Shkrime
Albin Kurti, 10 mite rreth një politikani primitiv
Nga Baton Haxhiu
Është e trishtë ta shohësh zvetënimin e thellë moral dhe kulturor të shoqërisë kosovare para Albin Kurtit, sinqerisht! Në një vend normal, me kulturë themelore personale, e lëre më të thellë demokratike, publikimi i dokumentit të themeleve organizative të VV-së, do të duhej të përfundonte me dorëheqjen e turpshme të Kryeministrit, pasuar nga arrestimi dhe burgosja e tij!
Figura e tij do përfundonte shumë më poshtë se sa ajo e Ali Shkurisë apo Rrahman Morinës në peshoren e vlerave historike pa asnjë diskutim. Pse? Sepse Ali Shukria e Rrahman Morina vendosen te eksperimentojnë me këtë popull sipas teorive kriminale të Vladimir Ilic Lenin-it kur gjysma e botës ishte socialiste dhe nga ky kënd i botës edhe nuk kishte shumë alternativa gjeopolitike.
Albin Kurti me këtë dokument vendos ta marrë pushtetin politik me teoritë e Lenin-it në Kosovën e pavarur, sovrane e demokratike, dhjetë vite pasi mëvetësia e saj u bekua nga blloku euroatlantik.
Përkundër kësaj, asnjë reagim serioz nga media, apo shoqëria civile: kujdestarët e partisë edhe njëherë morën masa që kjo të duket një gjë normale, dhuna e gënjeshtra të trajtohen si mjete legjitime të marrjes së pushtetit politik. Në çdo vend të botës, dalja në shesh e këtij dokumenti, do t’i mbushte sheshet, rrugët dhe do t’i kushtonte me turp të përjetshëm maskarait në krye të pushtetit.
Mirëpo aq shumë e ka lodhur, as shumë e ka shantazhuar, as shumë e ka sharë dhe përbaltur Albin Kurti çdo njeri që në këtë vend i ka mirë punët me të vërtetën, sa duket se këto gjëra themelore për demokracinë në këtë vend më s’i bëjnë askujt përshtypje.
Publikimi para dy ditësh i dokumentit të shkruar nga vetë dora e tij lidhur me organizimin e VV-së tregon më së miri fytyrën e vërtetë të Albin Kurtit: një politikan smirëzi dhe mendjengushtë që çdo vlerë shoqërore nuk e sheh fare ndryshe veçse si mjet në shërbim të luftës së tij për pushtet.
Pavarësisht citateve të ndryshme nga Deleuze te Badiou të përzgjedhura enkas sa për t’iu krijuar përshtypjen shërbëtorëve të tij se ai është një burrë mendjendritur, dokumenti shpërfaq tri elemente që e bëjnë atë një njeri anti-kombëtar.
Së pari, ai dëshiron që pluralizmin politik në Kosove ta zëvendësojë me modelin e qeverisjes pararojë të Lenin-it. Pra, Kryeministri i Kosovës gjen frymëzim politik në Rusinë e vjetër sovjetike, ndonëse natë e ditë përpiqet të shtiret si një luftëtar bandash të Wagner-it e Putin-it.
Së dyti, ai bën thirrje për organizime ilegale në lagje e qytete të ndryshme të Kosovës. Meqë flet gjoja i shqetësuar fort për sundimin e ligjit në Kosovë, le t’i dorëzojë atëherë para drejtësisë huliganët e tij që në përputhje me këtë doktrine kanë djegur vetura, rrahur njerëz dhe kanë përdorur artileri të rëndë kundër institucioneve të vendit.
Po ashtu, ai që dikur fliste për SHIK-un, me këtë dokument bëhet e qartë se ai prej kohësh ka udhëhequr një shërbim informativ. Së treti, Albin Kurti i bën thirrje anëtarësisë së tij të gënjejnë sa më shumë. Kjo është rrjedhoja e natyrshme e thirrjes për shpërndarje të thashethemeve. Pra, përlloqja dhe dhuna janë pjesë e strategjisë së tij për të marrë pushtetin.
Si bëhet, pra, një njeri i tillë, me tipare të rënda kriminale, të shtiret si një burrë zotëri që këndon natë e ditë libra dhe magjeps sallonet e botës? Natyrisht, këtë sot e besojnë vetëm tru-shpëlarët e VV-së, ata të cilët i shkruajnë raporte për bisedat me miq, të afërm, e familjarë, ata të cilët janë stërvitur për t’i spiunuar komshinjtë, ata të cilët flasin për dinjitet dhe i rrinë kokë-ulur udhëheqësit shpirtërorë.
