Connect with us

Kosova

Alarmon Milazim Krasniqi: Konflikt civil në veri të Kosovës

Profesori universitar Milazim Krasniqi, ka thënë se kërkesat e serbëve për Kosovën nuk do të ndalen as me Asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe se sipas tij, ata kanë një objektv të qartë: zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe rikthimin e saj nën Serbi.

Sipas Krasniqit, e vetmja zgjidhje është rishikimi i qasjes së deritashme problematike të faktorëve ndërkombëtarë, në disa pika.

Ai ka paralajmëruar se nëse nuk ndërmerren disa veprime, rreziku nga konflikti civil në veri të Kosovës është i pashmngshëm.

“Pakicat kombëtare zakonisht rebelohen, në rastet kur qeveria e shumicës i privon nga pjesëmarrja në pushtet, i diskriminon në ndarjen e pasurisë, ua redukton liritë e të drejtat qytetare e kombëtare dhe iu ngarkon barrë më të rëndë detyrimesh. Në rastin e pakicës serbe në Kosovë, kjo nuk ndodhë në asnjë segment. Serbët e Kosovës kanë pjesëmarrje joproporcionale në pushtet, duke pasur vende të rezervuara në parlament e në qeveri dhe komuna të formuara enkas për t’u qeverisë prej tyre. Pjesëmarrja e tyre në buxhet është pakrahasimisht më e lartë se sa kontributet për akumulimin e buxhetit” – ka shkruar analisti Krasniqi.

Sipas tij, edhe pse serbët e Kosovës kanë shumë të drejta pushteti dhe favorizime, ata janë tërësisht të pakënaqur deri dhe të rebeluar ndaj shtetit të Kosovës. Sepse kërkesat dhe synimet e serbëve të Kosovës nuk janë kërkesa dhe synime të një pakice kombëtare. Kërkesat dhe synimet e tyre janë për minimin dhe zhbërjen e shtetit ekzistues të Kosovës.

“Ata në asnjë formë ende nuk janë pajtuar me faktin që janë shkëputur nga Serbia dhe jetojnë në shtetin e ri, në atë të Kosovës. Prandaj është rrezik t’u jepet ofertë gjeneroze si kjo e fundit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, e cila ka elemente te autonomisë territoriale-politike, funksionale, kulturore dhe personale” – ka shkruar Krasniqi.

Sipas analistit të njohur, nuk ka shans të ndalen kërkesat e tyre secesioniste as me Asociacionin e ri.

“Serbët e Kosovës e kanë një objektiv të qartë: zhbërjen e shtetit të Kosovës dhe rikthimin e saj nën Serbi. Ky objektiv nuk ndryshon me qasjen që ka ndaj këtij problemi komuniteti ndërkombëtar, SHBA, BE, NATO. Kjo qasje vetëm sa po e ndihmon projektin e serbëve të Kosovës për të minuar ekzistencën e Kosovës si shtet. Kjo qasje e Perëndimit për formimin e Asociacionit, në fakt ka motivuar edhe rebelimin e armatosur në veriun e Kosovës më 24 shtator 2023” – ka deklaruar Krasniqi, duke theksuar se e vetmja zgjidhje është rishikimi i qasjes së deritashme problematike të faktorëve ndërkombëtarë, në këto pika: 1- njohja e Kosovës si shtet nga të gjitha shtetet anëtare të NATO-s dhe të BE-së, 2- kërcënimi me ndryshimin e Planit të Ahtisarit përkatësisht të Kushtetutës ahtisariane të Kosovës, në drejtim të ekuilibrimit të të drejtave të serbëve,3- presione mbi Serbinë për tab ere atë të heq dorë nga politizimi i serbëve të Kosovës.”

Sipas tij, “Nëse nuk bëhen këto veprime, si me Asociacion si pa asociacion, rreziku nga konflikti civil në veri të Kosovës është i pashmngshëm.

Advertisement