Kosova
Alarmi që ngrihet nga Bytyçi dhe Serwer/ Ky është skenari që Vuçiç do përdorë
“Presidenti serb Aleksander Vucic, pasi ka shkaktuar konfliktet e fundit, ka deklaruar se të tilla do ketë edhe më shumë gjatë vitit 2024” – Kështu eshte shprehur perms nje paralajmerimi, eksperti i njohur amerikan për Ballkanin në Universitetin Johns Hopkins, Daniel Serwer.
Lidhur me këtë ka komentuar edhe profesor, doktor Enver Bytyçi.
“Daniel Serwer gjithnjë ka qenë dhe mbetet një zë i spikatur për analizën dhe parashikimin e zhvillimit të ngjarjeve në rajonin e Ballkanit Perendimor, sidomos në raportet Kosovë-Serbi. Ai është një njohës i shkëlqyer i këtyre zhvillimeve dhe për këtë arsye duhet marrë gjithnjë seriozisht jo vetëm nga autoritetet e Kosovës, por edhe nga palët e interesuara në bashkësinë ndërkombëtare. Konstatimi i tij se ky vit do të sjellë më shumë konflikte në rajonin tonë është objektiv dhe i bazuar në gjendjen dhe aktivizimin e aktorëve rajonalë” – ka treguar Bytyçi
Sipas tij, Aleksandër Vuçiç po etiketohet më në fund si problemi dhe nxitësi i konflikteve në rajonin e Ballkanit.
“Serbia duket se nuk do heq dorë nga partneriteti strategjik me Rusinë dhe aleanca me të, në funksion të realizimit të qëllimeve të saj për destabilizimin e rajonit. Janë disa tregues që e provojnë këtë hipotezë, sipas së cilës rajoni i Ballkanit vijon të jetë një vatër krize edhe pse kanë kaluar gati tri dekada që kur Jugosllavia u shpërbë. Gjithçka buron nga aleanca tradicionale Beograd-Moskë. Dhe kjo aleancë, në vend të dobësohet, vazhdon të forcohet” – ka theksuar profesori i njohur
Po a rrezikohet Kosova nga një ndërhyrje ushtarake serbe?
“Nuk pres që Serbia të veprojë me ndonjë sulm ushtarak kundër Kosovës. Kjo metodë e bën atë që ditën e parë përgjegjëse dhe agresore. Që do të thoshte ndërhyrje e menjëhershme të NATO-s” – u shpreh Bytyçi
“Për të gjitha arsyet, pritet që Beogradi të provokojë trazira, të ndërmarrë akte terroriste apo dhe të ndezë revolta te serbët e Kosovës. Pavarësisht gjithe rreziqeve, nëse autoritetet e Kosovës, shërbimet e sigurisë, policia dhe të tjera agjenci do të jenë në nivelin përgatitjes si në Banjskë, gjithçka do të dështojë. Duhet kujdes, por unë nuk shoh se ka nevojë që njerëzit në Kosovë të jetojnë në panik”, – potencoi profesor, doktor Enver Bytyçi.