Kosova
Albin Kurti, as shpëtimtar e as tradhëtar
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti për mungesë trasparence në raport me dialogun me Serbinë.
Duke iu drejtuar kreut të ekzekutivit, Krasniqi tha se në dialog ai nuk ka nevojë që të fshihet, as të luajë rolin e shpëtimtarit e as të tradhtarit.
Për PDK-në sipas tij, mjafton që Kurti të ushtrojë përgjegjësinë ligjore e kushtetuese të cilën e ka si kryeministër i vendit.
“Të jesh konsistent në qëndrime është parim fisnik në politikë. Të jesh pragmatik në politike do të thotë të veprosh duke i ruajtur parimet. E vetmja gjë që nuk është fisnike është mungesa e guximit për të ushtruar përgjegjësinë që të takon. Kjo është rruga që po e ndjek kryeministri Albin Kurti” – tha Krasniqi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës është shprehur gjithashtu se Kurti duhet të dialogojë me Serbinë dhe të arrijë marrëveshje që respekton identitetin dhe sovranitetin shtetëror e kushtetues të Kosovës.
“Duhet të jesh i vetëdijshëm se dialogu nuk është çështje private mes teje dhe Vuçiç, por çështje shtetërore. Të ftoj që të bëhesh serioz dhe ta ushtrosh përgjegjësinë në mënyrë transparente” – deklaroi Krasniqi