Për pjesën tjetër, të cilët duan t’i thërrasin mendjes apo s’guxojnë të flasin lirshëm se burri i ministres së Drejtësisë i shan me “soj e sorollop” në Facebook i shoqëruar nga një tufë budallenjsh, këtu është shpërbërja e dhjetë miteve rreth këtij njeriu primitiv.
Miti i parë: Albin Kurti është patriot që lufton për Bashkimin Kombëtar
Bashkimi Kombëtar ka qenë ideali i shqiptarëve pas krijimit të shtetit shqiptar më 1912, pasi ngeli jashtë gati gjysma e territorit, ku më e qenësishme është Kosova.
Pas vitit 1990, Kosova ka ndryshuar qasjen ndaj Bashkimit Kombëtar duke e transformuar në përpjekje për një shtet të ri shqiptar në Ballkan. Duke përdorur demokratizmin e ish bllokut komunist, rënien e Murit të Berlin-it dhe rënien e Jugosllavisë, Kosova nisi një rrugë moderne për krijimin e shtetit të saj të dytë shqiptar në Ballkan, çka u realizua në aleance të plotë me Perëndimin në vitin 1999. Etërit themelues të shtetit të Kosovës nuk janë luftëtarët e Rilindjes shqiptare por Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi dhe elita politike e viteve 90.
Teza e Bashkimit Kombëtar për qëllime populiste, është regresive, është hap pas nga evoluimi kombëtar i shqiptarëve dhe mbi të gjitha një shërbim për fqinjët jomiqësorë të Shqipërisë që e kanë atë si argument kudër shqiptarëve në Ballkan.
Përveç kësaj, sapo erdhi në pushtet Albin Kurti e braktisi jo vetëm idenë e bashkimit kombëtar, por edhe hoqi dorë nga kërkesa për njohje të Kosovës nga ana e Serbisë. Bashkimi kombëtar i Albin Kurtit ka qenë vetëm demagogjia e nevojshme për ta marrë pushtetin për ta zbatuar Zajednicën. Këtë do ta bëjë shumë më shpejt sesa mendojnë pasuesit e tij.
Miti i dytë: Albin Kurti e do Shqipërinë
Albin Kurti është politikani që në rrugë institucionale ka prodhuar më shumë urrejtje ndaj Shqipërisë në Kosovë se çdo politikan shqiptar apo serb në historinë e saj. Edhe gjatë luftës së ftohtë Enver Hoxha me Fadil Hoxhën i kanë pasur më të mira raportet se Albin Kurti me Edi Ramën.
Albin Kurti është i fyer nga refuzimi i Shqipërisë për të dhe demonstron urrejtje ndaj saj.
Albin Kurti e do Shqipërinë, pra, si narrativë për ta manipuluar elektoratin në Kosovë. Fundja, krejt çka ka nga Shqipëria në Kosovë nga Albin Kurti është helmi anti-kombëtar i klyshit të dikurshëm Nexhmije Hoxhës, Hysamedin Ferraj.
Miti i tretë: Albin Kurti është i shkolluar
Fatkeqësisht Albin Kurti është produkt i brezit te nxënësve dhe studentëve të shkolluar në sistemin paralele të arsimit, pa asnjë standard pedagogjik. Pretendimi i tij se është diplomuar për inxhinier në ato kushte, në klasa të improvizuara pa laboratorë dhe standarde shkencore, e bën dhe më vulgare legjendën e shkollimit të tij.
Ai është viktimë e një sistemi arsimor mbijetues. Përveç kësaj, ai është një citatolog i rrejshëm, një keq-përdorues frazash dhe një manipulues me autorë të ndryshëm thjesht për përfitime elektorale.
Kjo nuk do dëshmi të mëtejme: e ka thënë me dorën e tij në dokumentin që përcakton formën e organizimit të partisë së tij.
Miti i katërt: Albin Kurti është i ditur
Albin Kurti është udhëheqësi tipik autodidakt, i cili nuk ka një sistem vlerash në kulturën e tij. Ai nuk është një intelektual i formuar që rrezaton diturinë e tij, por një udhëheqës i indoktrinuar, që përdor copëza leximesh për të ilustruar dogmat e tij.
Madje edhe këto dogma i ka të paqëndrueshme: dikur bazohej në teori të ndryshme për ta arsyetuar të drejtën për vetëvendosje, tani si ka mbetur asgjë tjetër veçse ta citoj Gjillasin për ta mbrojtur idenë e vetë-menaxhimit jugosllav.
