Kosova
ALARMUESE/ Kosova po shembet me dorën e vet
Analisti dhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Agon Maliqi, ka komentuar intervistën e ndihmës-sekretarit amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, duke thene se deklarata e tij drejtuar Kosovës dhe kryeministrit, Albin Kurtit është “shumë shqetësuese”.
Gjuha e top-diplomatit amerikan, sipas Maliqit, është alarmuese për nivelin e marrëdhënieve mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Gjuha e tij është alarmuese për nivelin e marrëdhënieve” – ka shkruar Maliqi në platformën sociale, Facebook.
Në vlerësimin e tij, intervista e O’Brien dëshmon se Kosova, me çështje si ajo e dinarit, po bën vetëvrasje
“Çfarëdo përparësie diplomatike që u krijua fal budallallëkut te Vuçiç-it në Banjskë, tashmë Kosova po e shemb me dorën e vet” – theksoi analisti I njohur.
O’Brien, si asnjëherë më parë ka artikuluar kritika të rënda në drejtim të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, duke cilësuar qeverisjen e tij si të “paaftë”, kurse kryeministri, sipas top-diplomatit amerikan, ka dhënë premtime ndryshe për çështjen e ndalimit të valutës shtetërore serbe në Kosovë, por pastaj ka vepruar ndryshe, duke vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
O’Brien në një intervistë për Zërin e Amerikës edicioni në gjuhën shqipe, fillimisht është pyetur se a ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti për shqetësimet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me vendimin e BQK-së për ndalimin e dinarit për shit-blerje dhe transaksione financiare në territorin e Kosovës.
“Kemi pasur disa biseda në periudhën para se të shpallej vendimi dhe një shkëmbim të shkurtë më pas”, ka thënë fillimisht O’Brien.
I pyetur se si Kurti e ka pritur vlerësimin e tij lidhur me këtë çështje, diplomati ka potencuar se ai “i ka kuptuar shqetësimet” dhe se ka premtuar “se do të punonte për to”.
“Por, qartazi Kurti vendosi miratimin e vendimit. Nëse ai nuk na trajton si partner, kjo ngre pikëpyetje nëse ne mund ta konsiderojmë këtë qeveri si partnere” – ka vlerësuar ndihmës-sekretari amerikan i Shtetit.
Në pyetjen se a planifikojnë SHBA-të të veprojnë njëjtë si Bashkimi Evropian duke vendosur masa ndaj Kosovës, nëse ekzekutivi këmbëngul në qëndrimin e saj, O’Brien në mënyrë të drejtpërdrejtë ka potencuar se “unë nuk bëj kërcënime të vagëta publikisht. Unë do thoja, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”.