Presidenti francez Emmanuel Macron u ka kërkuar vendeve të BE-së të miratojnë ndryshime vendimtare për të siguruar interesat e bllokut ekonomik përballë kohërave të trazuara dhe ka paralajmëruar se nuk mund të mbështeten te SHBA-ja për mbrojtje.

Qytetarët e BE-së do të votojnë në fillim të qershorit për anëtarët e rinj të Parlamentit Evropian, me sondazhet që parashikojnë një ndryshim në favor të forcave politike nacionaliste të krahut të djathtë. Macro të enjten iu drejtua homologëve të tij në të gjithë kontinentin nga Universiteti i Sorbonës në Paris, duke kërkuar ndryshime të guximshme politikash.

Sipas mediave, fjalimi i së enjtes supozohej të kanalizonte energjinë nga shtatori 2017, kur Macron bëri një apel të ngjashëm në të njëjtin vend, disa muaj pasi fitoi mandatin e tij të parë në krye të republikës franceze. Në shtatë vitet që nga ai moment, BE-ja është përballur me një sërë krizash, duke përfshirë Brexit, pandeminë Covid-19 dhe konfliktin në Ukrainë.

“Evropa jonë sot është e cenueshme dhe mund të vdesë”, paralajmëroi Macron. “Ajo mund të vdesë, dhe kjo varet vetëm nga zgjedhjet tona.”

Udhëheqësi francez shprehu idenë e tij për ‘autonominë strategjike’ për Evropën, veçanërisht në aspektin e prodhimit ushtarak. Ai përsëriti se vendet anëtare duhet të shpenzojnë më shumë për mbrojtjen dhe t’u japin përparësi armëve të prodhuara në vend – një sugjerim që kritikët e perceptojnë si lobim për prodhuesit francezë të armëve. Macron tha se kjo do të reduktonte varësinë e kontinentit nga Uashingtoni.

BE-ja “duhet të tregojë se nuk është kurrë një vasal i Shteteve të Bashkuara dhe se di gjithashtu të flasë me të gjitha rajonet e tjera të botës”, tha presidenti.