Miti i pestë: Albin Kurti është njohës i historisë së Shqipërisë
Albin Kurti, është politikani më kontrovers në përdorimin e historisë së Shqipërisë, duke futur në konflikt figurat historike të Shqipërisë më objektivat e tij. Fjala vjen, rrethi i tij i ngushtë kanë shpallur armik Heroin tonë kombëtar Skënderbeun, Nënë Terezën dhe janë pro rreshtimeve të gabuara të historisë së Shqipërisë, gjithnjë në emër të patriotizmit.
Në shumë raste ai reflekton injorancë historike dhe histori të ngritur mbi mite të rreme siç është teza e tij se në vitin 1991 Shqipëria kishte shans të bashkohej me Kosovën përmes ndihmës së Kroacisë. Ai është një shpërdorues i historisë, i cili nëpërmjet paraqitjes së alternativave të rrejshme, synon ta shërojë kompleksin e tij mesianik: ai është i vetmi, më sipërori, në historinë e kombit. Qesharake, posaçërisht kur vjen nga njeriu që sulmonte publikisht UÇK-në pas vdekjes së Adem Jasharit.
Miti i gjashtë: Albin Kurti është politikan liberal
Albin Kurti është udhëheqësi më autokrat dhe linçues ndaj kritikëve të tij në historinë e Shqipërisë pas Enver Hoxhës. Ai është i vetmi që ka krijuar një strukturë ideologjike e cila përmban brenda mekanizma inkuizicioni ndaj atyre që nuk janë në një gjatësi vale me të. Nga Profesor kaloi të Isë Isë, argat i Serbisë, vetëm për një grusht votash.
Miti i shtatë: Albin Kurti qeveris si demokrat
Për këtë nuk ia vlen as të shkruhet shumë gjatë: për tri vjet qeverisje ai është sulmuesi më i egër i mediave të lira, KQZ-së dhe gjyqësorit të pavarur në përgjithësi. Për më shumë, nga shoqëria civile e nga media, ai ka favorizuar vetëm ata që i ka blerë me lekë, si skllavet e tregjeve antike.
Miti i tetë: Albin Kurti si sovranist
Miti i Albin Kurtit si sovranist, në të vërtetë është identiteti i tij si një politikan anti-perëndimor. Albin Kurti e ka një urrejtje ideologjike për SHBA-të dhe Evropën në tërësi, dhe gjithë logjika e tij është e bazuar te strategjia e futjes në konflikt me Perëndimin, për t’u viktimizuar prej tyre dhe për të mbajtur kështu gjallë ideologjinë e tij anti-perëndimore. Përpjekja e tij për të ruajtur sovranitetin e Kosovës nga SHBA-të dhe BE-ja, në fakt janë përpjekje për të mbajtur më këmbë ideologjinë e tij anti-perëndimore.
Miti i nëntë: Albin Kurti është anti-serb
Albin Kurti është politikani që i ka shërbyer më së miri çdo teze të Serbisë. Asnjë politikan i Kosovës këto 24 vjet nuk ka qenë ilustrim për çdo tezë serbe kundër shqiptarëve sa Albin Kurti. Mbi të gjitha formimi kulturor dhe strategjia e Albin Kurtit mbështetet më shumë në traditën serbe se sa të një politikani modern. Ai e mbështet ideologjinë e tij mbi humbjet historike, mbi disfatat dhe ngre mite të rreme për referenca historike që nuk i shërbejnë Kosovës.
Miti i dhjetë: Albin Kurti është i pakorruptuar
Politikan i pakorruptuar është ai politikan që ndërton një shoqëri të lirë bazuar mbi dinjitetin e individit dhe lirinë për t’u gjykuar nga një drejtësi e pavarur. Gjithë politika e Albin Kurtit mbështetet mbi linçimin e kritikëve të tij, shpalljen e tyre të korruptuar dhe mbrojtjen e besnikëve të tij dhe kur janë të korruptuar.
Politikanë si Albin Kurti korruptojnë jo vetëm individët por gjithë infrastrukturën e shoqërisë.
Përveç kësaj, Albin Kurti është pjesë e skemës mafioze të krimit të Martin Berishajt, skandalit më të madh financiar në Kosovën e pasluftës.
Është pikërisht ai që në emër të çkapjes, nuk ka lënë pozite pa shtyrë përpara njerëzit e tij, nga institucionet e sigurisë deri ne bordet e ndërmarrjeve publike.
Prapa udhëheqësit që shtiret i kujdesshëm, pra nuk fshihet gjë tjetër veçse krimineli që dëshiron Kosovën ta qeverisë sipas modelit të brendshëm të Vetëvendosjes.