Madhe. Për ta detyruar atë shtet drejt bashkimit, presidenti i zgjedhur njoftoi se do të përdorë presionin ekonomik me tarifa shumë të larta. Kjo ofensivë e Trump për të zgjeruar territorin, e gjen Kanadanë të dobësuar politikisht me një krizë të rëndë brenda vendit pas njoftimit të tërheqjes së kryeministri Xhastin Trudo. Megjithatë politikanët atje kanë sinjalizuar se do të vazhdojnë rezistencën për të qenë një shtet sovran. Pyetja që lind natyrshëm është se çfarë qëndron pas kësaj tentative të

Trump, kërcënimi rus? Zgjerimi i ndikimit ekonomik? Apo dëshira për të shkruar emrin në historinë amerikane?

Gazetari: A po konsideroni forcën ushtarake për aneksuar apo blerë Kanadanë?

Donald Trump: Jo. Por do të përdor forcën ekonomike, pasi Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara do të ishin vërtetë diçka domethënëse. Do të hiqnim qafe atë vijë artificiale të kufirit dhe vetëm shikojeni se si do të dukej. Do të ishte diçka e mirë për sigurinë kombëtare. Po e mbështeësim atë vend me mbi 200 miliardë dollarë në vit. Kemi vendosur ushtrinë tonë në dispozicionin e tyre. Prandaj duhet të jetë një shtet i joni. Këtë i thashë Trudo-s kur erdhi të më takonte. I thashë: çfarë do të ndodhte nëse ne nuk do t’i bënim këto gjëra për ju? Ai me tha se Kanadaja do të shpërbëhej”.

Doug Ford | Kryetar i Ontarios, Kanada: E vlerësoj sensin e tij të humorit dhe gati sa nuk mendova të blinim Alaskën, por është diçka aspak realiste. Ne jemi një shtet sovran, jemi krenar dhe ne kanadezët, ashtu si amerikane, jemi shumë krenar për vendin tonë. Ajo që dua të bëj është të sigurohem që ne të ndërtojmë një fortesë dhe të garantojmë që jemi më të fuqishmit, pasurit dhe dy vendet më të lulëzuara në mbarë botën. Ne kemi shumë për t’i ofruar SHBA-ve ashtu siç kemi pasur në vitet e fundit, pavarësisht nëse kanë qenë mineralet e çmuara apo energjia. Ne dëshirojmë që të sigurojmë se jemi të fuqishëm sëbashku. Kemi marrë dy kërkesa për të përforcuar kufirin, me të cilat pajtohem 100 për qind, por ne po e bëjmë këtë gjë. Gjithashtu po përmbushim angazhimin e 2 për qindëshit në NATO. Kanadaja kryen tregti me Shtetet e Bashkuara për një vlerë 1.3 trilion dollarë. Ne jemi partneri tregtar më i madh për ta. Ne ndërgojmë 4.3 milionë fuçi nafte në ditë dhe energji elektrike, gjithashtu edhe minerale të çmuara. Kemi shumë fusha dhe sektorë, me të cilët plotësojmë nevojat amerikane dhe pse t’i dëmtojmë ata?”

Donald Trump nuk po dërgon lëkundje sizmike vetëm në politikën e fqinjëve të Amerikës, por edhe në Lindjen e Mesme, Europë dhe në Azi. Presidenti i zgjedhur kërcënoi me një ferr të vërtetë për Hamasin në Rripin e Gazës nëse nuk do të lirojë pengjet izraelite deri në ditën që do të bëjë betimin. Nuk mbështet një armëpushim në enklavën palestineze të shkatërruar nga lufta dhe zotohet të përdorë çdo mjet për të dobësuar Iranin, shtet të cilin e ka shënjestruar si kundërshtarin kryesor ushtarak. Tepër i paqartë shfaqet për konfliktin në Ukrainë të nisur nga Rusia. Trump ka premtuar të sjellë paqen me çdo kusht, gjë e cila nëse bëhet rrezikon që të çojë dëm të gjitha përpjekjet perëndimore për ta mbajtur tokën e Ukrainës të paprekur. Dyshime të mëdha ka ngritur për të ardhmen e kontinentit europian me raportet që kërkon të vendosë me presidentin rus, Vladimir Putin.

Donald Trump | President i zgjedhur i SHBA: Putin thotë se NATO nuk duhet që të përfshihet kurrë në Ukrainë. Kjo duket sikur është shkruar në gur. Por përgjatë rrugës, Biden tha jo, ata duhet të anëtarësohen në NATO. Më pas Rusia do të kishte dike në portat e saj dhe prandaj unë e kuptoj atë që ata ndjejnë. Por shumë gabime janë bërë në ato negociata.”

Donald Trump nuk është politikani i vetëm amerikan që po trazon botën. Krahu i tij i djathtë, njeriu më i pasur në planet, Elon Musk, ka zemëruar liderët kryesore të europës duke mbjellë sherr dhe kaos politik në shtete të ndryshme, duke nisur me Francën, Italinë, Gjermaninë e deri në Mbretërinë e Bashkuar. Presidenti Emmanuel Macron, kryeministri Keir Starmer, kancelari Olaf Scholz dhe një numër udhëheqësisht thuajse njëzëri përsëritën thirrjen ndaj Elon Musk që të ndalojë së ndëhyri në çështjet e brendshme dhe politikat e atyre shteteve. Shumë analizojnë se e gjitha po bëhet që të mbështeten disa forca politike të caktuara, kryesisht e djathta ekstreme, të cilët më pas mund të shndërrohen në aleatë shumë të fortë të presidentit të zgjedhur amerikan, Donald Trump.

Konferenca e parë e Donald Trump për këtë vit, i shfaqi botës vetëm një trailer të një filmi 4-vjeçar që mund të ketë shumë të papritura, dinamika surreale, miq dhe armiq të rinj e të vjetër, por mbi të gjitha pasiguri për çështjet më të rëndësishme të botës. Ai premton paqe dhe zgjidhje të mosmarrëveshjeve, përmes disa mënyrave të konsideruara nga analistët, deri diku edhe si radikale. (A2 Televizion)

Advertisement